Ilir Meta shumë shpejt do të veshë kostumin e politikanit. Meta i ka ditët e numëruara në krye të Presidencës, për shkak se pas 24 korrikut zyrtarisht nuk do të jetë më në krye të shtetit. Kryefoltoristi Sali Berisha dhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Monika Kryemadhi deri më tani kanë përgatitur terrenin për të katapultuar Ilir Metën në krye të opozitës. Gazeta “SOT”, gjatë ditëve të fundit ka deklaruar se Meta fillimisht do të rikthehet në partinë që ai krijoi, Lëvizjen Socialiste për Integrim, ndërkohë që synimi i tij është marrja e frenave të opozitës, duke bashkuar LSI-në me “Foltoren” e udhëhequr nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Ja strategjia që do ndjekë Ilir Meta pas 25 korrikut
Partia e çiftit Meta-Kryemadhi do të pësojë ndryshime të rëndësishme pasi Ilir Meta të lërë mandatin e Presidentit pas 3 ditësh. Zhvillimet e reja i kanë paralajmëruar eksponentët e LSI, të cilët kanë dhënë idenë sesi Meta do të vijë ne realitetin e ri politik. Lëvizja Socialiste për Integrim do të zhvillojë një konventë të rëndësishme me 25 korrik, ku në fokus do të jenë zgjedhjet lokale të 2023. Ne do të kemi një konventë shumë të rëndësishme me 25 korrik. Do jetë një konventë ku në fokus do të ketë zgjedhjet lokale të 2023. Kjo konventë do të jetë një hapje e LSI-së ndaj kujtdo që mendon se Shqipëria ka nevojë për opozitën. Gjithë eksperienca e tij është një vlerë e shtuar për opozitën. Ka një ide se si do vijë në realitetin e ri politik, ka qenë shumë i qartë për të pasur një opozitë të fortë, të vërtetë që i shërben shumë vendin në këtë moment krize. Kam një bindje që vota e shqiptarëve është përcaktuese për pozicionin e çdo force politike”, kanë thënë zyrtarë të LSI pak kohë më parë. Pra nisur nga këto lëvizje të forta në prapaskenë, duket qartë që eksponentë të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Grupimit të Rithemelimit i njohur ndryshe si “Foltorja”, e kanë bërë gati terrenin për rikthimin e Ilir Metës në politikë. Gjithashtu, Sali Berisha i vuri “vulën” bashkimit të madh me Metën. Berisha e cilësoi Metën një aleat të çmuar, ndërsa theksoi se është i hapur të bashkëpunojë me të për largimin e kryeministrit Edi Rama. Do jetë një aleat i çmuar me të cilin jemi të hapur për të bashkëpunuar për largimin e regjimit të Edi Ramës. Bashkëpunimi është gjëja më e natyrshme, por siç e patë LSI ishte e pranishme, Kryemadhi mbajti një fjalim në protestë. LSI po bën një luftë me fakte kundër kësaj qeverie, prandaj për ne është një aleat i çmuar”, deklaroi Berisha pak ditë më parë.
Rikthimi në politikë dhe rreziku që e pret Ilir Metën
Nuk mund të përjashtohet që gjërat nuk mund të shkojnë në favor të Ilir Metës, pasi ai të zhveshë kostumin e Kreut të Shtetit. Kjo pasi më 25 korrik ai do të jetë një qytetar dhe nuk do të gëzojë imunitet politik, siç e ka pasur në këto 30 vite demokraci, duke qenë kryeministër, ministër, deputet dhe sëfundmi President i Shqipërisë. Pas 24 korrikut, Meta do jetë vetëm një ish-deputet dhe maksimum kryetar i një partie të re ose Lëvizjes Socialiste Për Integrim, ofiqe këto që nuk e pengojnë SPAK që të trokasë tek vila e Ilir Metës në Lalëz për t’i kërkuar llogari. Gjithashtu, Ilir Meta mund të shpallet “Non Grata” nga amerikanët, pasi është përfolur shumë së fundmi se emri i tij do të zbardhet nga SHBA në “Listën e Zezë” në momentin kur Meta të lërë Presidencën. Gjatë këtyre viteve Meta është akuzuara edhe se ka urdhëruar vrasjen e dëshmitarëve të aferës CEZ-DIA, sikundër pretendon juristi Romeo Kara. Ndërkohë që ndaj tij, ka edhe akuza se është përfshirë në korrupsion galopant, siç është vjedhja e floririt të Krrabës. Për të gjitha këto, akuza duket se Meta tashmë do të japë llogari para prokurorëve të Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Thënë troç, nga Presidenca, ai pritet të përfundojnë në dyert e në SPAK, teksa akuzat e rënda për vrasje dhe pastrim parash, pritet të rrezikojnë seriozisht pozitat e Ilir Metës pas 24 Korrikut.
/e.d