• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Thursday, December 18, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Ta duam Atdheun si shqiptarët Amerikën

by Mustafa Nano
25/09/2017 12:10
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Mustafa Nano

I dashur Zoran! Duke lexuar letrën tuaj, e kapa veten buzagaz në momentin kur ju merreshit me një ide paranojake të atyshme, sipas së cilës letërkëmbimi ynë është pjesë e një plani për t’ia bërë jetën më të lehtë Presidentit Vuçiq në dialogun e brendshëm mbi Kosovën. Me të njëjtën paranojë shoqërohet edhe këtu ky letërkëmbim, veçse në këtë rast motivimet e skenari janë antishqiptarë.

Thuhet “në takimin e udhëheqësve ballkanikë në Trieste u ra dakord për krijimin e një zone ekonomike rajonale, gjë që synon ringjalljen e një Jugosllavie të re, timonin e së cilës do ta kenë si gjithnjë serbët; dhe Zoran Panoviq e Mustafa Nano janë zëdhënësit mediatikë të këtij plani”.

I bukur ishte edhe fiksimi tjetër paranojak e konspirativ, sipas të cilit vendimi për të ekstraduar në Beograd Ismail Morinën, njeriun e dronit, është një lojë e kroatëve për rindezur sherrin mes serbëve e shqiptarëve e për të penguar në këtë mënyrë “dialogun tuaj të brendshëm mbi Kosovën”, e ndoshta – këtë po e shtoj unë – edhe nismën e Triestes për integrimin ekonomik të Ballkanit. Meqë ra fjala, Ismail Morina ka bërë shumë njerëz krenarë këtej nga anët tona. U ka fituar zemrën të gjithëve me gjetjen e tij (harta e Shqipërisë së Madhe, tok me portretet e Ismail Qemalit e Isa Boletinit, i pari nga Vlora, i dyti nga Mitrovica, që varej mbi kokat e spektatorëve serbë në një shfaqje me audiencë europiane). Nuk mund ta përfytyroni dot se me sa ngazëllim kanë folur, e flasin, shqiptarët mbi atë që ai bëri. Ai është shpallur një hero. E jo një hero dosido, por një hero antiserb. Dhe dihet tanimë që heronjtë antiserbë janë soji më i fisëm e më i çmuar në panteonin e nderit e të krenarisë shqiptare.

Prandaj, një aventurë e Morinës nëpër gjyqet e burgjet e Serbisë do të na e pasuronte edhe më tepër këtë panteon. Mirëpo, kjo është gjëja e fundit që na lipset në këtë moment. T’ju them të drejtën, nuk e kam shumë të qartë se çfarë thonë ligjet serbe për një provokacija si ajo që bëri Ismail Morina, por do doja shumë që autoritetet serbe të hetimit të gjenin ndonjë yçkël ligjore për ta tërhequr kërkesën për ekstradimin e tij, apo që gjykatat serbe, nëse ekstradimi do ndodhë, të gjenin arsye për ta liruar në sallën e gjyqit. Do ishte një gjest domethënës. Ja, mendoje pak: Një gjykatë serbe që liron në sallën e gjyqit një shqiptar që ka bërë shoë me irredentizmin e tij në Serbi. Efekti do ishte shtendosës. Dhe ndoshta emancipues. Apo me këtë jam duke mbushur ujë me shoshë? (Nuk mund të mungonte në gjuhën shqipe kjo shprehje). Në çdo rrethanë, do na bëhej një shërbim i mirë ne shqiptarëve. Do kishim një hero më pak. Nuk di pse mendoj se, në Ballkan, një hero më pak është baras me një shans më shumë për paqe.

Vetë Morina në këtë moment, më shumë sesa për famën e vet prej heroi, duket i shqetësuar mbi fatin e tij. “Serbët mund të më marrin vetëm të vdekur”, -tha javën e shkuar ai. E shoqja e tij u përgjërohet autoriteteve shqiptare: “Ma shpëtoni burrin; nëse përfundon në Serbi, jeta e tij është në rrezik”. Por shqetësimi ka dalë jashtë familjes “Morina”, tanimë. I njëjti apel u është bërë autoriteteve shqiptare edhe nga njerëz të tjerë, të cilët kushedi se si e përfytyrojnë një ballafaqim të Ismail Morinës me hetuesit, gjyqtarët apo gardianët e burgjeve serbe! Më vjen të pyes: Mos vallë atje, në Beograd, është duke e pritur ndonjë xhelat që, ashtu si Abidaga në romanin e Ivo Andriqit (Ura mbi Drin), do ta torturojë e do ta fusë në hell Ismail “Radisav” Morinën? Jemi ende te paranojat. Por këtu po ndërroj argument.

Pyetja, me të cilën e mbyllnit letrën tuaj: “A thua ju në Shqipëri u frikësoheni rusëve së paku gjysmën e

asaj që ne i duam?”, bëri të më vijë në mendje një moment prej takimit tonë në Tiranë. Nuk di nëse të kujtohet. Ne ishim duke ecur diku pranë bulevardit qendror, dhe ti në një moment u ndale, dhe the: “Ah, këtu qenka ambasada ruse!”. Dhe ia bëre me gisht në drejtim të flamurit tringjyrësh të ngritur mbi pullazin e ambasadës ruse. Nuk mbaj mend nëse ta thashë atë ditë, por ja, po ta them tani: Unë kisha kaluar me qindra herë atypari, por asnjëherë nuk isha bërë kureshtar të ktheja kryet nga flamuri rus. Madje, sikur të më kishe pyetur para atij momenti, se ku ndodhej ambasada ruse, do të më ishte dashur të mendohesha një copë herë, derisa të ftillohesha: “Ambasada ruse? Hm, duhet të jetë diku…. nuk më kujtohet mirë… ah, po, është buzë Unazës, midis Bllokut dhe bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’”.

Edhe diçka tjetër. Janë të rrallë komentatorët politikë të Tiranës që e dinë emrin e ambasadorit rus në Tiranë. As për fytyrë nuk e njohin. Për një vend si Shqipëria, ku ambasadorët janë protagonistë të jetës publike, e ku lajmet me ambasadorë nuk mungojnë asnjë ditë në ditaret televizive, ky mund të duket një fakt i çuditshëm. Mirëpo nuk është i tillë për një arsye shumë të thjeshtë. Në Shqipëri ka një frymë antiruse, që shprehet publikisht pa të keq, nga të gjithë. Edhe nga politikanët, mes të cilëve bie në sy kryeministri Rama. “Mos na braktisni, mos na lini të biem në duart e rusëve”, -tha ai për të përditshmen londineze “The Telegraph” më 24 shkurt të këtij viti. Apeli u drejtohej amerikanëve dhe europianëve, merret vesh. “Nëse BE-ja do mungojë në Ballkan, vendin e saj do ta zërë Rusia”, -tha ai për gazetën “Le Monde” dy muaj më vonë, më 1 prill. Ndërsa në një veprimtari të NATO-s që u mbajt në Tiranë këtë muaj, në datën 17, Rama shtroi nevojën e anëtarësimit në organizatën e Atlantikut të Veriut edhe të Serbisë, Bosnjës, Kosovës e Maqedonisë, pasi “një i tretë ka filluar të rrisë ndikimin në Ballkan”. I treti, kuptohet, është Rusia.

Ndërsa ambasadori amerikan është një nga njerëzit më të njohur në vend. Dhe një nga më të fuqishmit. Dhe këtë nuk e them për ta denoncuar si një uzurpator. Të rrimë shtrembër e të flasim drejt, ambasadori amerikan në Shqipëri nuk është uzurpator. Ai e ushtron këtë pushtet me miratimin e shqiptarëve. Sikur Demostati juaj të bënte këtu te ne një anketim me pyetjen: Ju bezdis apo ju ngushëllon ndikimi i madh i ambasadorit amerikan në jetën politike shqiptare?, ma thotë mendja se një shumicë e qartë votuesish do të përgjigjej: Na ngushëllon.

E dini? Klasa jonë politike nuk kishte asnjë dëshirë e interes ta bënte reformën në drejtësi. Një pjesë e saj bëri çmos ta sabotonte atë. Dhe nuk e fshehu hiç që donte ta sabotonte. Por në fund, u shfaq ambasadori amerikan, deus ex machina. Presioni i tij ishte i hapur, jashtë çdo etike diplomatike. Ishte falë këtij presioni që ajo reformë, e cila i duhet vendit, kaloi në parlament. Me votat e të gjithë deputetëve. Dhe me “të gjithë”, nuk kam parasysh deputetët e pranishëm në seancë. Jo, kam parasysh të gjithë deputetët e zgjedhur. Atë ditë, dikush u ngrit i sëmurë nga shtrati, dikush la babanë në agoní, dikush erdhi me urgjencë nga jashtë vendit, dhe të gjithë e mbajtën frymën në parlament. Atë shfaqje vetë ambasadori amerikan e ndoqi live, nga lozha, si të donte t’u thoshte deputetëve: Hej, kujdes, Vëllai i Madh po ju vëzhgon. Rezultati? 140 vota pro. Asnjë kundër. Pas kësaj, unë kam sugjeruar në formë shakaje që, për të evituar një lloj teatri të panevojshëm, me anë të një amendamenti, ta shndërrojmë postin e ambasadorit amerikan në një institucion kushtetues. Nuk ka shumë kuptim që Presidenti i Republikës, kryeministri etj., të jenë funksione kushtetuese, ndërsa kreu i ambasadës amerikane, jo.

Dashuria e shqiptarëve për Amerikën është bërë proverbiale, tanimë. Ju kujtohet se si ne shqiptarët e pritëm presidentin amerikan në vitin 2007? Nuk besohej më atëmot se mund të gjendej në ndonjë cep të planetit një turmë njerëzish, sado e vogël, që ta rrethonte dashamirësisht George Ë. Bushin. Por kjo ndodhi në mënyrën më të bujshme që mund të përfytyrohej. Njerëzit anë e mbanë botës nuk u besonin syve kur e shihnin Bushin të rrethuar nga njerëz që donin ta preknin, t’i jepnin dorën, t’i merrnin një autograf. Dhe më e pabesueshmja ishte që kjo gjë po ndodhte në një vend – ky ishte një saktësim që nuk harronte asnjë reporter ta bënte – “me shumicë myslimane”. Duhet të kenë hequr shumë reporterët për të pajtuar këtë fakt të fundit me faktin që Shqipëria – kështu thuhej në Neë York Times – “është një vend papërkulshmërisht proamerikan”.

Unë mendoj që shqiptarët do të mbeten proamerikanë. Prej mirënjohjes, nëse jo prej dashurisë. Prej nevojës, nëse jo prej dëshirës. Pastaj, shqiptarët e serbët janë ende duke jetuar në stinën e armiqësisë mes tyre, e në këto rrethana është edhe dashuria serbe për Rusinë që i jep kuptim dashurisë shqiptare për Amerikën, e të dyja bashkë i japin ende kuptim ekuacionit gjeopolitik “Serbi + Rusi versus Shqipëri + SHBA”. Anëtarësimi në BE mund të na shpëtonte edhe prej këtij leximi gjeopolitik të Ballkanit të sotëm. Mirëpo BE-ja, ku gjërat janë disi të paqarta e të rrëmujshme këto kohë, nuk na ofron më shumë sesa një “galopim kërminjsh”.

Të shpresojmë se gjërat do lëvizin më shpejt, sidoqoftë. Unë jam pak më optimist se ju në këtë pikë. Por do t’ju shkruaj një herë tjetër për këtë çështje.

Next Post
Lista ‘Rama’/ Furtunë në Prokurori, Llalla shkarkon 2 prokurorë, e kishin emrin në listë

Rivlerësimi i prokurorëve, Llalla: Përfundon këtë javë

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Berisha fton Ramën në debat dhe u bën mediave skenarin: Vendosni dy karrige dhe pastaj…

“Mishëron rrezatimin negativ”, Rama për Berishën: Komunisti ultrafanatik u kthye në konservator

December 18, 2025
1640593911_basharama1

Marrëveshja e 17 Majit, Rama zbulon për herë të parë: Bashën e mora në Elbasan! Berisha e bekoi 100%

December 18, 2025
Rama flet për refleksionet e tij në ‘90: Kur përmenda emrin e Enver Hoxhës, si seancë ekzorcizmi

Rama flet për refleksionet e tij në ‘90: Kur përmenda emrin e Enver Hoxhës, si seancë ekzorcizmi

December 18, 2025
Pezullimi i Ballukut, Avokati: Vetëm në Afrikë ka patur raste të ngjashme! Ashpërsimi i masës ndodh vetëm kur…

Pezullimi i Ballukut, Avokati: Vetëm në Afrikë ka patur raste të ngjashme! Ashpërsimi i masës ndodh vetëm kur…

December 18, 2025
Shefi i NATO-s alarmon SHBA: Kina po ndërton ushtrinë 200 herë më shpejt

“Reagimi do jetë shkatërrues”, Rutte: Ukraina do të jetë vija e parë e mbrojtjes

December 18, 2025
“Nuk e ushtronte autoritetin për…”, Rama flet për babain: I detyrohem një gjë të madhe…

“Nuk e ushtronte autoritetin për…”, Rama flet për babain: I detyrohem një gjë të madhe…

December 18, 2025
Berisha tregon bashkëbisedimin me Ramën në foto: Më tha të varet nga një komunist dhe anëtar i KQ në shtyllë

“Më lëkundeshin gjunjët”, Rama kthehet 35 vite pas: Sigurimi më tërhoqi prej flokësh!

December 18, 2025
“SPAK po i bën opozitës “peshqesh politik”, por nuk e përdorin dot sepse janë të mjerueshëm”

“SPAK po i bën opozitës “peshqesh politik”, por nuk e përdorin dot sepse janë të mjerueshëm”

December 18, 2025
Zogaj sfumon protestën e PD në Kuvend: Nuk është më aktore në betejën kundër korrupsionit

Zogaj sfumon protestën e PD në Kuvend: Nuk është më aktore në betejën kundër korrupsionit

December 18, 2025
“Këta të vjedhin, të rrahin dhe të dënojnë”, ankohet Korreshi: Rama ka bërë gjenocid me buxhetin!

“Këta të vjedhin, të rrahin dhe të dënojnë”, ankohet Korreshi: Rama ka bërë gjenocid me buxhetin!

December 18, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In