• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Wednesday, September 23, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Tani i Madh, Topi i Madh

by Filip Çakuli
23/09/2026 09:44
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Filip Çakuli

Pse e quaj Tani i Madh? Mbase krahasimi me Akeksandrin e Madh, në shekullin e tretë para erës së re, apo Kostandinin e Madh, në shekullin e katërt të erës sonë, nuk shkon për botën mbarë. Po, për hapësirat shqiptare, ndoshta më vonë, do të quhet Tani i Madh. Se të parët bënë përpjekje të ndryshonin botën, ndërsa Tani ynë, revolucionarizoi botën televizive dhe pa të, këtë e them me bindje, nuk do të kishim sot këtë mrekullinë televizive kombëtare…

25 vjet Top Channel dhe një histori që nuk shkruhet vetëm me programe, shikueshmëri e audiencë, por me njerëz. Dhe në fillim të kësaj historie është një njeri që kishte një ves të çuditshëm: besonte se televizioni mund të bëhej edhe pa u nisur nga paratë.

Në Top Channel isha, sipas standardeve të kohës, një specie pothuajse muzeale.

Në një televizion të themeluar mbi energjinë e të rinjve, talentin e të rejave dhe idenë se ekrani duhej të kishte fytyrë të re, unë isha ai që ngrija moshën mesatare të institucionit.

Me pak fjalë: isha problemi demografik i Top Channel-it.

Dhe nuk më pyeti sa vjeç isha. Më caktoi kryeredaktor të një emisioni të sapokrijuar, që quhej Fiks Fare.

Në fillim, Tani e mendonte Fiksin si një program me humor, batuta, shaka.

Por shumë shpejt kuptuam se Fiksi nuk mund të ishte thjesht një program që bënte njerëzit të qeshnin. Duhej të ishte një program që i vinte njerëzit përballë realitetit.

Kur realiteti shqiptar është ai që është, satiristi vetëm duhet t’i hapë mikrofonin.

Dhe kështu Tani mendoi një program tjetër për humorin. Portokallinë.

Kështu Top Channel filloi të ndërtonte jo vetëm programe, por një shkollë televizive.

Tani kishte një dobësi të madhe.

Dhe nuk e kishte thjesht si shije. E kishte si parim televiziv. Ishte edhe jashtëzakonisht detajist.

Një ditë, për herë të parë, më thirri për të folur për një robot të studios që nuk punonte.

Unë mbeta pak i habitur. Jo se nuk punonte roboti. Por sepse nuk i kishte rënë kujt nga ne në sy.

Ne merreshim me lajme, emisione, skenarë, kamera, njerëz, probleme, Shqipërinë…

Dhe ky ishte Tani: shihte edhe atë që ne nuk e shihnim.

Një herë largova nga puna një punonjëse.

Ishte e bukur. Madje, sipas filozofisë së Tanit, ishte pikërisht nga ato njerëz që nuk duhej të humbnin nga televizioni. Ajo doli nga zyra ime duke qarë. Kaloi te hyrja e Piramidës, ku ishte kafja. Tani ishte ulur aty.

Pak minuta më vonë më vjen një mesazh:

I thashë: “E hoqa nga puna.”

Përgjigjja erdhi menjëherë: “Ktheje prapë. Ekrani i do të bukur njerëzit.”

“Pse, fytyrën tënde dhe të Denisës do shoh aty unë?”

Nuk e di nëse Tani qeshi. Por punonjësja u kthye.

Kjo është një nga historitë e televizionit shqiptar në një fjali: Kryeredaktori pushon nga puna,për një arsye, apo një tjetër, themeluesi rikthen bukurinë në ekran. Dhe vërtet ajo vajza u bë e njohur më vonë.

Pastaj Top Channel filloi të rritej. Dhe u rrit me të rinj e të reja. Me njerëz që nuk i njihte askush dhe që më pas i njohu gjithë Shqipëria.

Kjo ishte një nga magjitë e Topit.

Ai nuk kërkonte vetëm njerëz të famshëm. Kërkonte njerëz që mund të bëheshin të famshëm. Dhe kjo është një diferencë e madhe.

Pas pak kohësh, pasi pa qe Fiksi nuk ishte humor i mirëfillt, Tani më kërkoi të telefonoja Agron Llakajn, që e kisha mik, për të ngritur një emision tjetër humori, Portokallinë.

E telefonova. Por Tani kishte një kusht: 70-80 për qind e aktorëve duhej të ishin të rinj dhe të panjohur.

Pra, edhe humori duhej të kishte inkubator.

Agroni sillte përvojën. Të rinjtë sillnin energjinë. Top Channel u jepte ekranin. Dhe ekrani bënte pjesën tjetër.

Shumë prej tyre u bënë emra. Sepse Topi nuk priste gjithmonë që talenti të vinte i njohur. Shpesh e merrte të panjohurin dhe e bënte të njohur.

Kjo ishte filozofia e Tanit. Dhe, në një farë mënyre, ishte edhe filozofia e tij për Shqipërinë.

Sepse Tani nuk e kishte ndërtuar Top Channel-in vetëm për të fituar para.

Natyrisht, një televizion duhet të jetojë edhe ekonomikisht.

Por ai kishte një ide tjetër: televizioni duhej të edukonte, të kulturonte dhe të ngrinte nivelin e shqiptarëve, kudo që ndodheshin.

Ishte idealist. Dhe idealizmi, në televizion, është një sëmundje që mund të kushtojë shtrenjtë.

Ne i thoshim: “Tema është shumë e mirë, por nuk eci.” Dhe ndonjëherë tema banale ecte shumë mirë.

Përgjigjja e Tanit ishte e thjeshtë: “Mos të ulemi ne në nivelin e popullit. Të përpiqemi ta ngremë. Kjo është detyra dhe synimi i Topit.”

Kjo fjali, për mua, është një lloj testamenti editorial.

Sepse është shumë më e lehtë të zbresësh te publiku sesa ta ngresh publikun drejt teje.

Është shumë më e lehtë të thuash: “Publiku këtë do.”

Sesa të pyesësh: “Çfarë mund t’i japim publikut që ai ende nuk e di se e do?”

Dhe Top Channel u bë Top Channel.

Edhe unë, në ato vite, botova një libër. I dhashë një kopje Tanit. Tani e mori. E shfletoi. Pastaj e la në kafene.

Nuk u mërzita. Sepse e dija që Tani kishte një problem shumë më serioz se letërsia ime: lexonte revista teknologjie dhe makinash.

Pra, unë kisha shkruar një libër. Tani po përpiqej të kuptonte se çfarë do të bënte makina pas dhjetë vjetësh.

Në fund, ai doli më i parashikuar se unë. Dhe libri im mbeti në kafene.

Por, çuditërisht, edhe kjo më duket sot pjesë e Tanit.

Ai shihte përpara. Gjithmonë pak më larg se të tjerët.

Ndoshta kjo ishte arsyeja pse Top Channel nuk mbeti thjesht një televizion. U bë një institucion.

Sot, 25 vjet më pas, Top Channel është një krijesë shumë më e madhe se ajo që ishte në fillim.

Ka kaluar nga duart e themeluesit te familja e tij. Dhe është një tjetër lloj përgjegjësie kjo.

Sepse nuk trashëgon vetëm një kompani. Trashëgon një ide. Trashëgon një emër. Trashëgon një mënyrë të të parit të televizionit.

Dhe duket se Lori ka marrë prej të atit pikërisht atë damar: të shohë pak më larg se të tjerët.

Dhe, ndoshta mbi të gjitha, ka marrë motivimin për ta mbajtur Topin…

Sepse Top Channel nuk është vetëm një logo. Është historia e qindra njerëzve që kanë hyrë aty të panjohur dhe kanë dalë prej andej të njohur.

Është historia e atyre që kanë mësuar televizionin duke bërë televizion.

Është historia e njerëzve që kanë dhënë diçka dhe kanë marrë diçka nga ekrani.

Është Fiksi. Është Portokallia. Është lajmi. Është studioja. Janë me dhjetra emisione dhe qershia mbi tortë, Big Brother.

Është roboti që nuk punonte dhe që vetëm Tani e kishte parë.

Është edhe ajo vajza që doli duke qarë nga zyra ime dhe u kthye përsëri, sepse Tani vendosi se ekrani kishte nevojë për të.

Dhe është, mbi të gjitha, ideja e një njeriu që besonte se televizioni nuk duhej vetëm t’i jepte publikut atë që kërkonte.

Duhej t’i jepte edhe atë që ende nuk dinte se i duhej.

Kjo është trashëgimia më e madhe e Tanit.

Jo vetëm Top Channel-i që ndërtoi.

Por njerëzit që ndërtoi bashkë me të.

Prandaj, pas 25 vjetësh, mund të thuhet se Tani i Madh nuk ndërtoi vetëm një televizion.

Ndërtoi një brez televizioni. Dhe ne, që ishim aty, në ato fillime, kemi një privilegj të vogël: Të themi se e kemi parë nga afër.

Edhe kur nuk e kuptonim gjithmonë se çfarë po bënte. Sepse, siç ndodh me njerëzit që shohin më larg se të tjerët, shpesh e kupton vizionin e tyre vetëm pasi ke mbërritur atje ku ata të kishin thënë të shkoje.

Gëzuar 25-vjetorin, Top Channel!

Dhe, Tani… roboti i studios tani punon.

Por nuk e di nëse do ta kishe lënë pa e vënë re.

Next Post
Shuhet zjarri masiv tek Gjiri i Lalzit, Sako: Ndihmuan dhjetëra zjarrfikëse, s’u dëmtua asnjë hotel

Shuhet zjarri masiv tek Gjiri i Lalzit, Sako: Ndihmuan dhjetëra zjarrfikëse, s’u dëmtua asnjë hotel

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

SHBA/ Uragani “Florence”, evakuohen më shumë se 1.7 milion banorë

Uragani “Polo” forcohet në Kategorinë 5 pranë Meksikës, paralajmërime për përmbytje dhe katastrofë!

September 23, 2026
(Procedurat) Fondet te “e-Albania”/ Fermerët mund të aplikojnë nga shtëpia!

Pagesat e subvencioneve për fermerët, autoritetet bëjnë apel për plotësimin në kohë të dokumentacionit! 20% aplikuan dhe i morën pagesat

September 23, 2026
Komisioni Evropian publikon listën me 10 profesionet e reja më të kërkuara në BE! Nga inxhinierë dhe elektricistë, deri te edukatorët

Komisioni Evropian publikon listën me 10 profesionet e reja më të kërkuara në BE! Nga inxhinierë dhe elektricistë, deri te edukatorët

September 23, 2026
Përgjohej prej disa javësh, 26-vjeçari kapet me drogë “gelato” me THC dhe kokainë në Mamurras!

Përgjohej prej disa javësh, 26-vjeçari kapet me drogë “gelato” me THC dhe kokainë në Mamurras!

September 23, 2026
“Nuk pashë ndonjë fakt”, Luarasi për akuzat e Ahmetajt: Konflikti i interesit e bën të pabesueshëm

“Realitet i dhimbshëm”- Deputetja socialiste Iris Luarasi në krah të Egla Cenos pas mesazhit kërcënues!

September 23, 2026
Ndezën zjarre pranë Parkut të Apolonisë dhe rrezikuan banesat, 2 piromanë të arrestuar dhe një nën hetim në Fier!

Ndezën zjarre pranë Parkut të Apolonisë dhe rrezikuan banesat, 2 piromanë të arrestuar dhe një nën hetim në Fier!

September 23, 2026
Berisha akuzon Ramën: Bllokoi udhëtimin e Presidentit Begaj si kryetar i delegacionit shqiptar në Ankara

Berisha mbledh sot Kryesinë pas ngjarjeve të fundit, pritet të zbulohet se çfarë strategjie do të ndjekë PD-ja!

September 23, 2026
“Milici terroriste”, mbreti i Arabisë Saudite: Houthit të pabesë, sulmi ndaj Mekës i pafalshëm

“Milici terroriste”, mbreti i Arabisë Saudite: Houthit të pabesë, sulmi ndaj Mekës i pafalshëm

September 23, 2026
Shuhet zjarri masiv tek Gjiri i Lalzit, Sako: Ndihmuan dhjetëra zjarrfikëse, s’u dëmtua asnjë hotel

Shuhet zjarri masiv tek Gjiri i Lalzit, Sako: Ndihmuan dhjetëra zjarrfikëse, s’u dëmtua asnjë hotel

September 23, 2026
Tani i Madh, Topi i Madh

Tani i Madh, Topi i Madh

September 23, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com