Spastrime dhe gjueti shtrigash në kampin e opozitës. Ndonëse pushteti i saj sa vjen e zvogëlohet nga njëra palë zgjedhje në tjetrën, Partia Demokratike ka nisur një fshesë, me metodat e saj të vjetra, në 15 bashkitë e fituara në zgjedhjet lokale. Plot 120 punonjës janë shkarkuar në bllok ditën e premte në bashkinë e re të Matit. Po gjatë kësaj fundjave, dhjetëra punonjës janë emëruar dhe shkarkuar në Bashkinë e Pogradecit nga Partia Demokratike. Mësohet se pas miratimit të strukturës së re, e cila parashikon rrudhje të punonjësve kanë nisur dhe shkarkimet.
Ndërsa mësohet se ditët e fundit janë bërë dhe një sërë emërimesh, ndërsa të kontaktuar nga gazeta disa përfaqësues të degës së PD në Pogradec, janë shprehur se presin që të marrin poste. Shkarkimet janë bërë jo vetëm në bashkitë që janë drejtuar nga socialistët, por edhe në bashkitë e drejtuara historikisht nga të djathtët. Një javë më parë në Bashkinë e Kamzës është pezulluar dhe shkarkuar i gjithë stafi i bashkisë. Ndërkaq, kryebashkiakja e re e Shkodrës, Voltana Ademi, ka mbledhur të gjitha dosjet e personelit, dhe secili prej tyre po verifikohet një më një. Nga ana tjetër pritet dorëheqja e shefes së Urbanistikës, Aida Shllaku, ndërsa janë planifikuar shkarkime masive.
Sipas burimeve, për shkarkimet në Bashkinë e Shkodrës po kujdeset personalisht kryedemokrati Lulzim Basha dhe rrethi i tij në SHQUP. Të gjithë mbështetësit e Topallit janë skeduar në një listë sekrete. Ky grup pritet të shkarkohet në ditët në vijim. Fshesa e 15 kryebashkiakëve të PD ka marrë trajtën e një gjuetie shtrigash. Përpos njerëzve të PS, Lulzim Basha po kujdeset për të larguar njerëzit e kundërshtarëve të tij në PD, për të dobësuar pozitat e tyre. Dhe lufta e madhe e Lulzim Bashës është me Jozefina Topallin, rivalen e tij më të përbetuar.
Spastrime në Mat
Përveç shkarkimeve në masë që po ndodh në shumë bashki, në atë të Matit janë shkarkuar pothuajse të gjithë punonjësit. Këto vendime priteshin pasi Bashkinë e Matit e kanë fituar të djathtët dhe numri i militantëve të PD-së që kishin mbetur pa punë është mjaft i lartë. Por vendimet janë shoqëruar me parregullsi dhe shkelje të rënda ligjore. Burime pranë zyrës juridike në Bashkinë Mat thanë se prej një jave kryetari i Bashkisë Mat, Nezir Rizvani, ndodhet për një vizitë pune në Zvicër.
Me datë 1 shtator 2015 ka hyrë në fuqi struktura e re. Me datë 2 flitet se janë plotësuar 120 vendimet dhe me 4 u janë dorëzuar punonjësve. Pra, gjatë kësaj periudhe kryebashkiaku nuk është ndodhur në Shqipëri, por të gjitha vendimet mbajnë firmën e Rizvanit. Ka dyshime që listat të jenë përgatitur që shumë ditë më parë dhe u prit futja në fuqi e strukturës së re.
Vetë juristët e kësaj bashkie kanë thënë se një veprim i tillë është i paligjshëm sepse nuk janë njoftuar më parë punonjësit. “Këto vendime janë në shkelje të hapur me ligjin. Çdo punonjës i planifikuar për t’u larguar nga puna duhet të kishte një njoftim, të paktën 72 orë para vendimit. Kjo gjë nuk është bërë dhe punonjësit kanë të drejtë t’i drejtohen gjykatës”, thanë zyrtarë aktualë të Bashkisë Mat.
Vendimet janë pritur me indinjatë nga punonjësit, sidomos nga ata të shërbimeve bashkiake, të gjelbërimit, mirëmbajtjes etj. “Kjo është hakmarrje. Ne jemi nëna me fëmijë jetimë dhe me shumë probleme, por na ka ardhur vendimi për t’u larguar nga puna. Hallet tona u rrafshin drejtuesve të bashkisë”, thanë punonjëset që merren me mirëmbajtjen e Parkut “Nëna Mbretëreshë, Geraldinë. (Kliti Topalli / Sot)









