Teatrit “Metropol” vjen në këtë sezon me një imazh të ri dhe projekte shumë ambicioze. “Euridita” është vepra që do të çelë aktivitetet artistike, një vepër që i përket dramaturgjisë bashkëkohore amerikane dhe që vjen për herë të parë në Shqipëri e Ballkan. Drejtoresha e Teatrit “Metropol” Metropol, Jonida Beqo, thekson se dashamirësit e artit do të kenë mundësi që të ndjekin veprat më të mira bashkëkohore të cilat do të vihen në skenë nga artistët shqiptarë. “Aktualisht jemi duke bërë ribrendimin e Metropolit si një teatër urban, që i përgjigjet nevojave intelektuale dhe estetikës që ka Tirana sot, duke i ofruar publikut të kryeqytetit, vepra që shihen në Londër, Berlin a Neë York. Mënyra se si publiku ynë po avancon dhe aksesi që ka në njohuri, meriton t’i demonstrojmë vepra bashkëkohore, të servirura në mënyrë cilësore, që i shërbejnë një komuniteti të larmishëm në moshë, prejardhje apo botëkuptime. Teatri “Metropol” është duke krijuar një identitetit të ri, që lidhet me identitetin e qytetit”, shprehet Beqo.
Por një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe vënies në skenë të veprave shqiptare. Për këtë qëllim, në datat 1-5 nëntor, do të mbahet festivali i dramës shqipe “MetroFest”. “Këtë edicion të parë vendosëm që të hulumtonim disa nga veprat shqiptare të arkivave, të cilat për një arsye ose një tjetër nuk e kanë prekur kurrë skenën. Fokusi ynë, është te krijimi i një marrëdhënie të shëndetshme me veprën shqiptare. Nuk do të jetë një festival garues. Është një çështje që kërkon goxha balance, pasi nga njëra anë, kërkon inkurajimin e veprës shqiptare dhe nga ana tjetër të punohet cilësisht”, shpjegon Jonida Beqo. Veprat do të ngjiten për herë të parë në skenë dhe janë të panjohura për publikun, të nxjerra nga arkivi i Bibliotekës Kombëtare dhe arkiva e teatrit Metropol. Veprat e përzgjedhura për t’u vënë në skenë janë “Loja e Mbasdrekës” nga Martin Camaj, e cila do të vihet në skenë nga Shkëlzen Berisha, vepra e dytë është “I biri I Begut”, vepër e shkruar nga Milo Duçi dhe me regji nga Joana Omeraj si dhe vepra e ndaluar e Shpëtim Ginës me titull “Armiqtë” që do të vihen në skenë nga Xhuljano Brisku. Gjithashtu do të sillen në skenë vepra shqiptare të realizuara nga teatër të tjerë si “Tre Dhëndurët” e Dionis Bubanit, apo edhe lexime veprash, ndër të cilat dhe “Foleja Kombëtare” e Lumo Skëndos. Vec shfaqjeve për të rritur, Teatri “Metropol” do të realizojë shfaqjen “Don Kishoti” për fëmijë, shfaqje me kukulla si dhe “Romeo e Zhuljeta” për të rinj. “Hekuba” projekt i kompanisë teatrale Laminare, nga Bolonja të cilët kanë zgjedhur teatrin Metropol për të organizuar në mesin e muajit tetor një ëorkshop me artistët shqiptarë.
Premierat e Teatrit “Metropol” nuk do të vihen vetëm në skenat e teatrit, por edhe jashtë saj, duke synuar që të jenë pranë publikut të gjerë dhe të gjallërojnë jetën artistike në kryeqytet. “Teatri është një eksperiencë e gjallë dhe fluide. Është marrëdhënia, që artistët kanë me publikun dhe anasjelltas, jo marrëdhënia me një godinë specifike. Ndaj Teatri “Metropol”, do të dalë jashtë dyerve të tij. Për të qenë sa më pranë publikut është i rëndësishëm ribrendimi dhe prezenca jonë si me shfaqje brenda hapësirave fizike të teatrit, po aq edhe me shfaqje pranë publikut”, shprehet drejtoresha”, Jonida Beqo.
Gjithashtu, përmes platformës “Edukojmë me teatër”, Teatri “Metropol” është i vetmi në Shqipëri që po punon edhe për edukimin e të rinjve dhe afrimin e tyre me artin. Specialistët e Metropol japin orë teatri në dy prej shkollave të kryeqytetit.
Vënia në skenë e veprave teatrore shqiptare dhe botërore me nivel të lartë artistik, ka sjellë dhe rritjen e numrit të atyre që preferojnë të ndjekin shfaqjet artistike në teatër. Në këto dy vite të suksesshme në Teatrin “Metropol”, numri i spektatorëve ka arritur në 67 000, ndërsa janë dhënë 27 premiera, përfshirë këtu shfaqje për të rritur, të rinj, fëmijë si dhe tre koncerte.
ma.me