Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, deklaron se opozita duhet të kalojë në forma më të forta reagimi ndaj qeverisë, nëse mazhoranca tenton të miratojë reformën territoriale.
I ftuar në emisionin “Ditari i Fundjavës” me Denisa Pashollin në A2CNN, Korreshi u shpreh se, sipas tij, një prej alternativave mund të jetë ngujimi i deputetëve në Parlament, apo greva e urisë.
Korreshi vuri në dukje se ka mbajtur një qëndrim të ashpër që në nisje të legjislaturës, duke kujtuar se kishte kërkuar ngujimin në Kuvend si formë proteste. Sipas tij, reforma territoriale do të ndikojë te 15 bashki dhe te ofrimi i shërbimeve për qytetarët. Ai e akuzoi mazhorancën se ndryshimet bëhen për efekt elektoral.
“Unë kam qenë i linjës së ashpër që në fillim, që në seancën e parë të kësaj legjislature, ku shoku Niko s’na la të bënim fjalët tonë, ku secili të fliste. Që atëherë kërkova që të ngujoheshim atje derisa të rikthehej seanca”, tha Korreshi.
Ai shtoi se opozita duhet të mbështesë edhe protestën që vijon prej më shumë se 100 ditësh dhe deputetët duhet të jenë në vijën e parë të frontit.
“Unë mendoj që duhet të kalojmë në veprime më të forta. Të mbështesim patjetër edhe protestën që ka një qind e kusur ditë, që vazhdon, dhe patjetër na takon edhe ne deputetëve që të dalim në vijën e parë”, u shpreh Korreshi.
“Përtej protestave që duhet të jenë, në rast se do tentojë PS ta kalojë këtë nismë ligjore, ne duhet të ngujohemi”, paralajmëroi deputeti demokrat.











