NATO ka bërë thirrje vendeve të Europës dhe Ballkanit të investojnë në mbrojtjen ajrore për shkak se rrezikohet që Rusia të ndërmarrë sulme nga ajri. Për këtë ka folur dhe avokati Spartak Ngjela, i ftuar në Report TV, ka komentuar situatën e sigurisë në rajon, duke theksuar se Shqipëria dhe Kosova janë të mbrojtura nga NATO dhe SHBA.
Ai ka theksuar se çdo sulm ndaj këtyre vendeve do të konsiderohej si një akt i mundshëm i një lufte botërore, duke e bërë të pamundur një përfshirje të tillë.
Gazetari: NATO ka bërë thirrje për të investuar në mbrojtje, veçanërisht për t’u mbrojtur ajri nga sulmet ruse, avokat, çfarë do të thotë kjo sipas jush?
Ngjela: Kosova duhet të jetë pak më e kujdesshme, por ne jemi në NATO, kush na prek ne? Po dhe Kosova ka trupa amerikane brenda. Do të thotë që kush prek Shqipërinë dhe Kosovën është luftë botërore. Ne nuk mund të diskutojmë për një luftë botërore bashkë, unë them që nuk ka mundësi të ketë një luftë botërore dhe Shqipëria është në NATO. Nuk diskutohet më fati i Shqipërisë në raportet ndërkombëtare se është vend i NATO-s. Kosova s’ka nevojë të ketë kujdes, se e ka kujdesin në natyrën e saj, sepse ka Serbinë si kundërshtare, po ka mbrojtje amerikane.
Nga ana tjetër, avokati Spartak Ngjela ka komentuar dhe kërkesën e dy anëtarëve të PD-së në KAS për rinumërimin e Tiranës. Ngjela tha se ky veprim nuk do të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve, pasi humbja e PD-së është e thellë dhe nuk ka prova për manipulim. Ai ka shtuar se ky veprim mund të ketë si pasojë rrëzimin e Sali Berishës, pasi ai ka deklaruar se është i manipuluar dhe nuk ka kërkuar hapjen e kutive.
Ngjela: Nuk ndikon në rezultat, se rezultati është i thellë dhe nuk kemi prova për manipulim. Po çfarë do sjellë? Do rrëzojë Saliun. I ka thënë popullit që jam i manipuluar dhe nuk ka kërkuar hapjen e kutive. Jam dakord deri këtu. Këta po ja hapin kutitë, po e fusin në kurth dhe po i thonë: ja kush je. Çfarë do bëjë, do japë dorëheqjen apo do dalë një gënjeshtar, një ordiner rrugësh? Arsyeja kryesore politike përse nuk kërkoi hapjen e kutive është se do dilte kjo, se ishte i sigurt për rezultatin. Ai, pasi u hapën, u bë si i tërbuar – ka impakt të rëndë psikologjik. Pyetja është: ça do bëjë PD? A do ta mbajë? Le ta mbajë kurrë nuk fitojnë me të.











