Nga Ben Andoni/
Eseisti i shquar George Steiner është botuar pak kohë më parë nga IDK-ja për të parën herë në shqip! Libri i tij “Në kështjellën e mjekërkaltrit”, përmbledhur në 4 kapituj të shkruar me një stil tepër të ngjeshur dhe erudit, i janë besuar në përkthim Bashkim Shehut, që ka bërë ndoshta një nga punët e tij më të vështira. Jo thjesht për densitetin e frazës apo për strukturën e vështirë të autorit, por për zgjidhjen e detyrave të sikletshme të përkthimit, që vijnë si rezultat i një mendimi tejet të thellë të Steiner-it, një nga eseistët më të mëdhenj të gjallë.
George Steiner, sot, është në moshën 86 vjeçare dhe mbahet si një nga “Beautiful mind”-ët më të ndritura të kohës. Është eseist, kritik letrar dhe autor. Për fat të keq, fare i panjohur në Shqipëri, paçka se individë të veçantë mund ta njohin. Duam të theksojmë se Piro Misha, botuesi i IDK-së në vazhdën e përkthimeve të tij fine ka bërë një nga detyrat më të duhura sa i përket kulturës kombëtare duke na e sjellë në shqip. Jo thjesht se botimet e George Steiner përcaktojnë dhe ndajnë epoka, por për perceptimin e tij dhe kohën ku jetojmë. Nga ajo që mësohet nga review-et e ndryshme është se autori prej këtyre kapitujve, që mund të lexohen edhe si esse të trajtuara në mënyrë shumë të përmbledhur, është shkuar në një roman në vitin 1981 me titull “Mbartja drejt San Cristobal e A.H.”. Por, kuptohet, ai ka një sërë esesh, studimesh dhe krijimesh.
S’janë në shqip, për arsye se libri është më i pari i tij në shqip. Në fakt të katër kapitujt të duken si tre syresh, ngaqë pjesën e dytë dhe të tretë edhe mund t’i bashkosh. Secila ka një strategji shkrimi të përcaktuar qartë, ku autori paralajmëron tema që janë urgjente për njerëzimin. Emra, koncepte, perceptime, sinteza përcjellin probleme dhe përballje me vështirësi mendimi, ku rrëshqasin argumente dhe në paragrafë ke parashtrime me fusha të tëra dijesh.
Në të tilla libra, gjëja e parë që të shkon ndërmend është gjithnjë njësoj. Të vjen keq për shkollat kombëtare ku kemi mësuar, nivelin e esesë dhe kinse eseistët në vend, që nuk duan të mësojnë prej të tillë personazheve. Po edhe nëse do mësonin, a do mundej vërtetë të shkruante dikush kështu?! Dyshoj. Katër kapitujt, respektivisht quhen “Mërzia e madhe”, “Stina e ferrit”, “Post-Kultura” dhe’ Nesër”. Vetë “Stina e Ferrit” është bërë duke iu referuar një poezie të Rembos dhe në shqip si titull mund të shkonte më shumë në përkthim si “Një stinë në Ferr”. Megjithatë, të dish detyrën e përkthimit të Shehut, atëherë bindesh se zgjidhjet mbeten të tijat dhe vetëm të tijat.
Këto kapituj (por që mund të quhen edhe leksione të shkurtra) janë mendime shumë të koncentruara të vetë zhvillimeve të kulturës perëndimore pas Revolucioni Francez, pas një vështrimi, që përmbledh brenda në një të vetme traditat hebreje, të krishtera, greke ose latine dhe ndikimin në mendimin e sotëm. Trishtimi, që të përshkon është se eseja i përket vitit të largët 1971, ndërsa në vitin 2015, nëse do të arrihen të përkthehen stade të tjera (libra të tjera të autorit), mund të gjykohet nëse kanë shkuar parashikimet e tij apo jo.
Një nga trajtimet e tij shumëvjeçare ka pasur të bëjë me qëndrimin e qytetërimit të sotëm perëndimor ndaj holokaustit, por edhe rritjen e anti-semitizmit me kalimin e kohës, paradoksalisht në vend që të zbriste pas atyre që ndodhën në Luftën e Dytë Botërore. Një tezë shumë interesante duket në atë që ai parashtron se: ekzistenca e kulturës perëndimore me rrënjët e vërteta prej Athinës së lashtë në këtë kohë ka mbaruar, një linjë që e ka shtjelluar më vonë sërish.
Në një moment në esse, ai trajton idenë se fenomeni kulturor që ne e quajmë “modernizm” -i, paçka madhështisë së vet, nuk dimë se ku ndan të vërtetën dhe mashtrimin, që përball me dukjen e vet. Dhe, pyetja e profesorit, që vijon, është e ashpër: Cila është marrëdhënia midis gjenisë të shpërthimit modernist të arteve dhe katastrofës historike në art, që shumë shpejt e pasoi atë? A ka ndonjë lidhje rastësore apo thjesht janë kundërshtare? Na duhet të konsultohemi shumë të përshkruajmë si duhet librin e tij, që duhet thënë të bllokon për sensin e thellë të mendimit. Ka një mendim që të shtron para problematikave nga më të vështirat dhe që t’i duhet t’i zgjidhësh, por është edhe krejt cinik me qytetërimin e sotëm. Në një nga gjykimet e tij ke shpjegim edhe për triumfin e nazizmit, si i fundit në një seri të rebelimeve impulsive të njeriut kundër tiranisë të kinse fisnikërisë dhe monoteizmit.
Në këndvështrimin e tij duke vrarë hebrenjtë, kultura perëndimore tentoi të zhdukë mu ata që kishin “shpikur” Perëndinë ose nëse e kemi kuptuar drejt: reagimin e njerëzve ndaj mungesës së padurueshme të Zotit.
Holokaustin, një nga temat e tij të përhershme e trajton edhe si një refleks të vetëdijes ndijore natyrore, të nevojave të sotme instinktive politeiste dhe animiste.
Libri duhet lexuar disa herë që të kuptosh thelbin e vërtetë të realitetit, të cilin përcjellin ndijimet e këtij njeriu të jashtëzakonshëm. Lexuesit, para tij, i duhet vetëm ta lexojë, rilexojë dhe të ndjejë atë çka i kemi bërë vetes në qëndrimin e madh në botën e hijes në vite, dekada, shekuj të tërë.











