Goditja e Sali Berishës dhe dhuna e ushtruar ndaj tij pikërisht në 6 dhjetor ditën dhe orën që nisi samiti i rëndësishëm i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, mund të cilësohet si një nga ngjarjet më të rënda jo vetëm politike.
Menjëherë pas ngjarjes së rëndë situate politike është rënduar shumë në vend, por ajo që mund të ndodhte menjëherë pas saj mund të ishte edhe më katastrofike.
Aktualisht policia, prokuroria dhe shërbimet sekrete shqiptare të asistuar nga partnerët amerikanë po i trajtojnë me seriozitet të gjitha pistat e mundshme. Sali Berisha vetë dhe mbështetësit e tij po akuzojnë si planifikues dhe frymëzues Edi Ramën apo njerëz me pushtet pranë tij. Edhe kjo pistë po hetohet veçanërisht për hetimin e pretendimeve të Berishës se 31 vjeçari Gert Shehu është një bashkëpunëtorë dhe agjent i infiltruar i policisë.
Por pistat që prevalojnë më shumë aktualisht sipas burimeve brenda grupit hetimorë janë ato të një mllefi dhe paranojat e të riut edhe si pasojë e gjendjes së tij depresive dhe bipolare. Për këtë pistë pritet që ai të merret në ekspertizë nga një grup ekspertësh psikologë, sociologë dhe psikiatër.
Por një nga pistat e tjera e cila është marrë shumë seriozisht veçanërisht nga specialistët e SHISH dhe agjentët amerikanë që bashkëpunojnë me ata prej kohësh në Tiranë është ajo e përdorimit të Gert Shehut nga shërbime sekrete armike, si ato ruse apo iraniane.
Po hetohen me imtësi të gjitha telefonatat dhe takimet e 31 vjeçarit të shtrira në harkun kohorë të të paktën 2 muajve të fundit. Po pyeten përveç familjarëve dhe të njohurve, (jetonte vetëm me nënën), edhe drejtuesit dhe frekuentuesit e xhamisë ku shkonte 2 vitet e fundit, gjitonët, të shokët e paktë ku jetonte te Ura e Tabakëve, si dhe në të gjitha punët e mëparshme.
Është konsideruar “i çuditshëm” fakti që i riu i fiksuar pas rrjeteve sociale dhe që kishte hapur edhe një kanal të vetin në YouTube dhe që nuk e ndante celularin kurrë nga dora, pikërisht atë ditë e kishte lënë atë në shtëpi. Gjithashtu pas sekuestrimit të aparatit nga ana e policisë, çudia tjetër ishte se ai në telefon kishte vetëm kontaktin e nënës dhe të askujt tjetër. Pritet ekspertiza e telefonit për të zbuluar nga memoria, se cilët janë kontaktet që ai ka fshirë dhe kur e ka bërë këtë veprim.
Nuk po konsiderohet “rastësi” ky akt pikërisht ditën e Samiti të BE, i cili ndodhte për herë të parë që zhvillohej në një vend jo anëtar të Bashkimit Evropian dhe pikërisht në Ballkanin e trazuar, ku edhe duart e zgjatura të Rusisë nuk janë më sekret.
Gjithashtu kujtojmë se pikërisht ditën që ndodhi ky “incident” në Tiranë, në Mitrovicën e Veriut pati një valë shpërthimesh me tritol dhe sulme të armatosura ndaj zyrtarëve dhe institucioneve të shtetit të Kosovës. Vetëm dy ditë pas 6 dhjetorit, në Shkup u dhanë 7 alarme për bomba në shkolla, qendra tregtare dhe institucione. Edhe ditën e djeshme në Tiranë u dha një alarm për bombë në drejtorinë kufitare.
Mënyra që është ndjekur për të rekrutuar Gert Shehun nëse i referohemi kësaj piste, është e njohur për shërbimet sekrete. Profili i tij socio-psikik do të ishte perfekt. Tipa të tillë mund të përpunohen dhe paguhen pa e mësuar vetë kurrë, se për çfarë dhe nga kush është përdorur në të vërtetë.
Këto lloj operacionesh me induksion për arsye destabiliteti, janë të njohura. Personi, njeriu që zgjidhet duhet të plotësojë të gjitha kushtet për të bërë të besueshme pas aktit, se motive ka qenë një përzierje e gjendjes mendore, mungesës së parave dhe “mllefit” për klasën politike apo vetë objektivin e shënjuar që në këtë rast ishte Sali Berisha. Dhe më kryesorja edhe nëse flet ai në fakt nuk e di se kush është porositësi apo paguesi i vërtetë. Shpesh këto operacione bazohen në përpunimin psikologjik të të përzgjedhurit, duke e kthyer në një “agjent të telekomanduar”.
Ndaj në lojë janë të gjithë këta element si kurimi për depresion, apo lidhjet e tij familjare me tragjedinë e Gërdecit.
Pavarësisht kësaj deri më tani dhe deri në momentin që 31 vjeçari po refuzon që të flasë vetë, të gjitha mundësitë dhe pistat e aktit të rëndë që mund të çonte në një destabilitet të mundshëm të situatës në Shqipëri për çfarëdolloj motive, janë të hapura./Alfapress.al