Kandidati i PS për Bashkinë Fier, Armando Subashi i ftuar në emisionin “Debat” në A2CNN ka refuzuar të marrë pjesë duke argumentuar se nuk dëshiron të faktorizojë kundërshtarët në garë. Drejtuesja e emisionit, Alba Alishani bën këtë shpjegim në emër të redaksisë për këtë refuzim të kandidatit socialist:
Fieri është cilësuar hambari i socialistëve në çdo proces zgjedhor, lokal, por kryesisht parlamentar, pasi është një nga Qarqet që prodhon më shumë mandate deputetësh.
Bashkia e këtij qyteti historikisht është drejtuar nga socialistët. Rekordin me 3 mandate e ka pasur Baftjar Zeqo, 2003-2015. E që prej atij viti Bashkinë e drejton Armando Subashi, i cili në 14 maj është kandidat për mandatin e tretë, në gjurmët e Zeqos. Ndërkohë Koalicioni “Bashkë Fitojmë” kandidon me Zotin Evdar Kodheli, ndërsa Partia Demokratike e Alibeajt me Zonjën, Eriselda Zotaj Çelaj.
I vetmi që deri më sot ka refuzuar të bëhet pjesë e programit të A2 CNN, në një prej formave që sapo i përmenda, është kryebashkiaku i Fierit dhe kandidati i socialistëve atje, Armando Subashi. Pas një komunikimi prej një muaji të stafit të A2 CNN, Subashi tha se nuk do të bëhet pjesë e programit sot. Madje stafi i tij argumentoi se Subashi nuk dëshiron që të faktorizojë dy kandidatët e opozitës në këtë qytet.
Por në Debatin për Fierin do ta realizojmë duke lënë karrigen bosh për zotin Subashi gjatë gjithë programit, ndërsa në lidhje të drejtpërdrejtë nga Fieri njëri pas tjetrit do të kemi dy kandidatët e opozitës.
/s.f