Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste të Tiranës, i ka konsideruar kërkesat e opozitës për qeveri teknike dhe shtyrje të zgjedhjeve si një lojë e atyre që në të vërtetë duan pushtetin dhe jo Shqipërinë.
Këtë deklaratë Tahiri e bëri gjatë një takimi me strukturat e PS-së në Kombinat.
“Po e kthejnë demokracinë kokë poshtë. Ca thonë qeveri teknike. Zgjedhjet bëhen për të drejtuar qeverinë. Këta duan qeverinë pastaj të bëjnë zgjedhjet. Ata që deri dje ishin në pushtet, sot janë në çadër. Dëgjojini ç’po thonë: Nuk dalim nga çadra përveçse po të na jepni qeverinë. Se Shqipërinë e kanë trajtuar si plaçkë dje, e kështu e kërkojnë si plaçkë sot. Po shpikin kriza, kërkojnë shtyrjen e zgjedhjeve. Si mund të shtyhet dita e zgjedhjeve në emër të demokracisë? Vetëm këtu dëgjon se demokraci qenka të mos marrësh pjesë në zgjedhje, e jo e kundërta. Këto janë lojëra të atyre që duan pushtetin, jo qytetarët e as Shqipërinë’’ – tha kreu i PS të Tiranës.
Kreu i PS Tiranë i ka dhënë përgjigje indirekte edhe pyetjes se nëse PS-LSI do të jenë sërish në koalicion parazgjedhor. Tahiri e ka cilësuar këtë si një gjeagjëzë që të lodhe ndërsa tha se PS koalicionin më të rëndësishëm e ka me shqiptarët.
“Shqipëria nuk është peng e as do jetë peng i atyre që dje ishin në pushtet për hesapet e tyre e nesër duan përsëri pushtet për hesapet e tyre. Nëse politika e madhe të është neveritur, të duket si luftë apo si cirk, zgjidhe në 18 qershor te kutia e votimit. Bëhu bashkë me të gjithë ata që iu ka ardhur në majë të hundës nga 25 vjet me politikanë e politikë që dinë vetëm të majmen, të flasin por jo të punojnë. Bëhu bashkë me ata që politika e 25 viteve i ka braktisur, i ka lënë të dobët. Mos u lodhni me gjëagjëza, koalicioni ynë më i rëndësishëm është këtu, në çdo lagje, në çdo rrugë, në çdo derë, me çdo njeri, burra, gra, të rinj e të reja. Koalicioni ynë është me shqiptarët për Shqipërinë që duam. Me ata që duan shtet, drejtësi’’ – theksoi ndër të tjera Tahiri. /b.d