Incidente gjatë zgjedhjeve parlamentare në Serbi. Rreth 30 persona të maskuar kanë hyrë me forcë në një qendër votimi në jug të vendit, duke kërcënuar fizikisht dhe verbalisht komisionerët dhe duke ndërprerë procesin e votimit.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Pukovac, pranë qytetit të Nishit, ku janë raportuar incidente në tre qendra votimi. Sipas avokates Dragana Milutinoviç, në njërën prej tyre, tre persona kanë hyrë me forcë dhe një komisioner është goditur me shuplakë.
Ajo tha se policia lokale mbërriti në vendngjarje, por nuk pranoi të hynte brenda, me arsyetimin se nuk ishte thirrur nga kryetari i komisionit zgjedhor. Situata u qetësua pas ndërhyrjes së policisë së Nishit. Deputetja e opozitës, Jelena Millosheviç, konfirmoi për mediat serbe se kishte pasur përplasje fizike dhe se situata mbetej e tensionuar.











