Nga Josif Papagjoni
Kam votuar më shumë majtas e më pak djathtas. Po pse? Sepse e djathta u identifikua qysh në kryeherë me një njeri të vrazhdët, hakmarrës, kokëfortë, që i donte të gjitha pushtetet veçse në dorën e tij. Ky njeri e ka emrin Sali Berisha. Dhe qyrku i fajit të “regjimenteve” të PPSH, e kthyer në Parti Socialiste, pak nga pak sikur u lehtësua. Ia lehtësoi pikërisht sjellja politike e këtij ish komunisti të egër, intolerant, hakmarrës, të skajshëm, i paqytetëruar, beniamin i kamufluar i Ramiz Alisë, i quajtur për dreq nga shumë vetë me zhargonin fyes “kokë maloku”. Në kësi rastesh, vepron koncepti i tragjedisë greke dhe i vetë demokracisë antike: “Shëtitja e të DREJTËS”. Kur e drejta jote teprohet, ajo ikën prej teje dhe shkon te pala tjetër. Teprimet ndaj të drejtës kanë qenë të vazhdueshme në mendësinë dhe sjelljen e Berishës. Ai nuk di “Edhe-Edhe”, por “Ose-Ose”. Rrallë të gjesh një njeri të “palodhur”, me një energji dhe neps kaq të madh për pushtet se sa ai. Duke e lavdëruar këtë “energji”, nëpër tavolina pleqsh shpesh themi se kjo është bash një energji “demoniake”, energji destruktive, jo energji bekuese, mirësuese, ndërtuese, frymëzuese…
Nganjëherë përsiatem e habitem me veten: “Ky njeri nuk njeh prehje, teksa unë dhe moshatarët e mi, pak më të rinj se ai, duam cazë rehat, të shijojmë paqen e moshës sonë. Ky njeri nuk pranon dot një çast “dobësie”, tërheqjeje, si bulbet dhe shenjat e humanes; ne e duam këtë të uruar “tërheqje”. Ky njeri nuk njeh dobare as një çast mëshire, pse jo! S’e kam dëgjuar diku, dikur diçka të tillë… Dhe pak heshtje zotni, a mundesh? Pak meditim të prajtë me vetveten. Edhe pak paqe. Pakëz fare! Lëre pastaj një kafe prej pensionisti me të tjerë pensionistë, miq e shokë të tu, duke u ulur aty në lagje, qoftë dhe në lokale të shtrenjta, t’i flakësh aurorat epike e të bëhesh NJERI. Të bëhesh si me ata që kanë qenë dikur në majat e epërme të pushtetit, por që prehen sot lumnisht në “tërheqjen” e tyre civile mes familjarësh e miqsh të vet si Fatos Nano e Aleksandër Meksi, Rexhep Mejdani e Servet Pëllumbi, Namik Dokle e Bamir Topi, Alfred Moisiu, Gramoz Ruçi e Jozefina Topalli, apo të vdekurit shembullorë Pjetër Arbnori e Sabri Godo. Jo! Sali Berisha është “tjetër”. Ai ka në kokë vetëm luftën, asgjësimin e tjetrit, urrejtjen, mitin e Saturnit që ushqehet me fëmijët e vet. Leksiku i tij është fjalori i egër i sharjeve, i burgjeve, i ekzagjerimeve me shpifjet për “miliardat”, një ligjërim tipik populist me përdorimin deri në budallallëk të formave sipërore, të epërive e superlativave, ku dhe një ngjarje e rëndomtë quhet “historike”, e “jashtëzakonshme”, “madhështore” e dërr-vërr. Fjalimet e tij gjithnjë e më shumë janë varfëruar, klishetë dhe steriotipitë leksikore e stilistikore të tyre i kanë kapur për këmbësh argumentet dhe arsyetimin e kthjellët; ka fare pak dije ndër to, pak elokuencë, pak mprehtësi, po bëhen gjithnjë e më të bjerrura. Sidomos pas “ringjalljes”, fjalimet e tij të ndezulluara stërpiken nga një retorikë që sepse mua më ngjason me ato të spekulantëve politikë, nisur nga komunistët, te fashistët, fondamentalistët dhe gjithfarë rrenacakësh të “lugës së florinjtë”. I katapultuar nga PPSH si një nga ish komunistët besnikë, dogmatikë e dyfytyrësh, ai e shprishi si uthulla ëndrrën e bukur për një shtet të së drejtës, të sundimit të ligjit, të barazisë në shanse. Ai ringjalli një formë të re të “luftës së klasave”, kundërshtarët politikë i shpalli “armiq”. Kësisoj i dha doktrinës së vdekur të ideuar nga Marksi dhe të zbatuar barbarisht nga Enver Hoxha, një formë gjoja të moderuar, ku kategoria politike e “kundërshtarëve politikë” përgjatë garave të pushtetit në sistemet demokratike vjen si asgjësim dhe intolerancë. Kund ërshtari im është armiku im, unë do ta kisha vrarë atë, ka deklaruar në esencë ai. Çfarë tmerri! Përbindshore!
Duke e identifikuar enkas Partinë Demokratike me Demokracinë dhe Partinë Socialiste me Komunizmin, ai solli qysh në krye të herës fytyrën ambiguide të Janusit, energjinë e “karmës” hakmarrëse apo hyjneshën e urrejtjes, Nemesis. Sepse ai di vetëm të urrejë, jo ta pranojë kundërshtarin në një koreografi politike bërë në shumësi, që Evropa e ka aplikuar, së paku dy shekuj, për të shmangur revolucionet dhe plojat e gjakut. Mirëpo ky revolucionar i plakur prej kohës së Dullës na flet sot habitshëm për “revolucione”, “përmbysje”. Dhe nga “fitoja në fitorje”, ai po shkon përherë nga humbja në humbje. Pse? Sepse në bulb të mendësisë së tij përherë ka pasur përplasje dhe nxitje urrejtjesh midis demokratëve e socialistëve, këta të dytët të shpallur tashmë “armiq”; midis veriut dhe jugut, si dy entitete të një zemre, duke e çarë zemrën kombëtare dy copash. As dy vjet nga shpallja e pluralizmit politik ky njeri i paepur për pushtet kërkoi t’i jepte vetes kompetencat e një kinse “Mbreti” të vetëshpallur. Ishte po ai që firmosi ligjin 7501 (masakrën e pronës private) duke shkelur rëndë një shans historik të së drejtës, ishte po ai që e mbushi Tiranën me kioska, ishte po ai që ligjëroi “vjedhjen” e madhe të firmave piramidale, ishte po ai që nxiti njerëzit të hapnin depot e armëve (për vetëmbrojtje) dhe e çoi vendin gati në një luftë civile, nëse nuk do të ndërhynin vendet evropiane duke shpenzuar miliarda me operacionin “Pelikan”. Pse, pra?! Fare thjesht: të gjitha për kokëfortësinë e tij proverbiale dhe etjen e pafre për pushtet absolut. Po ky egërshan ishte njeriu që “shtiu” mbi turmën e protestuesve paqësorë dhe vrau katër vetë në mes të bulevardit; dhjetëra të tjerë kanë qenë me plumba në mish (Zot, si mund të jepet një urdhër i tillë vetëm për një m… kolltuku?! Çfarë truri të shprishur paska ky njeri, që merr vendime të tilla të marrëzishme e të pafalshme nga kujtesa e kombit!). Të gjitha këto bëma e gjëma kanë emrin e Sali Berishës. Ai futi frikë ndër njerëzit. Dhe ende ai të fut frikën. Mjaft më, o njeri! Mjaft!
Sali Berisha po mburret ca si shumë për atdhetarizëm dhe e shet veten si “hero”, madje ka dhe një këngë qesharake mbi epikën heroike të tij. Por cili atdhetar, cili hero? Ai që, teksa në situatën më të rëndë për kombin shqiptar, lejoi naftën të derdhej lumë drejt makinerisë ushtarake serbe? Është thjesht një pseudo, një populist. Ai ka ndjekur përherë maksimën cinike: “Po je me mua t’i jap të gjitha, po je kundër meje t’i heq të gjitha!” A s’bëri kështu edhe me Lulëzim Bashën, i cili s’qe veçse një beniamin e hije pas tij, një farë “puppet figure” për të trembur zogjtë. Ia dha të gjitha, dhe ia hoqi të gjitha. Sa iu prek interesi, Berisha e riktheu sërish partinë e tij në një korracë për të mbrojtur veten. Thuhet, paratë e familjes… Thërriti militantët nga qenë e nga s’qenë, të cilët doemos edhe kanë përfituar rroga, privilegje, pushtet, favore, para´ prej tij e fitimeve që pushteti jep, dhe iu vërsul të “vetëve” me qysqy e sopata për të shqyer dyert e selisë, si në filmat hollivudianë me kështjella mesjetare. Çfarë skene groteske qe ajo!
Dhe, më në fund, pasi shpallet i padëshiruar nga SHBA, Anglia dhe vendet e Evropës Perëndimore, ku ne synojmë të shkojmë, e tërheq zvarrë pas interesit të tij elektoratin e djathtë tradicional (natyrisht, jo të gjithin), i cili me të drejtë nuk beson më tek pushteti i zgjatur i të majtëve; kërkon dhe ai (ata) me çdo kusht të vërë buzët në sisët plot qumësht të “lopës-shtet”. Mirëpo ky padurim, që lëviz mes naivitetit politik dhe tundimit për karrierë, mes mbetjes pa punë dhe shpresës për një ripunësim në dyert e shtetit (si zhvatësit e “rinj” të tij), duket se e ka çoroditur elektoratin e djathtë. Në humbjen e pritshme të së djathtës berishiane, edhe pse rrotacioni është valvola shpëtuese prej trysnive politike, kundërshtive dhe përshfaqet si shansi i një rishpërndarjeje të benefiteve, kjo masë laragane, e turbullt, e tronditur, dyshuese, pa vizion, e hallakatur, duket se po shkon drejt një handikapi politik. Pse handikap? Fare “thjesht”: elektorati është një farë kopeje sociale që ndjek bariun e vet, LIDERIN. Por kur ky, lideri mjeran e provincial, nuk pranohet më nga ata që na “japin dhe na mbrojnë” lirinë dhe ekzistencën tonë, SHBA dhe Evropa, e shpall veten “sovraniste”. A s’të kujton Enverin ky, që do na bënte të hanim edhe bar?!… Dhe kur ai shpallet “Non Grata”: nga “qen roje” i kopesë, bëhet ujku që e çart këtë “kope”, të hutuar e të pafajshme siç është katandisur.
Habitem me disa njerëz të letrave se si është e mundur t’i shkosh pas modelit politik të Berishës? Ah, jo! Them se gabimi do të jetë fatal. Padashur ti kandidat për kryetar bashkie je kompromentuar, ke marrë fytyrën e tij, “erën” e tij. Ti kërkon ta nxjerrësh gështenjën e pjekur të pushtetit me dorën e tij. Jo, or mik, jo! Kjo është hipokrizi. Ca më keq, ky është naivitet politik. Prandaj, sado vlera të ketë si djalë i zoti a një tiranas me rrënjë Belind Këlliçi, si kandidati për kryetar bashkie në Tiranë ai s’është veçse zgjatimi i Sali Berishës, pra favoriti i një personazhi të së shkuarës, i refuzuar tashmë masivisht. Pse bie në këtë prehër atëherë ky riosh? A nuk e di ai se tutori i tij është pjesë e një vetëdijeje dhe sjelljeje politike të tejkaluar? Andaj unë dua t’ia jap votën time Erion Velisë, apo çdo “Erioni” tjetër që do të ishte nga krahu i kundërshtarit politik, pra nga e majta, qoftë dhe nga e djathta solide, sepse s’dua t’ia jap një “berishiani” a beniamini të Sali Berishës, i bekuar prej tij. Thjesht për këtë arsye nuk ia jap. Dhe si unë gjykojnë një shumicë e madhe, besoj. Nuk ia vlen të flasë për mandatin e dytë të Erionit, por vizioni i tij është shumë më bindës, edhe punët e kryera janë shumë më domethënëse për vijimësinë e një tjetër mandati. S’dua të flas për të sepse s’dua të keqkuptohem mbi semantikën e këtij shkrimi.
Unë do doja të kishte ndryshim pushteti, edhe nëse punët e kryera janë për t’u lavdëruar e vlerësuar. Por kur mendoj se në skenën politike të vendimarrjes mund të vijë rishtazi Sali Berisha, i stërprovuar për bëmat dhe gjëmat e tij mbushur me frikë e tmerr, me kaos e vizion opak, me “katundari” e populizëm; kur mendoj se mund të vijë po ai model, që sot në mënyrë të poshtër po ngjall një ndjenjë antiamerikanizmi të çmendur ndaj atij shteti që lipset t’i jemi mirënjohës përjetë, deri në gjunjë, e t’i përfalemi që na ka mbrojtur dhe na mbron, që i dha kombit tonë Kosovën, nesër të bashkuar me trungun amë në një formë konstuticionale të pranuar nga të mëdhenjtë – e si mund të votoj unë për “jesmenët” e Saliut, sado të zot e të mirë qofshin ata? Jo, zotëri, ka pak dinjitet njeriu! Dhe ai i shkret dinjitet i mban burrat, ai dhe i dallon nga të tjerët, sepse ai nuk të çon në qorrsokak. Qoftë një thelë e majme karriere, qoftë një sentencë makiavelike (për konjukturë e përshtatje), qoftë thjesht një ego e ngopur me kekun e falur, ti zotëri që kandidon për kryebashkiakun e Tiranës nuk je në “darkën e bekuar”, por në “darkën e gabuar”. Belind Këlliçi nuk do të fitojë, se pas tij, fatkeqësisht, ka fytyrën e Berishës. Në një rast tjetër, rezultati nuk dihej. Kaq gjë ai duhet ta kishte kuptuar. Koha e tij si politikan i ri nuk ishte e “djegur”. Por tashmë, mendoj, ai e dogji përfundimisht epërinë e shijimit të një pushteti të mundshëm. Tepria e egos dhe, sidomos, dritëshkurtësia politike, kjo e dogji. Askush nuk do t’ia jap nesër një shans të tillë! Ujërat rrjedhin, s’është po i njëjti ujë në lumë, thoshte Herakliti. Logaritmet politike nuk përsëriten, ato parashtrohen vetëm një herë. Kjo ishte një gafë e tij. Shansi nuk vjen kur do ti dhe “zogu” fluturon, nuk e kap dot më. Prandaj, unë për vete, nuk kam pse luaj hipokritin. Dhe them: “Sa keq Belind, u dogje kot, mund të ishe një djalë që meritoje, por…”