Ndërmarrja “Trepça” ende nuk është regjistruar si shoqëri aksionare, ashtu siç e përcakton Ligji, i miratuar më shumë se një vit më parë. Kjo, meqë nuk është përpiluar statuti dhe aktet e tjera të cilat duhet t’i paraprijnë regjistrimit, shkruan Koha Ditore.
Formalisht, “Trepça” si e tërë ndodhet në menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, packa se nëpërmjet Ligjit për “Trepçën”, të miratuar në muajin tetor të vitit 2016, tri asetet thelbësore të kësaj ndërmarrjeje kanë marrë statusin e shoqërisë aksionare.
Ligji e bën Qeverinë aksionaren kryesore të Minierave me Flotacion Trepça – Stan Tërg, Minierave me Flotacion Kizhnicë dhe Artanë si dhe Minierave me Flotacion Kopaonik – Leposaviç.
Ekzekutivi i mban 80 për qind të këtyre aksioneve, kurse pjesa tjetër u takon punëtorëve.Në kapitullin e dytë të ligjit është trajtuar çështja e organizimit dhe regjistrimit të kësaj shoqërie aksionare. (b.an)