Mediat e huaja raportojnë detaje në lidhje me sulmet në Kiev gjatë natës që lamë pas. Kryebashkiaku i Kievit tha se ka pasur shpërthime në lagjen Darnytskyi në periferi të kryeqytetit.
Punonjësit e shpëtimit dhe mjekët ishin në vendngjarje, tha Vitali Klitschko në një postim në rrjetet sociale.
Mbetet ende e paqartë nëse ka pasur viktima dhe çfarë konkretisht është goditur.
Mbrëmja e djeshme ishte nata e dytë radhazi që rajoni i Kievit është vënë në shënjestër nga sulmet ruse, pas dy javësh qetësi relative në zonë.
Anna Budko, një banore vendase, i tha korrespondentit të BBC-së Yogita Limaye:
“Ndonjëherë harron se ke ende frikë nga çdo tingull, edhe nëse ai vjen nga shtëpia e fqinjit, ose nëse dikush përplas derën e makinës. Dridhesh dhe përpiqesh ta kapërcesh atë ndienjë frike. Asnjë fjalë nuk mund ta përshkruajë sa e frikshme është.”
Sulmet vijnë pasi Rusia të premten kërcënoi të intensifikonte luftimet ndaj objektivave strategjikë në Kiev nëse Ukraina vazhdon të bombardojë fshatrat ruse përgjatë kufirit.
g.kosovari











