Një operacion ndërkombëtare anti-drogë i koduar “Enigma” është zhvilluar nga policia Italiane dhe ajo shqiptare, ku në pranga kanë rënë 16-të persona, ndërsa janë shpallur në kërkim pesë të tjerë.
Lajmi është bërë i ditur nga Policia e Shtetit përmes një deklarate për shtyp. Përfaqësues të Policisë së Shtetit dhe Policisë Italiane, sqarojnë se droga transportohej nga vendi ynë drejt Italisë përmes automjeteve apo kampioneve dhe dorëzohej në Veneto e Trentino Alto Adige, ku grupimi i strukturuar kriminal kishte organizuar një laborator në të cilën ishte ngritur baza logjistike për të bërë përpunimin dhe paketimin e lëndës narkotike.
Përfaqësues nga Policia e Shtetit sqarojnë se sot rreth orës 05.00 të mëngjesit në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Enigma”, u arrestuan, Klevis Sena 26 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë dhe Gentian Meçollari 31 vjeç lindur dhe banues në Tiranë. 14 të arrestuarit e tjerë të këtij operacioni janë prangosur në Itali.
Ata janë; Kastriot, RIZAJ , 34 vjeç. Hajri, BALLA 52 vjeç. Algen BUSHI, 32 vjeç. Martin SINANI, 32 vjeç.
Alket PLAKU, 38 vjeç. Ermal DORDA, 30 vjeç . Durim VISHKURTI , 35 vjeç. Sokol COTA, 39 vjeç. Ardit KURTI 32 vjeç.Fisnik KUCI, 30 vjeç Shahin MECOLLARI, 28 vjeç Armando SHERKO , 29 vjeç HAXHIAJ Gerald, 28 vjeç
Erion CULLHAJ 27 vjeç.
Kjo lëndë me t’u bërë gati në Veneto, transferohej shpërndahej për t’u shitur në zonën në fjalë, por dhe në Lombardi e Toskan. Mësohet gjithashtu se paratë e fituara nga shitja ktheheshin sërish në vendin tonë, ku ripërsëritej cikli.
Në Itali operacioni është shtrirë në zonën e Venetos, Trentino Alto Adige, Emilia Romagna dhe Umbria. Hetimet e Guardia di Financa po drejtohen nga prokuroria e Venecias dhe janë kryer në bashkëpunim të ngushtë me policinë shqiptare. Mësohet se po vijojnë hetimet për grupin kriminal në fjalë, i cili punonte me celula të ndara, me qëllim që arrestimi i një grupi personave të mos ndikonte në punën e grupimeve të tyre.
Sipas hetimeve është mësuar se grupimi në fjalë ndërronte fjalëkalimin me të cilat merreshin vesh, duke i kthyer komunikimet e tyre në kode vështirësisht të dëshifrueshme; “Enigëm”. Përfaqësueseit e Policisë thanë se nuk dihej ende origjina e drogës.
Si rrjedhoi e hetimeve të policisë lidhur me këtë strukturë janë arrestuar në flagrancë të 16 personave, ndërsa 5 të tjerë janë ende në kërkim. Gjithsej janë lëshuar 21 urdhërarreste.
Në konferencë ishin të pranishëm; Përfaqësuesi i policisë Shqiptare, njëherësh dhe kordinator i policisë se shtetit me policinë italiane Artur Beu. Major Antonello Iacca përfaqësues i Guardia di Finances. Kapiten Diego Morelli përfaqësues i Drejtorisë Qendrore të shërbimit Antidrogë të Italisë.
Deklarata e plotë e Policisë së Shtetit:
Sot më datë 28 tetor 2015, në orët e para të mëngjesit është finalizuar me sukses operacioni ndërkombëtar “Enigma”.
Ky operacion është zhvilluar nga Drejtoria e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve te Rënda, Prokurorinë Italiane të Venecias, Guardia di Financa dhe Zyrën Ndërlidhëse Interforcë në Tiranë si dhe me mbështetjen e Drejtorive të Policisë Vendore Tiranë dhe Durrës.
Hetimet kanë mundësuar identifikimin e një grupi kriminal transnacional të përbërë nga subjekte me origjinë shqiptare të cilët vepronin në territorin Italian duke tregtuar sasi droge e duke investuar më pas përfitimet në sektorin turistik dhe hotelerisë. Hetimet kanë filluar në vitin 2010 nga Gjykata e Venecias e cila në përfundim të hetimeve ka lëshuar 21 urdhër arresti për personat përgjegjës të këtij grupi kriminal.
Vendimi është ekzekutuar në të njëjtën kohë si në territorin shqiptar ashtu dhe në territorin italian në bashkëpunim të ngushtë midis Autoriteteve Gjyqësore dhe Policisë së të dy vendeve, me koordinimin e policisë të Drejtorisë Qendrore të Antidrogës, të Shërbimit Qëndror për Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Policisë dhe të Ministrisë së Brendshme si edhe të Komandës së Përgjithshme të Guardia di Finanza – Reparti i 2të.
Janë në vazhdim kontrolle në Itali dhe në Shqipëri si dhe janë impenjuar forca të shumta policore nga të dy policitë në bashkëpunim dhe koordinim të plotë. Deri tani janë arrestuar 16 persona në flagrancë dhe janë shpallur në kërkim 5 persona të tjerë. Lidhur me mënyrën e të vepruarit të grupit kriminal, Droga me origjinë të paditur, në bordin e autoveturave dhe të kamionëve arrinte në Veneto dhe në Trentino Alto Adige ku grupi kriminal dispononte bazat logjistike për përpunimin dhe konfeksionimin. Më pas sasitë e lëndës narkotike shpërndaheshin në Veneto, Trentino Alto Adige, Lombardi dhe Toskana.
Organizata kriminale e cila ishte në gjendje të fuste në tregun italian deri në një ton heroinë në vit, kishte krerët e saj në Shqipëri dhe ndërtohej sipas kësaj skeme; Një qelizë shpërndarje dhe dorëzimi të lëndës narkotike me bazë në Trento; Një qelizë e dytë logjistike në Trento e ngarkuar për mbledhjen e parave në dorë dhe të transferimit të tyre në Shqipëri nëpërmjet korrierëve në bordin e autoveturave të pajisura me një fund të dyfishtë ose nëpërmjet rrugëve ajrore; Një grup i ngarkuar për pritjen, përpunimin dhe shpërndarjen e ngarkesave të heroinës që ndodhej në Roverkiara (VR); Një strukturë kriminale që ndodhej në Padova, e cila kishte si detyrë lidhjen ndërmjet trafikantëve të zonës dhe krerëve të organizatës, gjithashtu merrej dhe me shpërndarjen e lëndës narkotike dhe me mbledhjen e parave.
Struktura ishte ndërtuar në mënyrë të tillë që atëherë kur një qelizë e vetme do të neutralizohej nga forcat e policisë, organizata do të vazhdonte të furnizonte tregun me lëndë narkotike dhe mbi të gjitha do të ishte shumë e vështirë të arrihej tek degëzimet vepruese. Paratë që buronin nga shitja e drogës dërgoheshin në Shqipëri nëpërmjet korrierëve për t’u përdorur për blerjen e lëndës narkotike dhe për realizimin e investimeve në pasuri të patundshme.
Hetimet teknike kanë treguar një cilësi të veçantë të grupit kriminal, i cili përdorte për komunikimin në distancë, një kod alfanumerik, periodikisht i rinovuar. Që këtu rrjedh emri “Enigma” për operacionin që i referohet kodeve që përdoreshin nga forcat e armatosura gjermane gjatë luftës së dytë botërore.