Nga Dafina Halili/
Bekim Gashi pagoi një shishe uji te dyqani i pompës së benzinës dhe teksa kthehej tek dera, sytë i ndeshën një fytyrë të njohur. E mblodhi veten, shpërfilli përshëndetjen dhe doli nga dyqani.
Takimi i padëshiruar dy vite më parë, në një prej pikave të zakonshme të ndalesës diku afër Nishit në Serbi, vetëm se u shtua në radhën e gjatë të kthesave të fatit, që Gashi ka përjetuar gjatë jetës së tij të trazuar. Ai ishte duke u kthyer në Prishtinë, ndërsa udhëtari tjetër Pavle Gavrilović, po kthehej në shtëpinë e tij në qytetin jugor të Serbisë, Leskovac.
Viteve të fundit, Gashi u detyrua të përsosë shkathtësitë e vetëkontrollit. Çfarëdo shpërfaqje tjetër, përveç shpërfilljes, do ishte si mposhtje për të, do ishte shenjë që ai po binte pre e provokimit të Gavrilović-it. Por, Gashi ende nuk mund ta largojë frustrimin që pati kur e pa Gavrilović-in duke u sjellë krejt miqësisht. Për të, ishte bërë e tepërt tanimë të përballej me të – e sidomos, duke ditur që kjo ishte hera e dytë atë ditë.
Hera e parë, disa orë më herët, ishte kur Gashi dhe Gavrilović qëndruan ballë për ballë në gjykatoren e Beogradit, në Dhomat për Krime Lufte të Gjykatës së Lartë në Beograd: Gashi si dëshmitar e viktimë në procesin gjyqësor që njihet si ‘Rasti Tërnje’, ndërsa Gavrilović si një prej të akuzuarve për krime lufte.
“Askush nuk duhet të shpëtojë i gjallë në atë fshat”, pretendohet të ketë thënë Gavrilović para se forcat serbe të futeshin dhunshëm në Tërnje, më 25 mars, 1999. Nëna dhe katër motrat e Gashit u vranë në masakër – të gjitha ende janë të zhdukura.
Në nëntor të 2013-ës, Zyra e Prokurorit për Krime Lufte në Serbi, ngriti padikundër Gavrilović-it dhe Rajko Kozlina për krime lufte kundër popullatës civile. Padia thotë që në atë ditë tragjike marsi, bashkë me anëtarët e tjerë të Batalionit të Logjistikës së Brigadës të Motorizuar 549 të Ushtrisë Jugosllave, ata vranë së paku 27 civilë. Viktimat ishin banorë të fshatit Tërnje dhe fshatrave të tjerë përreth, afër Suharekës në Kosovë, që të gjithë burra të moshuar, gra dhe fëmijë, përfshirë një djalë 4 vjeçar. Si pjesë e rolit që ai pretendohet të ketë pasur në krim, Kozlina akuzohet të ketë qëlluar një burrë të moshuar në kokë, me qëllim që t’u tregojë ushtarëve të tjerë se si duhet vrarë civilët.
Asokohe, Gavrilović ishte komandant i Batalionit të Logjistikës, përderisa Kozlina ishte komandant toger. Gjatë kohës kur u ngrit padia, që të dy ende ishin ushtarë në detyrë në ushtrinë serbe.
Pas ngritjes së padisë, OJQ-ja për të drejtat e njeriut, Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH), paraqiti kërkesë tek ai që atëherë ishte Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Ljubiša Diković – vetë i akuzuar për krime lufte – duke kërkuar prej tij që të suspendojë të akuzuarit për krime lufte nga shërbimi ushtarak, përkitazi me Ligjin e Serbisë për Forcat e Armatosura. Përkundër kësaj, Kozlina vazhdon të jetë pjesë e ushtrisë serbe, derisa Gavrilović u pensionua ndërkohë.
Përjetimi i tmerrit për së dyti
Prej vitit 2013, Gashi ka qenë një prej disa dëshmitarëve okularë që kanë udhëtuar shpesh në Beograd për të dhënë dëshmi në gjykime. Por edhe kur nuk kishte nevojë të jepte dëshmi, Gashi nuk ka munguar në asnjë seancë: për të është e rëndësishme ta dëgjojë çdo dëshmi nga pjesëtarë të ish-forcave serbe, në përpjekje për t’i mbledhur të gjitha informatat që mungojnë në lidhje me masakrën dhe për të mësuar më shumë për atë se çfarë ndodhi me trupat e familjarëve të tij.
“Është udhëtim me plot sfida”, thotë Gashi. “Familjen ma vranë një herë, e mua më vrasin sa herë që shkoj atje. E kam të vështirë t’i dëgjoj duke folur [për masakrën]”.
Por për Gashin, i cili punon në Administratën Tatimore në Prishtinë, edhe fundjavat që i kalon me bashkëshorten dhe fëmijët në shtëpinë e familjes së tyre në Tërnje, nxisin kujtime të vështira.
Shtëpia e Gashit gjendet mes dy shtëpive të tjera që i përkasin familjes së tij të gjerë. Të trija u dogjën dhe u rrafshuan nga forcat serbe në ditën tragjike të masakrës. Shtëpitë e mëdha dhe të rindërtuara me oborre të mirëmbajtura, nuk ngjallin shumë kujtime të së kaluarës traumatike. Vetëm një pemë e madhe e dardhës dhe një bunar i mbijetuan zjarrit, duke qëndruar stoikisht si dëshmitarë të heshtur të tmerrit.
Por sapo të hysh në dhomën e ditës të shtëpisë, fotografitë e varura në mur janë kujtim i zymtë i trishtimit të pafund të Gashit. Nga e majta në të djathtë, pesë portrete e kapin menjëherë vëmendjen në dhomën e madhe: Blerta, 15; Lumturija, 17; Hyra, 57; Selvetja, 27; dhe Luljeta, 31.
Babai i tij ndërroi jetë më 1988 dhe Gashi me dy motrat e tij më të vogla u rritën nga nëna e tyre dhe motrat më të mëdha, duke krijuar kështu një lidhje të thellë ndërmjet tyre.
“Kam përjetuar shumë, por gjithmonë më duket se janë me mua”, thotë Gashi. “Mendoj se janë engjujt e mi mbrojtës”.
Më 22 mars 1999, dy ditë para fillimit të fushatës së bombardimeve nga NATO, që i dha fund luftës në Kosovë, 24 vjeçari Gashi u kthye në shtëpi nga Prishtina, ku po studionte ekonominë brenda sistemit paralel të arsimit të shqiptarëve të Kosovës.
Luljeta, motra më e madhe e cila punonte si mësuese, e inkurajonte atë gjatë momenteve kur e kishte të vështirë të gjente motiv për t’i vazhduar studimet gjatë këtyre kohëve të pasigurta.
“Mos gabo me i lanë studimet!” i thoshte ajo. “Nuk mundet njeriu me e lanë shkollën. Kosova një ditë ka me qenë mirë, e ty ka me t’u dashtë edukimi”.
Në mbrëmjen kur filluan bombardimet e NATO-s, nëna dhe motrat e Gashit u munduan ta bindin që të ikte dhe të kërkonte strehim diku tjetër, sepse si burri i vetëm në shtëpi, mendonin që ai do të ishte i pari që do të shënjohet nga forcat serbe.
“Duhet të largohesh nga shtëpia”, kujton t’i kenë thënë ato. “Ata nuk i bëjnë send grave. Ne mund të rrimë vet”.
Derisa aeroplanët e parë të NATO-s fluturonin në qiell në mbrëmjen e 24 marsit, ai hëngri me familjen e tij për herë të fundit.
“Është luftë. Kushdo që mund të ikë duhet të ikë dhe të mbijetojë disi”, kishte thënë nëna e tij duke shikuar lajmet dhe duke e pritur të ardhmen e pasigurt. “Mos kërkoni shpëtim prej të tjerëve, thjesht kujdesuni për vete. Kushdo që jeton, jeton”.
Gashi i kaloi orët e para të mëngjesit i zgjuar me dy motrat e tij më të mëdha, duke shikuar me radhë në dritare për të parë mos po vijnë forcat serbe. Pastaj në agim, kur qielli i natës filloi të ndritej, Luljeta doli jashtë në ballkon për të marrë drunj për zjarr. Kur shikoi lart, e tmerruar pa se në kodrën përballë shtëpisë kishte plot burra me uniforma.
“Jemi të rrethuar prej ushtarëve nga të gjitha anët!” bërtiti ajo.
Sipas dëshmitarëve nga gjykimi i Slobodan Milošević-it në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi (TPNJ), Batalioni i Logjistikës arriti në kodrën mbi Tërnje rreth orës 4 të mëngjesit dhe e drejtoi armën kundërajrore me tri tyta në drejtim të fshatit. Dukej se të gjitha operacionet ishin ekskluzivisht ushtarake, pasi që vetëm një polic – i cili e njihte terrenin – iu bashkua togës, që përbëhej prej 100 ushtarëve.
Gavrilović thuhet të ketë pyetur se a ishin të gatshëm ushtarët për të vepruar, para se të bënte me dorë drejt Tërnjes, duke u sinjalizuar atyre që operonin me armën kundërajrore që ta sulmonin fshatin.
Në mesin e zhurmës së granatave të artilerisë së rëndë, pesë gratë shkuan për t’u strehuar në shtëpinë e xhaxhait në të majtë, ku ishin strehuar kryesisht gra dhe fëmijë të familjes dhe të tjerë që ishin zhvendosur brenda vendit. Gashi me burrat shkuan nëpër rrugën e vogël të fshatit deri në shtëpinë e tretë të familjes. Shumë shpejt, ai e pa ushtrinë duke ardhur poshtë kodrës dhe duke djegur gjithçka që shihnin: traktorë, oborre dhe shtëpi.
Në TPNJ, dëshmitari i mbrojtur K-41 – një rekrut i ushtrisë jugosllave –kujtoi se si ushtarët i vunë zjarrinnjë mullari, para se të hynin në shtëpi dhe t’i digjnin ato një nga një, deri sa fshatarët bënë përpjekje për të ikur. Më pas ai kujtoi se si Kozlina e urdhëroi një ushtar ta qëllojë me armë një burrë të moshuar.
“Nuk mund ta bëj”, thuhet të jetë përgjigjur ushtari, e më pas Kozlina e vrau burrin duke e qëlluar me plumb në kokë,duke thënë, “Kështu bëhet”.
Pasi erdhi në shtëpinë ku ishin motrat dhe nëna e Gashit, K-41 kujton se i pa perdet në njërën prej dritareve duke lëvizur. Ata hynë në shtëpi me forcë dhe i detyruan të gjithë të dalin në oborr duke ua drejtuar pushkët. Kozlina pastaj thuhet ta ketë dhënë urdhërin për t’i vrarë të gjithë.
Në mes të shkrepjeve kaotike, Gashi disi arriti të ngjitet në kulm. Pamjet që i pa i mbetën në kujtesë për gjithë jetën: Trupat e katër motrave të tij dhe të tjerëve që po strehoheshin në shtëpinë e xhaxhait ishin të shtrirë e të shpërndarë në oborr. Nëna e tij, ende në këmbë, bëri disa hapa dhe kërkoi ujë, para se të rrëzohej në tokë.
Nëna dhe motrat e Gashit ishin në mesin e 16 personave të vrarë në atë oborr. Trupat e tyre nuk u gjetën kurrë.
Nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999, në zonat e kontrolluara nga Brigada e Motorizuar 549 e Ushtrisë Jugosllave – përfshirë zonat rreth Prizrenit, Gjakovës, Rahovecit dhe Suharekës – 2,174 civilë shqiptarë të Kosovës u vranë nga forcat serbe. Presidenti i Republikës Federative të Jugosllavisë në atë kohë, Slobodan Milošević, e dekoroi Brigadën e Motorizuar 549 me Urdhërin e Heronjve të Popullit për mbrojtje heroike të vendit.
Gashi arriti t’u ikë forcave serbe, por 22 familjarë të tij u vranë atë ditë. “Mendoj se i kisha shtatë shpirtëra”, tha ai.
Deri në qershor 1999, kur forcat serbe u tërhoqën nga Kosova dhe u shënua fundi i luftës, Gashi lëvizi prej malit në mal, duke kaluar lumenj dhe fshatra për të ikur nga forcat serbe. Ai u kthye në shtëpi pas 11 javëshpër t’i varrosur trupat. Por, ai e gjeti vetëm shaminë e nënës së tij dhe një palë këpucë të njërës prej motrave të tij. Atij i kishin thënë se forcat serbe i kishin dërguar trupat në një vend të panjohur.
Gashi në heshtje shkon në bodrum dhe kthehet në oborr me një valixhe të vjetër të pluhurosur. Ngadalë, ai e merr shallin ngjyrë bezhë dhe këpucët. Nuk e ka hapur kurrë më parë, për shkak të dhimbjes dhe barrës që donte ta mbante për vete.
“Kurrë nuk i kam thënë askujt që e kam këtë”, thotë ai, plot emocion. “Nuk dua t’ua përçoj dhimbjen të tjerëve”.
Kërkimi për informata dhe drejtësi
Në javët, muajt dhe vitet që pasuan, fiksimi i Gashit me gjetjen e trupave të familjarëve të tij bëri që ai të udhëtonte mijëra kilometra nëpër Kosovë gjatë dhjetëra udhëtimeve. Në korrik 1999, ai ishte i pranishëm në gërmimin e varrezës masive në fshatin Breznë të Dragashit, për të parë nëse mbetjet mortore të gjashtë viktimave nga masakra e Tërnjes i përkisnin më të dashurve të tij – por nuk ishin.
Në 18 raste të tjera, ai e bëri udhëtimin 200 kilometërsh deri në Merdare dhe më pas përsëri në shtëpinë e tij. Këtu, në kufirin Kosovë-Serbi, familjarët e personave të zhdukur prisnin sa herë Serbia i kthente trupat e civilëve shqiptarë të Kosovës pasi ishin zhvarrosur nga varrezat masive në Serbi.
Në një rast, Gashi u takua në Merdare me drejtorin ekzekutiv të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj. Ky takim e bindi qëta çojë luftën e tij deri te sistemi i drejtësisë në Serbi dhe të bëjë përpjekje për t’i sjellur para gjyqit autorët e krimeve, duke i hyrë shtegut të gjatë të pritjes për drejtësi.
Shumë shpejt, Gashi u njoftua me Nataša Kandić-in, themeluesen e FDH në Serbi, e cila ka dokumentuar krimet e rënda gjatë luftës në Kosovë dhe ka përfaqësuar viktimat para gjykatave serbe.
Pasi morën dëshmi nga dëshmitarët okularë, dokumentet shtetërore dhe të dhënat e TPNJ-së, në maj 2008, FDH e dorëzoi një kallëzim penal kundër 11 individëve, përfshirë këtu Pavle Gavrilović dhe Rajko Kozlina, për krimet e kryera në Tërnje. Ishin kryesisht anëtarë të Brigadës së Motorizuar 549, por përfshiu edhe anëtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë, që sipas FDH vepruan në përputhje me një plan dhe marrëveshje të paramenduar për t’i kryer këto vrasje. Kështu ata u bënë penalisht përgjegjës për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullsisë civile.
FDH thekson se dispozitat e ligjit penal ndërkombëtar e rregullojnë përgjegjësinë individuale penale të autorëve të drejtpërdrejtë të krimeve, komandantëve ushtarakë të tyre dhe liderëve politikë që e urdhëruan autorizimin e krimeve. Ligji humanitar ndërkombëtar përfshin gjithashtu parimin e përgjegjësisë së komandës, sipas së cilës edhe mbikëqyrësit që dështojnë t’i ndërmarrin masat e nevojshme për parandalimin e autorizimit të krimeve, apo për t’i dënuar autorët e krimeve, duhet të mbajnë përgjegjësi.
Autoritetet e drejtësisë në Serbi ende nuk e kanë zbatuar parimin e përgjegjësisë së komandës në asnjë rast të krimeve të luftës nga vitet e 90-a.
Kallëzimi penal e përfshiu edhe Božidar Delić-in, komandantin e Brigadës të Motorizuar 549. Megjithatë, kur Prokurori i Krimeve të Luftës më në fund e ngriti padinë, në të ishin të përfshirë vetëm Kozlina dhe Gavrilović, ndërsa Delić u bë dëshmitar i mbrojtjes në këtë gjykim.
“Është… problematike në këtë rast, sepse edhe Delić, i cili është përgjegjës për njësitin e tij dhe krimet e kryera nga anëtarët e njësiteve të tij, duhet të paditet për krimet”, thotë Ivana Žanić nga HLC-Serbia. “Mendoj se Prokurori i Krimeve të Luftës nuk e hetoi përfshirjen e tij në këto krime, sepse nuk dëshiron ta hetojë përgjegjësinë e komandës, vetëm autorët e drejtpërdrejtë të krimeve”.
Žanić thotë se vërehet një ngurrim për t’i hetuar zyrtarët e lartë, për shkak të arsyeve politike. “Disa prej tyre ende janë në pozita të larta në institucione”, thotë ajo. “Për shembull, Ljubiša Diković, deri para një muaji ishte komandant i ushtrisë tonë. Pra gjithçka është e qartë”.
Padia e Prokurorisë erdhi pesë vjet pasi FDH e dorëzoi kallëzim penal dhe më shumë se një dekadë pasi informatat për autorët e krimeve ishin bërë publike në vitin 2002.
Nga fillimi, ky gjykim është karakterizuar me vonesa. Seanca e parë paraprake u mbajt në prill 2014, ndërsa gati edhe një vit kaloi deri sa u planifikua seanca e parë gjyqësore, në shkurt 2015. FDH thotë se pesë seancat gjyqësore të radhës u vonuan me justifikimin se gjykatësi ishte i sëmurë dhe se palët e dëmtuara nuk u paraqitën në gjykatë për shkak se gjykata u kishte dërguar me vonesë ftesat për të dëshmuar dhe se njëri nga të akuzuarit, Kozlina, po ballafaqohej me probleme shëndetësore. Gjatë katër viteve prej ngritjes së padisë, vetëm nëntë ditë të gjykimit janë mbajtur nga 22 ditë të planifikuara.
Në 2017, FDH e dorëzoi një ankesë kushtetuese në emër të viktimave në rastin Tërnje për shkeljen e të drejtës së tyre për gjykim brenda një afati të arsyeshëm kohor. Kjo ankesë, ende po shqyrtohet.
“Nuk është mirë për viktimat, sepse nuk kanë besim në sistemin e drejtësisë në Serbi, në gjykimin dhe gjithçka që lidhet me të”, thotë Žanić.
Sipas kumtesës për media të HLC-së, rasti Tërnje është “paradigmë e gjykimeve të krimeve të luftës në Serbi”; të gjithë personat e akuzuar e mbrojnë veten në liri, ndërsa seancat planifikohen me intervale të gjata në mes të muajve. Gjithashtu, theksohet se numri i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe natyra e rëndë e tyre, si dhe numri i autorëve të këtyre krimeve që tani janë duke jetuar në Serbi, është krejtësisht në mospërputhje me numrin tepër të ulët të padive të ngritura deri më sot.
Me gjithë kompleksitetin e krimeve të kryera në Tërnje dhe me kalimin e gati dy dekadave pa informata rreth asaj se çfarë i ndodhi trupave të më të dashurve të tij, Gashi ende e ka një ndjenjë të pritjes sa herë udhëton për një seancë të tillë. Në plot raste është kthyer i zhgënjyer, pasi që seancat nuk janë mbajtur.
Në ambientin e çuditshëm ku viktimat dhe autorët e krimeve janë përballë njëri tjetrit, Gashi ende e përjeton çdo detaj kur disa prej dëshmitarëve i ritregojnë faktet e krimeve dhe ndjen zemërim kur dëshmitarët e tjerë i mohojnë ato.
“Asnjëherë nuk e kam menduar se do të jetë gjykim i drejtë, ose që do të dënohen ashtu siç e meritojnë”, thotë Gashi. “Edhe nëse dënohen me burgim të përjetshëm, kurrë nuk do të ndjej qetësi deri sa t’i gjej [familjarët e mi]. E nisa këtë udhëtim me shpresën se do të gjej diçka. Pjesa më e vështirë është kur kthehem në shtëpi nga Beogradi dhe fëmijët e hapin derën dhe më pyesin, ‘A i gjete?’”