Prokuroria e Posaçme mbyll hetimet për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj në lidhje me fraksionin e inceneratorin e Elbasanit. Përmes avokatit të tij, SPAK i ka komunikuar Ahmetajt tre akuza “korrupsion pasiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje dhe mos deklarim pasurie”.
Mbyllja e hetimeve iu komunikua edhe bashkëjetueses së Ahmetaj, Erjola Hoxha dhe ish-bashkëshortes së tij Albina Mançka, si dhe shtetasve Andi Boni, Geirjan Kuka, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri, Sonila Meqemeja, Elidon Begaj dhe Elda Dinaj.
Kjo dosje doli si fraksion më vete për procedimin mëmë të inceratorit të Elbasanit, ndërsa personat e lartpërmendur akuzohen për një sërë veprash penale.
Çështja u hetua nga tre prokurorët e posaçëm Altin Dumani, Enkeleda Millonai dhe Bledar Maksuti.
Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme prej muajit korrik të vitit 2023, ndërkohë që organi akuzës ka vendosur në sekuestro disa prona në emër të tij dhe familjarëve të tij.
Ahmetaj ndërkohë po gjykohet në GJKKO edhe në lidhje me veprën penale “shpërdorim detyre” për dosjen “Buka sha”.











