• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Saturday, May 30, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

“Të gjithë me huqe”, kolegët përkujtojnë Roland Trebickën

by Java News
07/05/2016 13:09
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Shtatë vite më parë, në Teatrin Kombëtar, njerëzit nuk pyesnin as për titullin e as për zhanrin e shfaqjes, u mjaftonte që në të ishte Roland Trebicka. Sot, 7 vite më pas, pyesin për të gjitha, për t’u siguruar që në të ka qenë Roland Trebicka.

Por shfaqja është po ajo, “Të gjithë me huqe”, me regji të Gëzim Kames. Këtë herë, komedia do të zhvendoset në Teatrin “Kame”, në Ibë ku, prej kohësh, aktorët kanë nisur provat. Trupa e aktorëve në vitin 2009 përbëhej nga Roland Trebicka, Viktor Zhusti, Raimonda Bulku, Olta Daku, Ermela Teli dhe Genc Fuga.

zhusti trebickaParalelisht me shfaqjen, aktorja Bulku mori mandatin e deputetes, prandaj edhe vendosi të tërhiqet nga teatri. Sot, është rikthyer në po atë rol që dikur e pati marrë Erjona Kakeli. Ndërsa Olta Daku nuk është më pjesë e “Huqeve”, vendin e saj e ka zënë Kakeli, pra ka pasur një zhvendosje brenda karaktereve. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Genc Fugën që këtë herë ka përgjegjësinë e madhe të zëvendësojë Roland Trebickën. Aktorët që i janë shtuar kësaj shfaqjeje janë Lulëzim Zeqja dhe Elia Zaharia.

Me atë që pamë gjatë provave, të dy këta të fundit, nga pikëpamja humoristike, i kishin dhënë një dimension tjetër shfaqjes, duke i bërë huqet e të 6-ve më “tokësore”. Duhet thënë se, qoftë Zaharia, qoftë Zeqja, kanë pasur role të vlerësuara kohët e fundit (dhe jo vetëm) në teatër, kështu që kjo nuk ka qenë zgjedhje e rastësishme e regjisorit. Krejt ndryshe, por njësoj mirë nga personazhi i shkuar, vjen edhe Erjona Kakeli bashkë me manitë e saj për të kontrolluar çantën.

Zhusti e Bulku janë komodë në “karriget” e tyre dhe kjo ndihet edhe në interpretim, pasi asgjë nuk ka ndryshuar me personazhet e tyre. I vetmi që mund të ketë më tepër “ethe” se të tjerët është Genc Fuga, që do të veshë të njëjtat rroba të të ndjerit Trebicka. Kjo është arsyeja pse zgjodhëm të flisnim pikërisht me të, për të na treguar “frikërat” e interpretimit.

Kërkuam gjithashtu Viktor Zhustin, si aktorin më afër tij e me të cilin Trebicka ndau më shumë shfaqje. Bashkë me regjisorin Kame, ky homazh për Roland Trebickën, premiera e të cilit vjen në Teatër “Kame” më 6 maj, plotëson gjendjen e një aktori të munguar…

Te “Të gjithë me huqe” ju i jeni rikthyer skenës pas një mungese më shumë se 20- vjeçare. Do të kishit pranë atë që të gjithë e konsiderojnë aktorin më të mirë të komedisë dhe kjo mund t’ju krijonte njëlloj ngërçi… Si ishte bashkëpunimi?

Të them të drejtën, kur kam marrë përsipër rolin në vitin 2009, prej mungesës së gjatë, më dukej vetja si një fëmijë pa ekuilibër. Ju pata thënë të gjithë kolegëve, që nëse shihnin apo kishin një vërejtje, të ma bënin. Këtë ia kërkova sidomos Rolandit, për të cilin pata edhe një lutje tjetër; meqenëse provat zyrtare fillonin në orën 10 në mëngjes, por unë isha i pasigurt, doja të vija me të, të përsërisnim mizanskenat, që në 8:00. As që e mendoi dy herë për të më thënë po, dhe ashtu bëmë çdo ditë.

prova te gjithe me huqe

Ndërsa sot, pas 7 vitesh, si ju duket e njëjta shfaqje pa të?

Kjo shfaqe merr vlera të veçanta jo vetëm pse u prit shumë mirë prej publikut në atë kohë dhe u vu në skenë më shumë se 30 herë, por edhe sepse gjatë kësaj kohe ne humbëm mikun e kolegun tonë të shtrenjtë. Në një mënyrë, shfaqja nuk ka se si të jetë e njëjta, por nga ana tjetër, të gjithë ne, përveçse kishim kënaqësinë të rivinim, e ndjenim për detyrë ndaj kujtimit të Rolandit. Këto gjëra duhet të bëhen më shpesh, pra kujtimet të jenë konkrete e të mos ngelen vetëm brenda një fotografie apo një videoje, apo filmi që ka mbetur i regjistruar. Pra, nevojitej një ringjallje konkrete.

Po, por teknikisht a ishte lehtësisht e realizueshme kjo gjë? Ju ishit ai që më shumë se të tjerët kishit përballë Rolandin në këtë pjesë dhe përfytyroj që, të paktën në provat e para, të keni pasur “çoroditjet” tuaja…

Është e vërtetë që hija e tij është kudo, është e pashmangshme. Në pjesën e parë të provave ishte pak problem, sepse në çdo situatë a batutë, ne i krahasonim gjërat me atë që kishte bërë Rolandi. Ai jo vetëm në këtë shfaqje, por edhe në të tjerat, thoshte shpesh që pjesa ka autor, por ka edhe aktorë, pra fuste gjithnjë nga vetja në batutat e tij, përshtaste, improvizonte. Po ta vini re, gjejmë në rolet e tij të komedisë gjithmonë pak nga personazhi i Vanit, e ngjyente gjithnjë pak aty kafshatën. Mirëpo, Genci duhet të kishte individualitetin e tij, të cilin mendoj se e ka arritur më së miri, nuk mund t’i referoheshim së shkuarës për gjithçka. Kështu që u bë një përshtatje e mirë për ta bërë punën të ecte.

Nga ana tjetër, përtej marrëdhënies me partnerët në skenë, ju vetë, sa rehatshëm gjendeshit, sepse tani duhet të jetë bërë rutinë, me “sindromën e fjalëve të pista”?

Të them të drejtën ka qenë një gjendje shumë e sikletshme në herët e para, aq sa, pas premierës, unë prisja të ma bënin me gisht. Në jetën e përditshme unë nuk përdor asnjërën prej tyre dhe ndoshta kjo ishte arsyeja e parehatisë. Ndihesha gati si një vajzë e turpëruar, që skuqej e priste reagimet e të tjerëve. Më pas sigurisht që batutat u kthyen në tekst, ti as që e mendoje më se çfarë po thoshe. Por në fillim e kisha vërtet problem. Pas premierës, më pati thënë një mik i imi e i teatrit se ishte nga rastet e rralla që kishte dëgjuar aq shumë fjalë të pista në një shfaqje dhe asnjëra nuk i ishte dukur banale.

Gëzim Kame: Rolandi kishte një huq të madh, ishte maniak i punës

“Nga ana regjisoriale, ajo që i jep freskinë kësaj shfaqjeje janë aktorët e rinj dhe përshtatja e së gjithës, pavarësisht se teksti nuk ka ndryshuar. Roland Trebicka nuk mund të përsëritet, sepse i ka vënë vulën çdo personazhi që ka bërë, kështu që përshtatja është e domosdoshme, edhe sepse secili aktor ka individualitetin e tij.

gezim kame

Njësoj si me personazhet e pjesës, Roland Trebicka kishte një huq të madh në jetë, ishte maniak në detyrat e skenës, kishte një precizion të papërsëritshëm për të përvetësuar gjithçka që i thuhej dhe nëse i ndërhyje, i kishe punët keq. E shqetësonte nëse hiqje apo fusje gjëra të tepërta rrugës; këtë e dinin të gjithë në teatër, sepse ishte maniak i rregullit.

Meqenëse kjo shfaqje po ribëhet për të, vlen të flasim vetëm për të. Kishte një humor brilant si në skenë, si jashtë saj. Sa herë kishim turne a udhëtime të gjata me Rolandin, prisnim me padurim që të niseshim për shkak të batutave e energjisë, me të cilën na mbante zgjuar gjithë natën. Më ka ndodhur edhe që t’i them gjatë provave, mos shpenzo kaq energji, sepse përfshihej njësoj si në shfaqe, si në prova, por ishte e kotë të flisje”.

Genc Fuga: Përgjegjësi e shumëfishtë të zëvendësosh një aktor të madh

“Me Roland Trebickën kemi qenë miq shumë kohë përpara se të bashkëpunonim për ‘Të gjithë me huqe’. Nisi si marrëdhënie profesionale e më pas u kthye në miqësi. Sidomos unë, në këtë homazh, kam përgjegjësi dhe emocione të veçanta. Është e thjeshtë të pranosh një rol kur nuk ke paraardhës, por në rast se publiku e identifikon një rol të caktuar me një aktor tjetër, duhet të jesh në gjendje të përmbushësh pritshmëritë e tij. Ishte sidomos e vështirë të kapërceje atë pjesë të provave kur të gjithë ndërhynin për të thënë “Ay e ka thënë kështu”.

Megjithatë, duhet të them se e vetmja gjë që është krejtësisht identike me Roland Trebickën, është kostumi. Me të tjerat, bashkë mefuga regjisorin, u bë një ripërshtatje, sepse i binte të kopjoja atë dhe jam i sigurt që nuk do ta pëlqente. Nga momenti kur i thashë “po” këtij propozimi e deri në nisjen e provave, bluaja me vete pikërisht këtë gjë: Si do t’ia dilja t’i përcillja emocione të mira spektatorit, pa cenuar figurën e Rolandit?!

Nga teksti nuk ka ndryshuar asgjë, por mënyra e interpretimit është e imja, se si do të vijë, i ngelet publikut për ta gjykuar. Unë e kam shijuar njësoj siç shijonte e qeshte si fëmijë Rolandi me personazhet e tij, sepse humori, njësoj siç ndodhte me të, është një gjë që më pëlqen ta marr e ta jap”.

ANI JAUPAJ/panorama/d.i.

Next Post

Lajmi i fundit/ Të hënën votohet në parim paketa kushtetuese për drejtësinë

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Gjykata urdhëron heqjen e emrit të Trump nga Qendra Kennedy

Gjykata urdhëron heqjen e emrit të Trump nga Qendra Kennedy

May 29, 2026
Më pak se 2 euro ora, punëtorët indianë u shfrytëzuan për ndërtimin e Konsullatës Amerikane në Milano

Më pak se 2 euro ora, punëtorët indianë u shfrytëzuan për ndërtimin e Konsullatës Amerikane në Milano

May 29, 2026
Rrëzohet autobusi në SHBA, 5 të vdekur dhe 35 të plagosur

Rrëzohet autobusi në SHBA, 5 të vdekur dhe 35 të plagosur

May 29, 2026
Afatet e paraburgimit, Apeli i GJKKO-së rrëzon ankimimin e Erion Veliajt

“Arresti i Veliajt”, juristi sqaron pse Gjykata e Lartë nuk u ndikua nga Kushtetuesja

May 29, 2026
Mashtrimi i truprojes së këngëtarit/ I merr 2.5 milionë lekë familjes së të riut të sëmurë, për ta surprizuar

Mashtrimi i truprojes së këngëtarit/ I merr 2.5 milionë lekë familjes së të riut të sëmurë, për ta surprizuar

May 29, 2026
Udhëzimi për terapinë hormonale, Këshilli Ndërfetar: Të bëhet publike baza ligjore dhe shkencore

Udhëzimi për terapinë hormonale, Këshilli Ndërfetar: Të bëhet publike baza ligjore dhe shkencore

May 29, 2026
“Veliaj ka detyrë të ndryshojë perceptimin popullor”/ Meçe: Rama foli qartë, pranoi korrupsionin brenda mazhorancës!

Meçe: Veliaj nuk duhet të ishte në arrest me burg. Duhej zbatuar masa unifikuese

May 29, 2026
Putin: Dërgimi i raketave Tomahawk në Ukrainë do të prishte marrëdhëniet me SHBA-në

“Një njeri të cilit mund t’i besohet”, kë konsideron Putin negociatorin e tij të preferuar të BE-së

May 29, 2026
Ushtria izraelite hap zjarr gabimisht ndaj avionit civil

Ushtria izraelite hap zjarr gabimisht ndaj avionit civil

May 29, 2026
Pas Dados, Veliaj padit edhe KLP: Prisja të kishte transparencë! Ka një palë që do errësirë…

“Procesi nisi nga një person fiktiv!”, Ndreca: Veliaj, i vetmi që i është bërë vetting penal

May 29, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In