Kryeministrat e Holandës dhe Luksemburgut kërkuan që Kosova t’i përmbahet planit të Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Kryeministri holandez, Mark Rutte, dhe ai i Luksemburgut, Xavier Bettel, u takuan të martën me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti.
Gjatë një konference për shtyp, Rutte tha se mënyra më e mirë për të shtensionuar situatën është që palët të përmbushin kërkesat e paraqitura nga Bashkimi Evropian, duke shtuar se stabiliteti rajonal është çështje shumë e rëndësishme.
Ndërkaq, gjatë takimit të liderëve evropianë me presidenten Osmani, kjo e fundit tha se Kosova ka “demonstruar vullnet” për shtensionimin e situatës, duke “ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit”. Vizita e Rutte dhe Bettel në Prishtinë vjen pasi një ditë më herët ata qëndruan në Beograd, ku zhvilluan bisedime me krerët shtetërorë serbë.
/f.stafa