Nga Adriatik Doçi
Ish-kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho, njohës i prapaskenës së ngjarjeve që kanë shënjuar pluralizmin 30-vjeçar në Shqipëri, i atribuon Sali Berishës një tjetër krim të pandëshkuar, atë të sulmit me armë ndaj KQZ-së. Në 3 korrik 1997, Leka Zogu, i veshur me uniformë ushtarake dhe i shoqëruar me oborrtarë të armatosur, me thirrjet “Poshtë Fatos Nano, duam votat tona, Shqipëria Monarki”, sulmuan me automatik, mitraloz dhe tritol KQZ-në, ku u vra qytetari i pafajshëm Agron Gjonpalaj dhe u plagosën 18 policë. Sipas Brahos, Sali Berisha, në bindjen e tij një nga agjentët më të zellshëm dhe të besuar të UDB-së, ishte nxitësi i kësaj ngjarje.
Në librin e tij me titull “‘Masakroni’ Servet Pëllumbin”, Braho shkruan “Leka Zogu ishte kthyer në Shqipëri, pas dështimit të aventurës ushtarake për të ‘pushtuar’ KQZ. Referendumi për Monarkinë kishte humbur, ashtu si dhe tentativa e aksionit të Princit, të nxitur Sali Berisha dhe Abedin Mulosmani, një agjent i vjetër i UDB-së. Abedinin, Princi e kishte njeri të besuar, pasi i ati, mbreti Zog, e kishte patur për një kohë të gjatë pjesëtar të oborrit të tij dhe të mbretëreshës Geraldinë. Bashkë me ta, si pjesëtarë të oborrit, kishin qenë edhe dy agjentë të Sigurimit të Shtetit, Isuf Mullai dhe Kiço Konomi”.
Më tej Braho rrëfen se kryeministrit Fatos Nano i duheshin 84 vota për të miratuar Kodin Doganor në Kuvend, vota të cilat mazhoranca socialiste nuk i kishte. Në këto rrethana, Nano kishe kërkuar që të bindeshin deputetët legalistë në Kuvend për të dhënë votat. Për këtë mision, Nano kishte caktuar Brahon, për të negociuar me Leka Zogun, i cili komandonte votat e legalistëve në Kuvend. Deputeti Braho rrëfen për herë të parë takimin me Leka Zogun dhe negociatat e vështira, deri tek marrëveshja e pazakontë.
Ndër të tjera, Braho shkruan se “Me zbritjen në Aeroportin Rinasit, dogana i kishte sekuestruar Princit një arsenal të tërë armësh luftarake, sixhade, qilima e tapete me origjinë arabe, si dhe pasaportën mbretërore, pa vlerë përdorimi në shtetin shqiptar.
Ndërkohë, në Parlamentin Shqiptar, nga Partia e Legalitetit, si parti që përfaqësonte mbretin e vdekur tashmë, ishin futur tre deputetë, të cilët ndiqnin rregullisht seancat, në një kohë kur deputetët e PD kishin braktisur Kuvendin.
Me nxitjen e Anastas Angjelit, si ministër i Financave në qeverinë e Fatos Nanos, ishte kërkuar ndryshimi i Kodit Doganor, për të cilin nevojiteshin 84 vota, numër të cilin mazhoranca nuk e arrinte dot.
Kryeministri më kërkoi të bisedonin që të tërhiqeshin në votim tre deputetët legalistë. Pas bisedimeve që bëri Gramoz Ruçi me ta, deputetët legalistë e kondicionuan pjesëmarrjen e tyre me pëlqimin që duhej të jepte Princ Leka për këtë votim, ndryshe…
I gjendur në tavolinë si kryetar i Komisionit të Ligjeve, kryeministri Nano më kërkoi që të takoja Princ Lekën, i cili ndërkohë ishte vendosur me banim në autostradën Tiranë-Durrës, në vilën e Albert Xhanit, të marrë me qira.
-Shko takoje, – më porositi Fatosi, – se mos e thyen.
-Dakord, – i thash – kam një mik pranë Princit, Fluturak Germenji, me të cilin njihem herët, pasi ka qenë oficer ushtrie.
Ashtu bëra. Në ditën dhe orën e caktuar arrita në vilën trekatëshe në autostradë, në oborrin e së cilës hyra brenda, pash nja 10-15 djem të rinj, të veshur me rroba kamuflazhi, që dikush si instruktor i stërviste fizikisht, por që lëvizjet e tyre dukeshin shumë qesharake.
-Çfarë i keni këto more Fluturak? – i thashë.
Fluturaku vuri buzën në gaz dhe u përgjigj: I do princi si truproje për të ruajtur djalin, Princi Leka i Dytë.
Unë qesha dhe i thash: Po këta duken si tufë bashibozukësh…
Hynë në sallonin e pritjes, ku me sa pash, do të bëhej takimi, pasi një tavolinë e ulët me disa shishe uiski ishin vendosur në mes. U ula në njërin prej kolltukëve dhe kuptova se djali i mbretit, për t’i dhënë rëndësi vetes, nuk kishte dalë ende për të më pritur. Pas disa minutash, ai hyri dhe u drejtua nga kulluku përballë meje. M’u duke shumë i dobësuar dhe i rënë fizikisht, me kockat e nofullave të dala, veshur me qillota dhe këpucë ushtarake, ku binin në sy këmbët e holla që mezi e mbanin trupin e gjatë të tij.
…
-I nderuar Princ Leka, – iu drejtova, – unë kam ardhur për të biseduar me ju, me porosi të kryeministrit Nano, por para se të vazhdojmë bisedën, dua t’ju bëj të ditur se bashkë jemi në gjak. Babi juaj ka vrarë xhaxhallarët e babait tim.
Fraza ime plasi si bombë në tavolinë dhe pas që Murat Basha, legalisti trupmadh tiranas, lëvizi nga vendi dhe m’u duk se u bë gati të më hidhej në fyt për të ‘shpëtuar’ princin nga një i marrë që kishte ardhur për të marrë hak dhe gjak. Princi, nuk e di a e kuptoi se çfarë i thashë, por diçka mërmëriti me vete dhe më nguli sytë.
-Unë e di se ju kanë dërguar për tjetër punë, – m’u drejtua mua.
E ndjeva që fjalët e mia e kishin komplikuar situatën, por e kishin bërë edhe efektin.
-Po, po, – vazhdova unë, – kam ardhur për tjetër punë, por meqenëse ra rasti, ua thash, që ta dini. Rrini i qetë se jua kam falur gjakun. Kanë kaluar shumë kohë dhe nuk ia vlen të merremi me këtë histori.
-Po, – tha duke miratuar fjalët e mia, tundi kokën dhe rrëkëlleu gjysmën e gotës me uiski.
-Gëzuar! – i thash unë.
Biseda vazhdonte me kërkesën se qeveria donte të ndryshonte Kodin Doganor, por na duhej mbështetja e tre deputetëve legalistë.
-Patjetër, do ju mbështesim… – u përgjigj Princi, dhe pas disa minutash, m’u drejtua mua: – po ju çfarë do të bëni për mua?
-Fol, – i thash – çfarë kërkon nga qeveria?
-Në doganë, kur zbrita, – më tha, – më kanë marrë pasaportën, koleksionin e armëve, sixhadet dhe disa sende të tjera, që i kam kujtim nga mbreti. Si mundem të mos kemë unë pasaportë? – ripërsëriti ai fjalët, dhe pashë që iu ngashëryen sytë me lot.
E kuptova dhe i thashë: Kryeministri më tha se do t’ju pajisë me pasaportë diplomatike, shumë shpejt. Edhe sixhadet, tapetet dhe sendet e tjera personale do t’ju kthehen, kurse armët luftarake nuk do t’ju kthehen, sipas nuk e lejon ligji. Nuk ke çfarë i do, 15 kallashnikovë, 5 bazuka dhe mitraloza, si dhe municionet.
-Po unë jam koleksionist armësh, – m’u përgjigj me zë të vakët Princi.
-Si koleksionist erdhe në ’97, ku u bë referendumi, por gabove, se fute në përdorim armët që kishe sjellë, apo jo? Megjithatë do t’i propozoj kryeministrit që ë mbash në koleksion nga një copë për secilën lloj arme, por pa municion, dhe do t’ju bëjmë nga një vrimë në tytat e tyre. Mbaji si koleksion ato, ok?
Princi qeshi si fëmijë, duke më dhënë dorën.
-Fjalë burrash, – më tha.
-Fjalë burrash, – i thashë”.