Nga Armando Meta/
A i plotëson projektbuxheti i vitit 2018, që pritet të jetë nesër objekt debati në Kuvend, prtishmëritë në lidhje me zbatimin e strategjisë së strehimit social 2016- 2025? Tavanet ekzistuese të përfshira në projektbuxhetin e vitit 2018 duket se nuk e mundësojnë arritjen e objektivave të përcaktuara për zhvillimin e programeve të ndryshme për strehimin e grupeve në pozita të pafavorizuara në 61 njësitë e vetëqeverisjes vendore. Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë në bashkëpunim me ekspertë të pavarur ka realizuar analizën rreth nivelit dhe shperndarjes se financimit për strehimin social. Kjo analizë i është dërguar zyrtarisht edhe drejtuesve të grupeve parlamentare si dhe kryetarëve të komisioneve parlamentare që kane si object të punës këtë sektor. Në bazë të analizës del si rezultat se duhet rritur financimi saa i përket strehimit social, në funksion të drejtësisë sociale, rritjes së cilësisë dhe efikasitetit të rolit të shtetit në këtë fushë.
Parashiki në projektbuxhet
Mbështetur në të dhënat e paraqitura në projektbuxhet, Ministria e Financave planifikon të njëjtin nivel shpenzimesh për të gjithë periudhën 2018- 2020. Buxheti për strehimin është 550 milion lekë për çdo vit përgjatë kësaj periudhe ose 4.14 milionë Euro. Në vitin 2017 buxheti për strehimin është lehtësisht më i lartë 560 milionë. Me këtë nivel financimi objektivi i strategjisë për strehim social do të mund të arrihet rreth 11 vjet më vonë se mandati i strategjisë..
Konstatimet
Buxheti për strehimin në përqindje të PBB është 0.03% ndërsa në përqindje të shpenzimeve buxhetore të konsoliduara është 0.10%, një përqindje kjo mjaft e ulët për të patur impakt në grupet në nevojë për strehim.
Nga analiza rezulton se për programin e strehimit nuk parashikohen shpenzime operative ndërkohë që fondi është vendosur nën Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë ndërsa planifikimi urban i ka kaluar për kompentencë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Kjo situatë nuk tregon qartë se cila strukturë do të menaxhojë fondet dhe zbatojë produktet e parashikuara në programin e strehimit. Gjithashtu mbetet e paqartë se kush do të hartojë politkat e strehimit, legjislacionin (ligji i ri dhe aktet nen-ligjore) dhese kush do të realizojë monitorimin gjendjes së strehimit në shkallë vendi.
Në strategjinë për strehimin social për periudhën 2016-2025 është planifikuar një buxhet prej 3,484,317,624 lekë ose 26.2 milionë Euro për zbatimin e masës “Zhvillimi i subvencioneve të ndryshme dhe granteve për strehimin e grupeve të mesme dhe grupeve në pozita të pafavorizuara në 61 njësitë vendore”. Sipas PBA-së, shuma e alokuar për këto produkte për periudhën 2017-2020 është 26% e shumës totale të parashikuar për të financuar strategjinë e strehimit. Niveli i financimit nga buxheti i shtetit të planifikuara për këtë masë është i ulët dhe nuk garanton arritjen e treguesve të përcaktuar në strategji.
Nga analiza vërehet se 55.7% e shpenzimeve të programit të strehimit për vitin 2018 alokohet për produkte që shërbejnë për grupet në nevojë si familje një prindërore/gra të divorcuara me fëmijë që përfitojnë bonus strehimi, familje në nevojë që përfitojnë grant të menjëhershëm PAK dhe jetimët, banesa të komunitetit Rom dhe Egjiptian të përmirësuara, familje në nevojë që përfitojnë bonus qiraje strehimi dhe familje të strehuara në godina në pronësi të NJQV. Sasia e fondeve të alokuara nuk arrin të mbulojë nevojat financiare për programet sociale të strehimit sipas strategjisë së strehimit social.
Nga analiza vërehet se 43.8% e buxhetit të programit të strehimit për vitin 2018 shkon për produktin C, “Familje që përfitojnë kredi të lehtësuar” ndërkohë që studimet kanë treguar që pjesa dërrmuese e përfituesve nga ky produkt konsiderohen familje me të ardhura të mesme të ulëta.
Detyrimet e krijuara për kreditë e financuara
Në PBA 2018-2020 është parashikuar një produkt i veçantë që mbështet me subvencione bashkite për dhënien e bonusit të strehimit për familjet në nevojë. Shpenzimet për këtë produkt rriten me 33.3% në vitin 2018 ndërsa për vitin 2019 është planifikuar më shumë se dyfishi i shpenzimeve krahasuar me vitin 2017. Buxheti i alokuar për këtë produkt është 16 milion lekë ose 120,300 Euro. Numri i familjeve përfituese është 150 dhe çdo familje përfiton mesatarisht 802 Euro në vit. Është për tu theksuar se buxheti për të financuar këtë produkt në 2018 është më i ulët se ai i miratuar në vitin 2016 dhe se nga ky fond mund të përfitojnë mbështeje financiare më pak se 3 familje në secilën Bashki
Për produktin H (Familje të komunitetit Rom dhe Egjiptiane me kushte jetese të përmirësuara) planifikohet i njëjti nivel shpenzimesh për periudhën 2018-2020. Buxheti për vitin 2018 rritet më 7.14% krahasuar me buxhetin e alokuar në vitin 2017.
Niveli i financimit për vitin 2018 për Produktin I “Familje të strehuara në godina në pronësi të NJQV, të rikonstruktuara” gjykohet në nivel shumë të ulët në raport me nevojat.
Rekomandimet e eskpertëve
1. Strategjia e Strehimit Social kërkon që Qeveria Shqiptare të rrisë tavanin buxhetor për programin e “Strehimit” për periudhën 2018-2020, me të paktën 2,6 herë. Tavanet ekzistuese nuk mundësojnë arritjen e objektivave të përcaktuara për zhvillimin e programeve të ndryshme për strehimin e grupeve në pozita të pafavorizuara në 61 njësitë e vetëqeverisjes vendore.
2. MFE duhet të shohë mundësinë e rritjes së numrit të përfituesve për strehimin e grupeve në pozita të pafavorizuara. Targetet e përcaktuara janë të ulëta krahasuar me numrin e kërkesave të identifikuara nga studimi i realizuar nga PNUD2 dhe rreth 2,6herë më të ulëta se ato të përcaktuara në strategji.
3. Mungesa e shpenzimeve operative si dhe kalimi i fondit për strehimin tek MFE, paqartesia se cila ministri do të këtë kompetencat për hartimin e politikave rrezikon zbatimin efektiv të programit të strehimit për vitin 2018. Nevojitet qartësim dhe zgjidhje efektive në raport me kompetencat dhe fushën e ekspertizës së institucioneve qëndrore në kuadër të zbatimit të politikave të strehimit social dhe mjeteve financiare që burojnë nga buxheti i shtetit.
4. Shumë bashki kanë mundësi fare të pakta financiare për të përballuar nevojën për strehim. Për rrjedhojë sugjerojmë që financimi i programeve të strehimit që u përgjigjen familjeve me të ardhura të ulëta dhe që mbështeten në burime fincancimi lokale të subvencionohen në masë më të madhe nga buxheti i shtetit.
5. Rekomandojmë të parashikohen fonde më të mëdha për të mbështetur me subvencione bashkitë për trajtimin e aplikantëve me bonus strehimi. Aktualisht me fondin në dispozicion për vitin 2018 mund të përfitojnë mesatarisht 2 familje për bashki, ndërkohë që nevojat e identifikuara nga studimet e realizuara në fushën e strehimit tregojnë se nevojat janë shumë herë më të mëdha. rekomandohet që për këtë produkt të miratohet një rritje progresive duke iu referuar të paktën nivelit të parashikuar për vitin 2016. Buxheti për këtë produkt për vitin 2018 është më i vogël se ai i shpenzuar gjatë në vitit 2016.
6. Rekomandojmë rritjen e buxhetit për produktin “Familje të strehuara në godina në pronësi të NJQV, të rikonstruktuara”. Kjo për dy arsye: së pari pasi potenciali i Bashkive kryesore për zbatimin e Produktit I, është rritur si pasojë e reformës administrative dhe transferimit të një numri të madh asetesh dhe objektesh në pronësi të bashkive dhe së dyti, pasi buxheti lokal për ti vënë ato në funksion të strehimit social është i dobët.
7. Rekomandojmë të parashikohen fonde për produktin “Ndërtim i strehave të përkohshme në funksion të rasteve të fatkeqësive natyrore ose dëbimeve si pasojë e investimeve për interes publik”. Ky produkt bëhet edhe më i domosdoshëm në kushtet kur mekanizimi i bonusit të strehimit nuk mund të jetë funksional si pasojë e rrethanave urgjente apo faktorëve të tjerë.
8. Konstatojmë gjithashtu se nuk ka një produkt për banesa me kosto të ulët. Rekomandojmë që të parashikohet financim dhe për këtë produkt për ato bashki që kanë regjistruar kërkesa të larta për strehim nga familje me të ardhura të ulëta por që nuk kanë në dispozicion objekte të dala jashtë funksionit që mund të përshtaten për strehim. .
9. Së fundi, rekomandojmë rishikimin sa më parë të projektligjit “Për strehimin social” për efekt ndryshimesh institucionale dhe ri-dergimin e tij në Kuvend. Mosmiratimi i ligjit pamundëson krijimin e fondit të strehimit dhe shtimin e programeve të strehimit për familjet me të ardhura të ulëta dhe shumë të ulëta ndërkohë që nevojat për strehim mbeten të larta.