Një nga historianët më të rëndësishëm të financave botërore beson se marrëveshja aktuale mes Greqisë dhe kreditorëve do të sjellë më shumë vuajtje dhe mjerim dhe në fund, dalje të Greqisë nga eurozona.
Nga Barry Eichengreen
Çfarëdo që të mendosh mbi taktikat e kryeministrit Alexis Tsipras dhe qeverisë së tij në bisedimet me kreditorët e vendit, populli i Greqisë meriton më shumë se sa çfarë u është ofruar atyre. Gjermania dëshiron që Greqia të zgjedhë mes kolapsit ekonomik dhe daljes nga eurozona. Të dyja opsionet do të sjellin katastrofë ekonomike; opsioni i parë, dhe ndoshta edhe i dyti, do të jetë gjithashtu shkatërrimtar politikisht.
Kur unë shkrova më 2007 se asnjë vend anëtar nuk do të dalë vullnetarisht nga eurozona, unë theksova kostot e larta ekonomike të një vendimi të tillë. Qeveria e Greqisë ka treguar se e kupton këtë. Pas referendumit, ajo ra dakord me atë që ajo vetë – dhe votuesit – e patën refuzuar: një seri kushtesh të dhimbshme dhe të vështira. Tsipras dhe ministri i tij i ri i financave, Euclid Tsakalotos, shkuan shumë përtej për të zbutur kreditorët e Greqisë.
Por kur unë dola në përfundimin se asnjë vend nuk do të largohet nga eurozona, nuk e pata imagjinuar se në fakt Gjermania do të shtyjë një vend tjetër anëtar drejt daljes. Kjo, dukshëm, do të jetë efekti i kushteve politikisht të patolerueshme dhe ekonomikisht perverse të vëna nga ministria e financave të Gjermanisë.
Ideja e ministrit të Financave të Gjermanisë Ëolfgang Schäuble për një “dalje” të përkohëshme nga euro është halucinante. Duke parë ekonominë në kolaps të Greqisë dhe krizën në rritje humanitare, qeveria nuk do të ketë zgjidhje tjetër, nëse nuk ka marrëveshje, përveçse të prodhojë para për të financuar shërbimet shoqërore bazë. Është e pakonceptueshme që një vend në telashe të tilla të jetë në gjendje të plotësojë kushtet për rikthim në euro – inflacion më të ulët 2 për qind dhe kurs mesatar këmbimi të qëndrueshëm për më shumë se dy vjet – asnjëherë nga tani deri në fund të dekadës. Nëse Grexit ndodh, ajo nuk do të jetë një periudhë pushimi; do të jetë dalje në pension.
Herët mëngjesin e së hënës, udhëheqësit e Europës ranë dakord të heqin referencën për këtë “dalje të përkohëshme” nga deklarata e marrëveshjes më të fundit për paketën e shpëtimit. Por kjo derë, pasi u hap një herë, nuk do të jetë e lehtë të mbyllet. Eurosistemi është bërë më i dobët dhe i rrezikuar nga destabilizimi. Ministrat e tjerë të financave të Europës do të duhet të përgjigjen për faktin që ranë dakord t’i dërgojnë udhëheqësve të tyre draftin paraprak që përmbante gjuhën shkatërrimtare të Schäuble.
Ekonomikisht, programi i ri ekonomik është pervers, për shkak se ai do ta zhysë Greqinë edhe më thellë në depresion. Ai parashikon rritjen e mëtejshme të taksave, shkurtimin e mëtejshëm të pensioneve dhe zbatimin e shkurtimeve automatike të shpenzimeve në rast se objektivat fiskale nuk realizohen. Por ai nuk ofron asnjë bazë për rimëkëmbje apo rritje ekonomike. Ekonomia e Greqisë është sakaq në rënie të lirë dhe reformat strukturore më vete nuk do ta ndalojnë këtë spirale për poshtë.
Marrëveshja vijon të kërkojë surpluse primare të buxhetit (pa pagesat e interesave), surpluse që duhet të rriten në 3.5 për qind të PBB-së në vitin 2018, gjë që do ta përkeqësojë rënien e Greqisë. Riprofilizimi i borxhit të vendit, gjë që nënkuptohet në marrëveshje, nuk do të bëjë asgjë për të përmirësuar situatën për shkak se pagesat e interesave janë sakaq minimale deri në fund të dekadës. Ndërsa depresioni thellohet, objektivat buxhetore nuk do të arrihen, duke shkaktuar shkurtime të mëtejshme të shpenzimeve dhe duke përshpejtuar kontraktimin ekonomik.
Në fund, marrëveshja do të sjellë daljen e Greqisë nga eurozona, qoftë për shkak se kreditorët do të tërheqin mbështetjen e tyre pasi objektivat fiskalë të mos realizohen, ose për shkak se populli grek do të rebelohet. Shkaktimi i daljes është në mënyrë transparente qëllimi i Gjermanisë.
Në fund, fondi i privatizimeve në qendër të programit të ri nuk do të bëjë asgjë për të nxitur reformën strukturore. Po, Greqia duhet të privatizojë sipërmarrjet publike ineficente. Por qeverisë së Greqisë i është kërkuar të privatizojë me një pistoletë në kokë. Privatizimi me çmime të ulëta, ku shumica e të ardhurave do të përdoren për të paguar borxhin, nuk do t’i vënë parlamentarët e Greqisë apo publikun në kushtet e duhura për të ecur me entuziazëm drejt reformave strukturore.
Greqia meriton më shumë. Ajo meriton një program që respekton sovranitetin e vet dhe i lejon qeverisë të ngrejë besueshmërinë e vet me kalimin e kohës. Ajo ka nevojë për një program të aftë për të stabilizuar ekonominë në vend që ta çojë atë drejt vdekjes. Ajo meriton mbështetjen nga BQE për të mundësuar që ajo të mbetet anëtar i eurozonës.
Edhe vetë Europa meriton më shumë. Vendet e tjera europiane nuk duhet me vetëdije të plotë të pranojnë këtë program politikisht shkatërrimtar dhe ekonomikisht pervers. Ata duhet t’i rikujtojnë vetes se Greqia mori shumë ndihmë nga partnerët e vet Europianë para se të mbërrinte në këtë pikë. Ata duhet të vijojnë të shtyjnë për një marrëveshje më të mirë.
Këto partnerë nuk duhet të lejojnë që projekti Europian të sakrifikohet në altarin e opinionit publik të Gjermanisë apo këmbënguljes së udhëheqësve të Gjermanisë për “rregulla.” Nëse qeveria e Gjermanisë refuzon të shohë dritën, të tjerët do të duhet të gjejnë një rrugë përpara pa të. Solidariteti franko-gjerman do të dëmtohet në mënyrë të paripatueshme por solidariteti franko-gjerman nuk është i vlefshëm për asgjë në rast se mund të prodhojë një marrëveshje të tillë.
E fundit dhe jo e parëndësishme është që publiku i Gjermanisë meriton më shumë. Gjermanët meritojnë një udhëheqës që qëndron bindshëm përballë ekstremizmit, në vend që ta nxisë atë, qoftë në shtëpi, qoftë jashtë vendit. Ata meritojnë një Europë që mund të luajë një rol më të madh në çështjet botërore. Mbi të gjitha, duke parë arritjet trullosëse politike dhe ekonomike të Gjermanisë që nga Lufta e Dytë Botërore, ata meritojnë admirimin dhe respektin e europianëve të tjerë, jo pakënaqësitë e rigjallëruara dhe dyshimet.
BIRN