Funddhjetori pritet të sjellë Festivalin e 58-të. Ky eveniment i përvitshëm i këngës së lehtë ka bërë bashkë emrat më të rëndësishëm të botës së spektaklit, që nën drejtimin e regjisores Vera Grabocka do t’i shtojnë magjinë festive dhjetorit.
Ndaj, ‘Fest 58’ ishte edhe një nga temat e trajtuara në “Java në RTSH”, ku protagonistë të festivalit sollën edhe risitë e këtij viti në panelin me drejtuesit Preç Zogaj dhe Lorenc Vangjeli.
Drejtuesja e “Fest’ 58”, Alketa Vejsiu, u ndal ne promovimin që ky eveniment i bën vendit.
“Ndihem e keqardhur që bëmë xhiron e botës për tërmetin. Shqipëria ka anën e saj të bukur për të cilën meriton vëmendje, siç ështe edhe muzika e lehtë dhe ky festival do të sjellë më të mirën”, tha Vejsiu.
Prezantuesja e njohur solli një fakt të rrallë për skenën e festivalit kombëtar. Ajo tha se në 58 vite jetë, ky festival do të prezantohet për herë të parë nga një femër e vetme.
“Ka një mungesë në kujtesën tonë kolektive për t’i përkrahur njerëzit e aftë që punojnë. Po të marrim rastin e Vera Grabockës, që është njeri që unë e njoh shumë mirë në dimensionin e saj njerëzor dhe profesional, mendoj që drejtori i RTSH ka bërë zgjedhjen e duhur që na ka besuar festivalin. Unë ndihem e privilegjuar që do të jem e para vajzë që në 58 vite do ta drejtoj e vetme festivalin. Pra pa një partner në krah” – tha Vejsiu.
Ajo zbuloi se festivali do të ketë elementë spektakolarë si rralë edicione.
Vejsiu surprizoi teksa u pyet për pagesën si drejtuese e “Fest’ 58”. Ajo tha në studion e emisionit “Java në RTSH” se nuk do të paguhet asnjë qindarkë.
Kryetari i jurisë, Zhani Ciko, shprehu keqardhjen e tij për debatet mbi “Fest’ 58”, teksa hodhi dritë rreth aktivitetit.
“Ne jemi mësuar që të kemi një post-festival. Këtë vit patëm një anti-festival. Konkurrentët duhet të kuptojnë se gjykimet e jurisë janë të pakontestueshme në çdo vend të botës. Pasi që në momentin që je paraqitur para jurisë, ti ke pranuar të gjykohesh prej saj. Këtë vit, juria në përberje ka personalitete nga shumë fusha të jetës”, tha Ciko.
Ndërkohë që fituesja e një viti më parë solli eksperiencën e saj. Jonida Maliqi tha në studio se përfaqësimi që i bëri Shqipërisë në Eurovision, ishte kulmi i karrierës së saj.
“Performanca live të bën padyshim më të pranishëm në publik, aq më tepër që unë pata nderin të interpretoj para publikut europian”, tha Maliqi.
Për udhëheqësin artistik të orkestrës, Florent Boshnjaku, festivali në RTSH vlen për këngëtarët si një shkollë më shumë.
“Ka njerëz që kanë punuar për dekada të tëra që ne të kemi këte festival dinjitoz sot”, shtoi ai.
Boshnjaku u ndal edhe te situata pas tërmetit, teksa shprehu keqardhjen e tij që fundviti i gjen shqiptarët nën ketë atmosferë. Por ai pati edhe një sugjerim.
“Ky festival duhet të jetojë gjatë me moton: Jeto për të kënduar”, u shpreh Boshnjaku.