Shtatë vite më parë, në Teatrin Kombëtar, njerëzit nuk pyesnin as për titullin e as për zhanrin e shfaqjes, u mjaftonte që në të ishte Roland Trebicka. Sot, 7 vite më pas, pyesin për të gjitha, për t’u siguruar që në të ka qenë Roland Trebicka.
Por shfaqja është po ajo, “Të gjithë me huqe”, me regji të Gëzim Kames. Këtë herë, komedia do të zhvendoset në Teatrin “Kame”, në Ibë ku, prej kohësh, aktorët kanë nisur provat. Trupa e aktorëve në vitin 2009 përbëhej nga Roland Trebicka, Viktor Zhusti, Raimonda Bulku, Olta Daku, Ermela Teli dhe Genc Fuga.
Paralelisht me shfaqjen, aktorja Bulku mori mandatin e deputetes, prandaj edhe vendosi të tërhiqet nga teatri. Sot, është rikthyer në po atë rol që dikur e pati marrë Erjona Kakeli. Ndërsa Olta Daku nuk është më pjesë e “Huqeve”, vendin e saj e ka zënë Kakeli, pra ka pasur një zhvendosje brenda karaktereve. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Genc Fugën që këtë herë ka përgjegjësinë e madhe të zëvendësojë Roland Trebickën. Aktorët që i janë shtuar kësaj shfaqjeje janë Lulëzim Zeqja dhe Elia Zaharia.
Me atë që pamë gjatë provave, të dy këta të fundit, nga pikëpamja humoristike, i kishin dhënë një dimension tjetër shfaqjes, duke i bërë huqet e të 6-ve më “tokësore”. Duhet thënë se, qoftë Zaharia, qoftë Zeqja, kanë pasur role të vlerësuara kohët e fundit (dhe jo vetëm) në teatër, kështu që kjo nuk ka qenë zgjedhje e rastësishme e regjisorit. Krejt ndryshe, por njësoj mirë nga personazhi i shkuar, vjen edhe Erjona Kakeli bashkë me manitë e saj për të kontrolluar çantën.
Zhusti e Bulku janë komodë në “karriget” e tyre dhe kjo ndihet edhe në interpretim, pasi asgjë nuk ka ndryshuar me personazhet e tyre. I vetmi që mund të ketë më tepër “ethe” se të tjerët është Genc Fuga, që do të veshë të njëjtat rroba të të ndjerit Trebicka. Kjo është arsyeja pse zgjodhëm të flisnim pikërisht me të, për të na treguar “frikërat” e interpretimit.
Kërkuam gjithashtu Viktor Zhustin, si aktorin më afër tij e me të cilin Trebicka ndau më shumë shfaqje. Bashkë me regjisorin Kame, ky homazh për Roland Trebickën, premiera e të cilit vjen në Teatër “Kame” më 6 maj, plotëson gjendjen e një aktori të munguar…
Te “Të gjithë me huqe” ju i jeni rikthyer skenës pas një mungese më shumë se 20- vjeçare. Do të kishit pranë atë që të gjithë e konsiderojnë aktorin më të mirë të komedisë dhe kjo mund t’ju krijonte njëlloj ngërçi… Si ishte bashkëpunimi?
Të them të drejtën, kur kam marrë përsipër rolin në vitin 2009, prej mungesës së gjatë, më dukej vetja si një fëmijë pa ekuilibër. Ju pata thënë të gjithë kolegëve, që nëse shihnin apo kishin një vërejtje, të ma bënin. Këtë ia kërkova sidomos Rolandit, për të cilin pata edhe një lutje tjetër; meqenëse provat zyrtare fillonin në orën 10 në mëngjes, por unë isha i pasigurt, doja të vija me të, të përsërisnim mizanskenat, që në 8:00. As që e mendoi dy herë për të më thënë po, dhe ashtu bëmë çdo ditë.
Ndërsa sot, pas 7 vitesh, si ju duket e njëjta shfaqje pa të?
Kjo shfaqe merr vlera të veçanta jo vetëm pse u prit shumë mirë prej publikut në atë kohë dhe u vu në skenë më shumë se 30 herë, por edhe sepse gjatë kësaj kohe ne humbëm mikun e kolegun tonë të shtrenjtë. Në një mënyrë, shfaqja nuk ka se si të jetë e njëjta, por nga ana tjetër, të gjithë ne, përveçse kishim kënaqësinë të rivinim, e ndjenim për detyrë ndaj kujtimit të Rolandit. Këto gjëra duhet të bëhen më shpesh, pra kujtimet të jenë konkrete e të mos ngelen vetëm brenda një fotografie apo një videoje, apo filmi që ka mbetur i regjistruar. Pra, nevojitej një ringjallje konkrete.
Po, por teknikisht a ishte lehtësisht e realizueshme kjo gjë? Ju ishit ai që më shumë se të tjerët kishit përballë Rolandin në këtë pjesë dhe përfytyroj që, të paktën në provat e para, të keni pasur “çoroditjet” tuaja…
Është e vërtetë që hija e tij është kudo, është e pashmangshme. Në pjesën e parë të provave ishte pak problem, sepse në çdo situatë a batutë, ne i krahasonim gjërat me atë që kishte bërë Rolandi. Ai jo vetëm në këtë shfaqje, por edhe në të tjerat, thoshte shpesh që pjesa ka autor, por ka edhe aktorë, pra fuste gjithnjë nga vetja në batutat e tij, përshtaste, improvizonte. Po ta vini re, gjejmë në rolet e tij të komedisë gjithmonë pak nga personazhi i Vanit, e ngjyente gjithnjë pak aty kafshatën. Mirëpo, Genci duhet të kishte individualitetin e tij, të cilin mendoj se e ka arritur më së miri, nuk mund t’i referoheshim së shkuarës për gjithçka. Kështu që u bë një përshtatje e mirë për ta bërë punën të ecte.
Nga ana tjetër, përtej marrëdhënies me partnerët në skenë, ju vetë, sa rehatshëm gjendeshit, sepse tani duhet të jetë bërë rutinë, me “sindromën e fjalëve të pista”?
Të them të drejtën ka qenë një gjendje shumë e sikletshme në herët e para, aq sa, pas premierës, unë prisja të ma bënin me gisht. Në jetën e përditshme unë nuk përdor asnjërën prej tyre dhe ndoshta kjo ishte arsyeja e parehatisë. Ndihesha gati si një vajzë e turpëruar, që skuqej e priste reagimet e të tjerëve. Më pas sigurisht që batutat u kthyen në tekst, ti as që e mendoje më se çfarë po thoshe. Por në fillim e kisha vërtet problem. Pas premierës, më pati thënë një mik i imi e i teatrit se ishte nga rastet e rralla që kishte dëgjuar aq shumë fjalë të pista në një shfaqje dhe asnjëra nuk i ishte dukur banale.
Gëzim Kame: Rolandi kishte një huq të madh, ishte maniak i punës
“Nga ana regjisoriale, ajo që i jep freskinë kësaj shfaqjeje janë aktorët e rinj dhe përshtatja e së gjithës, pavarësisht se teksti nuk ka ndryshuar. Roland Trebicka nuk mund të përsëritet, sepse i ka vënë vulën çdo personazhi që ka bërë, kështu që përshtatja është e domosdoshme, edhe sepse secili aktor ka individualitetin e tij.
Njësoj si me personazhet e pjesës, Roland Trebicka kishte një huq të madh në jetë, ishte maniak në detyrat e skenës, kishte një precizion të papërsëritshëm për të përvetësuar gjithçka që i thuhej dhe nëse i ndërhyje, i kishe punët keq. E shqetësonte nëse hiqje apo fusje gjëra të tepërta rrugës; këtë e dinin të gjithë në teatër, sepse ishte maniak i rregullit.
Meqenëse kjo shfaqje po ribëhet për të, vlen të flasim vetëm për të. Kishte një humor brilant si në skenë, si jashtë saj. Sa herë kishim turne a udhëtime të gjata me Rolandin, prisnim me padurim që të niseshim për shkak të batutave e energjisë, me të cilën na mbante zgjuar gjithë natën. Më ka ndodhur edhe që t’i them gjatë provave, mos shpenzo kaq energji, sepse përfshihej njësoj si në shfaqe, si në prova, por ishte e kotë të flisje”.
Genc Fuga: Përgjegjësi e shumëfishtë të zëvendësosh një aktor të madh
“Me Roland Trebickën kemi qenë miq shumë kohë përpara se të bashkëpunonim për ‘Të gjithë me huqe’. Nisi si marrëdhënie profesionale e më pas u kthye në miqësi. Sidomos unë, në këtë homazh, kam përgjegjësi dhe emocione të veçanta. Është e thjeshtë të pranosh një rol kur nuk ke paraardhës, por në rast se publiku e identifikon një rol të caktuar me një aktor tjetër, duhet të jesh në gjendje të përmbushësh pritshmëritë e tij. Ishte sidomos e vështirë të kapërceje atë pjesë të provave kur të gjithë ndërhynin për të thënë “Ay e ka thënë kështu”.
Megjithatë, duhet të them se e vetmja gjë që është krejtësisht identike me Roland Trebickën, është kostumi. Me të tjerat, bashkë me regjisorin, u bë një ripërshtatje, sepse i binte të kopjoja atë dhe jam i sigurt që nuk do ta pëlqente. Nga momenti kur i thashë “po” këtij propozimi e deri në nisjen e provave, bluaja me vete pikërisht këtë gjë: Si do t’ia dilja t’i përcillja emocione të mira spektatorit, pa cenuar figurën e Rolandit?!
Nga teksti nuk ka ndryshuar asgjë, por mënyra e interpretimit është e imja, se si do të vijë, i ngelet publikut për ta gjykuar. Unë e kam shijuar njësoj siç shijonte e qeshte si fëmijë Rolandi me personazhet e tij, sepse humori, njësoj siç ndodhte me të, është një gjë që më pëlqen ta marr e ta jap”.
ANI JAUPAJ/panorama/d.i.