”Gjashtë fshatra të Bashkisë Tiranë, Kasallë, Çekrez, Qinam, Kallmet, Orit dhe Rradhesh ku jetojnë 5 mijë banorë, janë lënë në mëshirë të fatit pas Reformës territoriale”, u shpreh deputetja e PD-së Jorida Tabaku.
Deputetja Jorida Tabaku ishte në këto zona ku banojnë rreth 5 mijë qytetarë por ku, sipas saj, nuk ka pasur asnjë investim.
Qytetarët u ankuan se nuk kanë ujë, rrugë dhe investime, duke shtuar se se kanë harxhuar 6 milionë lekë për të hapur puset. “Blejmë çdo vit pompa nga 700 mijë lek. Tokat nuk përdoren sepse nuk ka ujë”, thotë një banor.
Jorida Tabaku theksoi se taksat e ulëta janë një mundësi për hapjen e vendeve të reja të punës që të rinjtë të mos largohen nga vendi.
“Një zonë pothuajse e izoluar e cila duhej të ishte pjesë e administrative e Tiranës, por fatkeqësisht e kanë ndarë dhe e kanë izoluar duke e kthyer në një zonë të varfër, një zonë pa asnjë mundësi mbijetese. Banorët më thonë që kanë kohë që nuk shohin një përfaqësues të qeverisë, kanë kohë që nuk vjen një investitor në këtë zonë për të ofruar një mundësi punësimi e vetmja mundësi punësimi është për zonjat e kësaj zone në fasonë të cilët ndodhen pothuajse një orë e gjysëm larg”, tha deputetja e PD-së.
Po ashtu Tabaku shtoi se “Këta qytetarë të Tiranës paguajnë çdo taksë, edhe taksa të rritura, paguajnë energjinë elektrike, edhe atë të rritur, paguajnë vetë për të sjellë ujin në shtëpitë e tyre, ndërkohë që shteti nuk u jep asgjë në këmbim”.
/b.d










