Nga: Agron Gërguri
Ideja për të organizuar një festival të përmasave kombëtare nuk është e re as e patrajtuar. Dy-tri prova të mëhershme – që do duhej të evidentoheshin si pjesë e trashëgimisë teatrore në tentativat për të organizuar festival me përmasa kombëtare – ka pasur. Dhe mirë bëri Altin Basha, drejtor i Teatrit Kombëtar, Tiranë, që e përmendi këtë fakt në natën përmbyllëse së paku si një respekt përpjekjes për të bërë festival kombëtar, e cila ka nisur që para luftës në Kosovë si një varg i trashëgimisë për të cilën flasim shumë e jo rrallë e këpusim vetë. Këtu domosdo duhet përmendur aktivitetin e shumanshëm të Fahri Hysajt të ndjerë, i cili ishte në mos më i merituari për mbajtjen e festivalit të parë.
Festivali, sado i ngjeshur me shumë shfaqje të cilat kryesisht plotësonin kriteret estetike e artistike për të qenë pjesëmarrës në këtë nivel, e arsyetoi mbajtjen.
Për 8 net u dhanë 13 shfaqje të zhanreve e tipologjive të ndryshme me autorë shqiptarë e të huaj. Me tema që kapnin aktualitete dhe të cytnin në shqyrtime për fatet e njeriut.
Në fund fare pas shfaqjes përshëndetëse “Shtëpia e zotit” të Ledian Gjeçit, me regjisor, Ilir Bokshin, e cili të mbante peshën me temën dhe trajtimin skenik tepër dinamik me interpretime të afshme aq sa mund të prodhojë droga apo kultivimi i saj nga bandat kriminale dhe implikimet politike në krijimin e parasë së pistë të cilën e trajtoi shfaqja. Edhe pse mbeti në nivel të aksionit dhe dinamikës së sforcuar.
Atmosferën e finales e elektrizoi edhe prezenca e kryeministrit të Kosovës, z. Albin Kurti, me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, e në shoqërim të tyre ishte ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti.
Vlerësimet e jurisë
E tëra u mbyll me çmimet të cilat i ndau juria e festivalit kryesuar nga Yllka Mujo, ndërsa anëtarë ishin: Armond Morina, Diana Toska, Shengyl Ismaili dhe Dritëro Ame.
Vendimet e tyre u pranuan ku më shumë e ku më pak me duartrokitje për akordimin e çmimeve.
Fitues absolut u shpall shfaqja “Vizita” e teatrit “Migjeni” të Shkodrës, regjisori më i mirë Igor Mendjisky për shfaqjen “1984” (Orwell), çmimi për tekst Refet Abazi (“Nyjat”), aktorja më e mirë Edona Reshitaj (“Gadjo”), aktori më i mirë protagonist Adem Karaga (“Nyjat”), aktori më i mirë në rol dytësor Fisnik Zeqiri (“Nyjat”), aktorja për rol dytësor Armela Demaj (“Mbreti Lir”) aktorja e re më e mirë Flakë Latifi (“1984”), çmimi për muzikë Lino Cannavacciuolo (“Vizita”), çmimi për skenografi Divina Gushto
Paneli i kritikës dhe kriteret e vlerësimit
Pas debateve dhe opinioneve në panelin e kritikës me observimet e Josif Papagjonit, Ben Andonit, Primo Shllakut, Agron Gërgurit dhe Iris Canit, shfaqjet morën cilësimet zhanrore, tipologjike, artistike e estetike, porse mungoi këmbimi i leximit të shfaqjeve në mes këtyre dy institucioneve që i kishte ngritur Festivali panelit të kritikës dhe jurisë vlerësuese.
Shqetësuese ishte mospjesëmarrja e anëtarëve të jurisë në debatet dhe analizat për shfaqjet në nivel të përmbajtjeve dhe gjuhës skenike, që pa dyshim do të ishin një ndihmesë për akordimin e kritereve vlerësuese bazuar në kërkesat e festivalit dhe në nivelin e emrit që mban festivali. Me përjashtime të vogla në tryezën e rrumbullakët nuk morën pjesë as shumica e përbërëse të produksioneve teatrore që po merrnin pjesë në festival, aktorë, regjisorë e autorë dramash me përjashtim të krijuesve të shfaqjeve: “Fausti”, “Vizita” dhe “Nyjat”. Organizatori kishte bërë mirë me idenë e mbajtjes së panelit dhe insistimi këmbëngulës i Altin Bashës është për admirim, fundja ai vetë bashkë me Adem Karagën morën pjesë në panelin e kritikës.
Pavarësisht shijeve, ka disa normime estetike të cilat na obligojnë kur vlerësojmë shfaqjet. Duke pasur këtë në mendje them se shfaqjet “Fausti” dhe “1984” u dëmtuan.
Pse?
“Fausti” i Fadil Hysajt të obligon të meditosh për të, për temën që trajton, për mënyrën se si e trajton me një pasuri të shprehjeve teatrore, idiomave që i krijon, aktrimit brilant, skenografisë, muzikës, ndriçimit që të gjitha ishin komponuar mrekullisht domethënshëm nga Fadil Hysaj, i cili i motivuar nga Goethe dhe Marlou kishte shkruar një tekst që zbërthente jetën njerëzore, dëshirat, ambiciet, luftën me të keqen brenda e jashtë vetes, dashurinë si promotor jete, të keqen zhgënjyese, e cila na bëri të lëvizim nga vendi sa për të provuar aty për aty të ndërrojmë pozicion.
Kjo assesi nuk do të thotë se shfaqja “Vizita” nuk kishte vlera për çmim.
Pastaj aktrimi si kategori esenciale e Teatrit te shfaqja “Fausti” ishte i nivelit të lartë angazhues estetik e artistik.
Partitura e aktorit Adrian Morina në rolin e Mefistofelit do të mbahet mend gjatë dhe mbase ishte pika kulmore e festivalit.
Fadil Hysaj dhe shfaqja “Fausti” nuk u vlerësuan në nivelin e përshfaqur të arritshmërisë artistike. Po ashtu shfaqja “1984” mbeti e vlerësuar nën nivelin e asaj që ishte. Përveç regjisë, e cila vërtet ishte e bërë mirë në dy-tri skena inovative dhe përdorimit të rekuizitave, ndriçimi specifik dhe përdorimi funksional i videokamerës, shfaqja përmbushte thellësisht hapësirën e meditimit aktiv për temën e autokratizmit, përkatësisht potencialit diktatorial që po zhvillohet në Ballkan. Po në këtë shfaqje luanin mrekullisht edhe Ylber Bardhi, Ardian Morina, aktorja e re e cila u vlerësua, por jo për rolin kryesor të femrës. Episodit të Xhejlane Godancit sikur mbeti pa iu dhënë haku.
Nuk u trajtua meritueshëm as shfaqja “Grafitet”, regjia e Naser Shatrollit dhe teksti mprehtësisht i adoptuar i Mehmet Krajës. Sado që edhe teksti i Refet Abazit ishte dramatik dhe domethënës si përmbajtje, hiq disa dialogë moralo-filozofikë.
A duhet një riformulim i çmimeve të festivalit?
E pra nga kjo mospërfshirje (me apo pa qëllim) në vlerësimin final duke nënkuptuar shijen e jurisë, na del një mësim i cili na thotë se organizatori në të ardhmen do të duhej që çështjen e çmimeve ta fleksibilizojë deri në masën që po pati vlera të përafërta të shpërblehen dy apo edhe tri shfaqje e të hiqen ato kategori të cilat nuk kanë prekur kriteret vlerësuese të jurisë. Përkufizimet vlerësuese do të duhej shpallur paraprakisht, kriteret shtylla të vlerësimit duke avancuar kështu kahet e zhvillimit të teatrit shqiptar të cilat synon t’i përligjë festivali. Konsideroj se është tepër e rëndësishme që për secilin çmim të jepen arsyet artistike, estetike apo kriteret pse u akordua çmimi.
Pjesëmarrësit e festivalit, sidomos aktorët, regjisorët e dramëshkruesit e dramaturgët do të duhej që festen teatrore ta ndanin njëri me tjetrin duke e argumentuar me projekte të përbashkëta aq sa edhe me shqyrtime, analiza e vrojtime të produksioneve teatrore të shfaqura apo atyre që janë në proces. Sepse festivali është një moment reflektimi për sistemin e vlerave teatrore, i cili aktualisht nuk është aq i konsoliduar. Kisha përshtypjen se ky komunikim mungonte për aq sa kalkulimet se kush me kë është dhe rrjedhimisht kësaj, se ku do shkojnë çmimet sikur kutërbonte. Pastaj raporti shqiptaro-kosovar, përfshirë këtu edhe Teatrin Shqiptar të Shkupit, i të bërit teatër mbetet ai që është derisa disa bëjnë stuhi në gotë dhe alarmojnë për vërshime artistike dhe kur gota thyhet kthehemi aty ku na pret e vërteta duke konstatuar një modë a trend kinse digjitalizim apo perëndimizim i gjuhës teatrore ku e ku në funksion.
Dramaturgjia kombëtare
Edhe pse shumë herë zhvillohen debate akuzuese për mospërfshirjen e dramës shqiptare në repertorët e teatrove gjithandej në fushat e mejdanit kombëtar, kur analizojmë tërësinë dhe përpiqemi të themi çfarë niveli është ajo, e ulim zërin deri në të dëshiruarën dilematike te shpërshfaqja e një trendi të dramaturgjisë publicistike ku problemet trajtohen në nivel publik e jo njerëzor. Pra ka përfaqësues apo bartës të dukurive e jo personazhe, njerëz që rropaten në betejat e tyre jetësore.
Këtë bën dramaturgjia publicistike apo gazetareske, e cila do që të legjitimohet duke kapur aktualitetin të cilin e afirmon me qëndrime kritike, kryesisht, groteske. Pastaj kemi atë që si tipologji pretendon absurdin dhe drama që hyn në regjistrin e tradicionales, pra formës klasike të shkrimit.
Gjuha teatrore
Duket se e veçanta e festivalit ishin regjisorët joshqiptarë, italianë, francezë, të cilët e kanë pasuruar operimin regjisorial me zgjedhje të ndryshme mizanskenike duke akcentuar gjuhën teatrore. Kjo karakterizohet me veprime foljore filmike, por edhe me zgjidhje skenike të pasuruara me idioma që herë-herë “thyejnë” tri unitetet e Aristotelit, sidomos në përdorimin fleksibil të skenografisë, rekuizitave, zërit, muzikës dhe ndriçimit.
Gjithashtu aspekti modern i trajtimit skenik në disa shfaqje shprehej në totalitetin e shfrytëzimit të hapësirës skenike në zhvillimin koherent të skenave pa ndërprerje. Këto karakteristika i konstatuam te shfaqjet “Vizita” “Fausti”, “Nyjet” dhe “Masë për masë”.
Në disa nga shfaqjet veprimet fizike iu kishin nënshtruar trajtimit koreografik, gjë që mizanskenën e ngre në nivel më të theksuar estetik.
Hapësira miniaturiale u përdor te shfaqjet “Grafitet” , “Gadjo”, “Fluturimi mbi teatrin shqiptar”
Tematikat e trajtuara: prej aktualitetit të pabluar deri te klasikët e aktualizuar
Thuaja se në të gjitha shfaqjet kryesisht ishin trajtuar marrëdhënia e së mirës me të keqen, fati apo fatkeqësia e njeriut në atë se çfarë e pret në të ardhmen. Pati depërtime të thella në natyrat njerëzore përmes personazheve si Fausti, Mefisto, engjëlli, për raportin e njeriut me lirinë, politikën, drejtësinë. Pastaj raporti i njeriut me vetveten deri te gjykimi i guximshëm autokritik në trajtimin e minoriteteve, deri te rëndësia e teatrit në momentin aktual kulturor e shoqëror.
“Mbreti Lir”
Shfaqja me elemente minimaliste si skenografi e rekuizita, por me angazhim afshëror në interpretim të aktorëve: Viktor Zhusti, Sokol Angjeli, Lulëzim Zeqja, Armela Demaj, Xhino Musollari, Klesta Shero dhe të tjerëve të cilët kishin angazhim të fuqishëm në sendërtimin e personazheve.
“Masë për masë”
Kurvërimi i jetës dhe gjykimi moral masë për masë.
Duka maskohet në prift për të regjistruar gjendjen e moralit në shoqëri në vendin ku ai sundon për të dhënë pastaj recetën e drejtësisë masë për masë.
“Fluturimi mbi Teatrin shqiptar”
Trajtimi sa dramatik aq edhe komik me elemente parodizimi të marrëdhënies së shtetit me artin dhe artistët që shkon deri në tallje me të bërit teatër e shtet kur politika bëhet esencë përmes drejtuesve servilë të teatrove, të cilët raportin e teatrit me politikën e shohin përmes prizmit karrierist. Kjo përthyerje e artistit midis qenies dhe shtirjes për mbijetesë u nxor si mesazh i shfaqjes
Fituesi dhe shfaqjet e tjera që shënuan edicionin e sivjetmë
Fitues absolut u shpall shfaqja “Vizita” e teatrit “Migjeni” të Shkodrës
Teatri “Migjeni” i Shkodrës, “Vizita”, autor Fabi Pisano. Një shfaqje plot poetikë, me një lexim modern të tekstit nga regjisori italian Davide Iodice stilistikën teatrore të të cilit e interpretuan përkushtueshëm, por jo gjithë me sukses, aktorët shkodranë: Rita Gjeka, Nikolin Fërketa, Rajmonda Marko, Merita Smaja, Jozef Shiroka. Shfaqje me plot metafora të cilat ndërtohen nga një takim i njeriut me engjëllin si një provë që argumenton prishjen e njerëzores duke e korruptuar engjëlloren brenda njeriut deri aty sa edhe Zotin do ta gjuanim me gurë nëse bie në tokë.
Shfaqje me mizanskenë subtile, kalim skenash me spontanitet dhe pa ndërprerje e me skenografi funksionale.
“Fausti”, i Fadil Hysajt: Duke e ndjekur rrugën e lakmisë, dëshirave dhe mundësive për ta zhvilluar ambicien e sëmurë, njeriu ka ikur prej vetes në kërkim të pavdekësisë, duke e bishtnuar edhe vdekjen e ndershme apo njohjen e rinjohjen e perëndisë si pronar absolut i kohës dhe mundësive të cilat i kemi shpërdoruar që nga kafshimi i parë i mollës e deri më sot.
Ne vazhdojmë të shpërdorim kohën e çmuar në të cilën po jetojmë në disraport me kërkimin e lumturisë, përkatësisht kuptimit të jetës, na thotë Fadil Hysaj me ”Faustin” e tij, motivuar nga Goethe dhe Marlou.
Ndërsa me “Grafitet”, Naser Shatrolli prek momentin e pushtimit të lirisë, si një argument të ndarjes së pazarit se kush ishte kush? Me një adaptim interesant të tekstit të Mehmet Krajës aktualizon ashpërsisht dramën e cila zhvillohet nën lëkurën e personazheve në temën patriot-tradhtar.
Mendësia politike e shoqërore, e cila trajtohet në shfaqje e identifikuar si kosovare apo përtej saj, ka kultivuar, e kultivon përbrenda divergjenca politike e kulturore të cilat lirinë e kanë lexuar me dioptri të ndryshme duke u ndier pronarë të saj.
Shfaqja “1984” e G. Orwellit në regji të Igor Mendjiskyt: Pyetja që bëhet çështje e trajtimit skenik është çka do të bëjnë pushtetarët kur të ngopen pushtet, nëse ngopen, pasi që prolëve (proletarëve) dje, përkatësisht elektoratit sot, t’iu kenë shkatërruar unin për t’i “shpëtuar” nga vetvetja siç proklamon ministrja e dashurisë, ”do t’ju zbrazim e do t’ju mbushim siç duam”, duke e pronësuar të vërtetën në instancë të fundit që është synim i kontrollit të masave duke e pezulluar edhe Zotin.
“Nyjat” e Refet Abazit, autorësia e të cilit vlerësohet për tekstin ishte shtruar skenikisht në tablo që komunikonin me njëra-tjetrën në mënyrë diabolike. Disa tipa personazhesh të interpretuara bukur nga Adem Karaga, Armenis Nokshiqi, Bislim Muçaj, Teuta Ajdini, Sabina Memishi, Fisnik Zeqiri i dhanë intonime të nduarduarta duke mbështetur regjinë inventive të Kushtrim Bekteshit. Vlerat njerëzore triumfojnë në betejën me të keqen, smirën midis njerëzve deri te beteja që njeriu bën me veten. Raporti midis gjeneratave dhe raporti fondamental i njeriut me pushtetin dhe ndikimi i kësaj relate në marrëdhëniet familjare i trajtoi kreativisht shfaqja “Nyjat” e Teatrit Shqiptar, Shkup.
Shfaqja “Gadjo” e Jeton Nezirajt, me Blerta Nezirajn regjisore, kap problemin e trajtimit të minoritarëve. Duke përdorur fakte dokumentare, tematikisht e dramatizon deri në nivel shqetësues trajtimin e një gruaje rome e ku tërthorazi preken edhe çështje të tjera: rinia, droga, mediat, arsimimi. Personazhet janë përfaqësues dhe tipizohen sipas situatave e jo karakterit. Interpretim i ngjizur me problemet që trajton dallohet Edona Reshitaj, e cila u shpall aktorja e festivalit si protagoniste.
“Tri dëshira” e Ferdinand Hysit (Teatri “Petro Marko”, Vlorë), regjisor Roland Minga: Një refleksion mbi problemet e shoqërisë shqiptare e zhytur në konfliktualitete të vogla që bëhen të mëdha, ku secili ka një ambicie si dëshirë të parealizuar, për çka gjithherë tjetri i duket pengesë. E bazuar kryesisht në veprime foljore që akcentojnë vlera literare.
Shfaqjet e tjera pjesëmarrëse ishin: “Nuse vetëm për letra”, autor dhe regjisor Leka Bungo (Teatri i Korçës), “Karantina” me autor Jean P. Martinez, regjisor Gent Mehmeti, “Hana po fluturon”, autore: Arta Arifi, regjisore Iliriana Arifi (teatri “Adriana” Ferizaj) dhe shfaqja “Vojçek” e G. Buchner, regjisor Kuniaki Ida.
Në fund duhet mbështetur angazhimin e tre drejtorëve Altin Basha, Adem Karaga dhe Kushtrim Sheremeti për organizimin e festivalit, edicioni i radhës i të cilit, i treti, do të mbahet në Prishtinë.