Ndonëse është vetëm 5 vjeç, Sibora Duka e përdor në mënyrë efektive telefonin, iPadin apo televizorin. Falë zhvillimit teknologjik ajo ka arritur ta mësojë shumë mirë gjuhën angleze, madje në përditshmëri e ka më të lehtë të komunikojë në anglisht sesa në shqip.
“Hello, my name is Snoëhite and I am 5 years old. Pse ke dëshirë ta mësosh anglishten dhe ta flasësh edhe vetë në përditshmëri? Unë di të flas në anglisht dhe anglishtja më mëson mua që të iki në shtete të tjera.”- tha Sibora Duka.
Megjithatë, 5 vjeçarja nga Librazhdi nuk e harron gjuhën e saj. Ajo përcjell vazhdimisht mesazhe edhe në rrjete sociale ku kërkon që të flitet sa më shumë shqip.
“Gjuhën tonë të bukur shqipe nuk duhet ta harrojmë asjëherë. Në Angli, në Australi dhe vende të tjera nuk duhet ta harrojnë gjuhën shqipe edhe pse flasin anglisht nuk duhet ta harrojnë asnjëherë gjuhën shqipe” tha Duka.
E ëma e Sibrorës tregon se mësimi i anglishtes ka ardhur komplet natyrshëm. Ajo pranon se daljet apo lojërat me bashkëmoshatarët janë minimizuar për shkak të përdorimit në masë të teknologjisë, gjë që përpiqet ta rregullojë dita-ditës në mënyrë që kjo të mos ndikojë në zhvillimin e saj social.
“Fatkeqësisht, fëmijët e sotëm kanë filluar ta përdorin teknologjinë më shumë seç duhet. Edhe pse unë nuk jam shumë dakord, ndonjëherë i neglizhoj ajo që kam parë përveç efektit pozitiv që ka mësuar të flasë rrjedhshëm është shpërqendrimi disi dhe dëshira për të mos dalë të luajë në natyrë.” Tha nëna e vajzës.
Qytetarë të ndryshëm në kryeqytet e shohin përdorimin e pajisjeve elektronike si një varësi të pashmangshme ndaj teknologjisë.
“Teknologjia duhet se është koha e teknologjisë, por me masë çdo gjë, me kontroll, me disiplinë. Po ti lësh nuk shkëputen nga telefoni. Gjithë ditën në telefon rrinë. Të vegjlit që i shoh unë gjithë kohën e harxhojnë me telefona.” ushpreh qytetari.
Mundësitë për çrregullime gjuhësore për shkak të qëndrimit përpara ekranit me orare të pakufizuara janë të shumta. Logopedi Erges Eskiu thotë se problemet në artikulim vihen re që në moshën 2-3 vjeçare. Ndjekja e filmave vizatimorë, serialeve apo videove të ndryshme në anglisht sjell sipas tij vështirësi në disa germa që alfabeti i gjuhës angleze nuk i ka.
“Vonesa gjuhësore, probleme në artikulim sepse anglishtja nuk i ka të gjitha gërmat që ka shqipja, si: sh, q, th, dh, xh, ç. duke qenë se nuk i dëgjojnë dhe nuk i shprehin e kanë të vështirë. Këtu vijnë për të trajtuar probleme shqiptimi që shkojnë deri në 24 seanca në varësi të problemeve. Grupmosha 2-3 vjeç, kur fëmija duhet të shpërthejë në të folur të flasë ngrihet alarmi më i madh. Vihet re një tendencë tjetër që gjuha e parë bëhet anglishtja ose gjuha me të cilën është më i ekspozuar ose ndihet më komod, pra ai krijon një shok virtual me të cilin kalon kohë. Ndonjëherë krijon një lloj autizmi funksional sepse nuk e sheh të nevojshme që të socializohet.”- tha Erges Eskiu, logoped.
Eskiu thekson se përdorimi në masë i teknologjisë bën që fëmijët ti njohin vetëm vizualisht sendet apo objektet duke mos kuptuar se si janë në të vërtetë dhe nga se përbëhen.
“Është e dëmshme sepse e sheh materien në dy dimensione, e shikon në ngjyrë, në formë por nuk e kupton a është e lëngshme apo kokrrizore, e fortë, e akullt. Krijon pengesë në krijimin e përgjitshëm të fëmijës.”- tha logopedi.
Logopedi Eskiu kërkon që prindërit të kalojnë më shumë kohë me fëmijët, ndërkohë që insiston që oraret përpara ekranit të jenë të pakta, duke filluar nga 1 orë për grupmoshën 3 deri në 6 vjeç dhe maksimumi 2 orë për ato nga 6 deri në 12 vjeç.
/a.r