Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali është takuar me ministrin gjerman të Shtetit për Evropën Gunther Krichbaum gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih. Në fokus të diskutimeve ishte forcimi i partneritetit mes dy vendeve si edhe integrimi i Shqipërisë në BE.
Teksa ka ndarë momente nga takimi në rrjete sociale, ministrja Spiropali thekson se mbështetja e Gjermanisë është vendimtare në avancimin e reformave nga Shqipëria, forcimin e institucioneve demokratike si edhe jetësimin e objektivit: mbylljen e negociatave teknike brenda 2027-ës.
“Anëtarësimi në BE është projekti ynë madhor kombëtar, por njëkohësisht edhe një investim strategjik për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit. Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj këtij procesi, çka e ka dëshmuar me vepra përmes reformave të guximshme dhe transformimit të vendit.”, shprehet ministrja.
Reagimi i plotë:
Gjatë Konferencës së Sigurisë, kënaqësi të takoja në “House of Germany” Gunther Krichbaum, Ministër i Shtetit për Europën, me të cilin folëm mbi forcimin e partneritetit strategjik Shqipëri–Gjermani në funksion të procesit të integrimit europian.
Gjatë takimit, diskutuam mbi rëndësinë thelbësore të vijimësisë së procesit të zgjerimit si një investim i pazëvendësueshëm, si për vendet kandidate, ashtu edhe për vetë BE. Në këtë kuadër, folëm për një agjendë shumë konkrete për vijimësinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë, me një ritëm edhe më të përshpejtuar. Mbështetja e Gjermanisë ka qenë dhe do të mbetet vendimtare në avancimin e reformave strukturore, forcimin e institucioneve demokratike dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik, si edhe në jetësimin e objektivit tonë për mbylljen e negociatave teknike brenda vitit 2027.
Anëtarësimi në BE është projekti ynë madhor kombëtar, por njëkohësisht edhe një investim strategjik për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit. Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj këtij procesi, çka e ka dëshmuar me vepra përmes reformave të guximshme dhe transformimit të vendit.
Teksa besojmë në një proces të bazuar në meritë, që fitohet përmes punës dhe rezultateve, presim në të njëjtën kohë nga BE që procesi i anëtarësimit të Shqipërisë dhe i të gjithë rajonit të jetë i besueshëm, i parashikueshëm dhe në kohë, në të mirën e përbashkët për të ardhmen e mbarë kontinentit.
Partneriteti me Gjermaninë e forcon këtë perspektivë dhe e bën më të prekshëm objektivin e përbashkët: Shqipërinë anëtare të Unionit, dhe familjen europiane edhe më të fortë e më të sigurtë.











