Procesi i aplikimit për strehim social pritet të pësojë ndryshime të lidhura me ngritjen e një sistemi për Strehimin për Banesat Sociale për Ministrinë e Financave. Sipas kësaj të fundit, gjithë të interesuarit që dëshirojnë të përfitojnë nga ky program, së shpejti do të kenë mundësinë të kryejnë aplikimin ‘online’, ku parashikohet që sistemi të ketë disa module. “Përmes informatizimit të procesit për strehim dhe banesa sociale, do të bëhet e mundur që kërkesa për të përfituar nga programet e strehimit social të bëhet ‘online’, duke garantuar integritet dhe transparencë të të dhënave të vetëdeklaruara nga qytetarët gjatë plotësimit të formularit të kërkesës”, – bëhet me dije në dokument.
Aplikimi ‘online’
Aplikimi do të mund të bëhet përmes “e-Albania”, ose përmes modulit “one stop shop” për nëpunësit qeveritarë. Sipas ‘Financave’, të dhënat që plotësohen në formularin elektronik nga qytetarët do të postohen në këtë modul, duke krijuar regjistrin elektronik të aplikantëve që bëjnë kërkesë për të përfituar nga programet e strehimit social. Aplikimet që do të postohen në këtë modul do të përpunohen nga strukturat përgjegjëse për strehimin në njësitë e qeverisjes vendore. Sistemi do të ketë një modul për vlerësimin e kërkesave. “Aplikimi për të përfituar nga programet e strehimit social, me përjashtim të rasteve të nevojës emergjente për strehim bëhet me dy faza. Në fazën e parë, aplikantët paraqesin kërkesën e tyre për të përfituar nga programet e strehimit social, sipas ligjit nr.22/2018 ‘Për strehim social’. Në fazën e dytë të aplikimit përfshihen vetëm ata/o individë/familje që janë përzgjedhur për t’u trajtuar me njërin prej programeve të strehimit. Përmes këtij moduli do të vlerësohen kërkesat e ardhura gjatë fazës së parë, nëse mundet të kualifikohen për në fazën e dytë”, – nënvizohet në dokumente.
Moduli i pikëzimit
I treti modul i rëndësishëm është ai i pikëzimit dhe ku aplikanët që kanë kaluar fazën e parë renditen në këtë modul sipas pikëzimit. Sipas ‘Financave’, përmes këtij moduli aplikantët do të njoftohen te “Hapësira ime” në portalin “e-Albania”, ose në adresën e tyre të postës elektronike për plotësim dokumentacioni. Secili prej aplikantëve do të ketë seksionin dokumente plotësues, ku do të mundësohet ngarkimi i gjithë dokumentacionit shtesë të kërkuar. Të gjitha dokumentet e bashkëlidhura ga aplikanti do të ruhen në dosjen e aplikantit.
Programi
Programi i banesave sociale me qira është programi, me anë të të cilit jepen me qira banesat në pronësi publike nga fondi publik i banesave sociale, si dhe banesat që janë në pronësi të pronarit social. Banesat sociale me qira përfshijnë: banesat sociale që ndërtohen ose blihen nga tregu i lirë, nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, me qëllim që të jepen me kontratë qiraje sociale; banesat ekzistuese në treg, në pronësi të pronarit social; objektet e dala jashtë funksionit, si rezultat i mbylljes së një veprimtarie, të cilat kanë kaluar në pronësi të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe në përputhje me planin e përgjithshëm vendor janë miratuar për t’u kaluar në fond banesash sociale me qira që subvencionohen. Sipas ligjit, statusin e përfituesit nga programet sociale e gëzon çdo individ që ka mbushur moshën 18 vjeç dhe familjet e regjistruara në zyrat e gjendjes civile në njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilët në momentin e aplikimit plotësojnë kushtet. Kështu, përfitojnë individët që nuk kanë në pronësi një banesë ose zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit apo banojnë në banesa jashtë standardeve në fuqi, për të cilat normat e strehimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Ata që kanë mbetur të pastrehë; familjet që kanë një banesë të vjetër, në rrezik shembjeje, ose një banesë që i nënshtrohet një plani rregullues, për shkak të vjetërsisë së saj.
Kriteret e përzgjedhjes së Përfituesve
- a) Kushtet e strehimit, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi familjet që:
- i) Nuk disponojnë banesë në pronësi.
- ii) Banojnë në banesa që paraqesin rrezik shembjeje.
iii) Banojnë në banesa të mbipopulluara, sipas përcaktimeve dhe normave në fuqi.
- iv) Kanë mbetur ose rrezikojnë të mbeten të pastreha, si rezultat i fatkeqësive natyrore.
- v) Familjet ose individët që humbasin banesën e tyre, si pasojë e zhvendosjes ose zbatimit të një vendimi gjyqësor.
- vi) Banojnë në banesa që prishen ose përjashtohen nga procesi i legalizimit, si rezultat i investimeve publike.
- b) Kushtet familjare, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi: i) familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë, ku përfshihen edhe vajzat nëna.
- ii) Të moshuarit, që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për t’u strehuar në institucionet publike të përkujdesjes shoqërore.
iii) Familjet me më shumë se katër fëmijë.
- iv) Bashkëshortët, mosha e përgjithshme e përbashkët e të cilëve arrin deri në 60 vjeç.
- c) Kushtet sociale, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi:
- i) Personat me aftësi të kufizuara, në përputhje me përcaktimet e bëra me vendim të Këshillit të Ministrave.
- ii) Individët me statusin e jetimit, që nga çasti i daljes nga qendrat e përkujdesjes shoqërore dhe deri në moshën 30 vjeç.
iii) Familjet e mbetura të pastreha për shkak të lirimit të banesave ish-pronarëve.
- iv) Emigrantët e rikthyer, punëtorët emigrantë dhe azilkërkuesit.
- v) Familjet e policëve të rënë në detyrë.
- vi) Punonjësit e reparteve të ndërhyrjes së shpejtë (FNSH).
vii) Punonjësit e repartit RENEA-s.
viii) Punonjësit e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin.
- ix) Viktimat e dhunës në familje.
- x) Viktimat e trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit.
- xi) Anëtarët e komunitetit rom.
xii) Anëtarë të komunitetit egjiptian.
xiii) Të miturit në konflikt me ligjin, sipas parashikimeve të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, pas ekzekutimit të dënimit.
xiv) Vajzat nëna.
- xv) Individët që i përkasin komunitetit LGBTI, të cilët janë viktima për shkak të orientimit seksual ose identitetit gjinor bazuar në vendimin e organit kompetent, sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen nga diskriminimi që përcakton se si pasojë e diskriminimit individi nuk ka një strehim të përshtatshëm dhe që kanë të ardhura të pamjaftueshme ose që nuk kanë fare të ardhura, sipas përcaktimeve të bëra në nenin 3 të këtij ligji.
ç) Kushtet ekonomike, në bazë të të cilave përcaktohen familjet, sipas grupeve të të ardhurave, të përcaktuara në këtë ligj.
Kushtet për aplikim:
- a) Nuk kanë në pronësi një banesë ose zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit apo banojnë në banesa jashtë standardeve në fuqi, për të cilat normat e strehimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
- b) Kanë mbetur të pastrehë, si rezultat:
- i) i fatkeqësive natyrore,
- ii) i prishjes së objekteve të pakualifikuara si banesë,
iii) i zhvendosjeve për shkak të investimeve publike dhe nga objektet e përjashtuara nga procesi i legalizimeve,
- iv) nga zbatimi i akteve administrative dhe zbatimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë,
- c) familjet që kanë një banesë të vjetër, në rrezik shembjeje, ose një banesë që i nënshtrohet një plani rregullues, për shkak të vjetërsisë së saj.
nPërfitojnë nga programet e strehimit social të këtij ligji edhe shtetas të huaj, me qëndrim të rregullt në Shqipëri dhe që kanë përfituar nga organet kompetente statusin si “punëtor emigrant” dhe/ose “azilkërkues”.
nParashikimet e pikave 1 dhe 2, të këtij neni zbatohen vetëm për ato individë/familje që kanë të ardhura të pamjaftueshme ose që nuk kanë fare të ardhura, sipas përcaktimeve të nenit 3 të këtij ligji.
nTë drejtën për të përfituar nga programi i banesave sociale të specializuara e kanë edhe të miturit nën moshën 18 vjeç, pas lirimit ose përfundimit të programit të masës alternative të shmangies, në rastin kur bazuar në një vendim gjyqësor ose një akt administrativ, mbeten të pastrehë, për arsye se nuk duhet të jetojnë me prindërit, kujdestarin ligjor ose me familjen e tyre. /GazetaShqiptare/