Trajneri i Interit, Luciano Spalletti është larguar i kënaqur me pikën e fituar ndaj Napolit, megjithatë pas takimit ka thënë se ekipi i tij mund të bënte edhe më mirë në derbin e sotëm, ndërsa i ka cilësuar “alienë” lojtarët e Napolit për shkak të lojës së bukur.
Napoli e Interi ndanë pikët në derbin e kësaj jave në Serie A duke barazuar me rezultat prej 0-0, transmeton Koha.net.
“Këta lojtarë meritojnë komplimente, sepse ju po vazhdoni të na thoni se jemi me fat, dhe jemi të lumtur për këtë, por fati im i vërtet është se punoj me këta lojtarë. Siç duket ju ende nuk e kuptoni këtë, por ky është fat i madh”, ka thënë Spalletti për Mediaset Premium.
“Bëmë një ndeshje shumë të mirë sonte, por mund të kishim luajtur edhe më mirë. Napoli ishte shumë i mirë, dhe kohë pas kohe ndihesh sikur po luan kundër alienëve, pasi ata bëjnë gjithçka me një prekje të topit dhe me lëvizje të lehta lartë, mbi e prapa. Ata kanë posedimin dhe shpejtësinë e lartë në futboll.
Të dalësh nga aty me një pikë është pozitive. Ne po mësojmë, por tashmë kemi bërë hapa të mëdhenj përpara dhe sinqerisht mund ta fitonim këtë ndeshje”, është shprehur ai, përgatiti Koha. (b.an)