Nuk është arritur përparim as pas takimit të dytë të liderëve politikë në Maqedoni. Pas përfundimit të takimit lideri i LSDM-së, Zoran Zaev tha se bisedimet për të pasur sukses duhet që të vërtetohen parimet e bisedimit, të sigurohet barazia nga të gjitha palët në tavolinë dhe garancia se ajo që do të arrihet do të respektohet.
“Në tavolinë u vendos propozim i temave për bisedime nga BDI-ja, por nuk i hapëm temat pasi që fillimisht duhet vërtetuar principet, barazia dhe të sigurohen garanci. Është e dukshme se përparim nuk ka, por së paku caktuam edhe një takim me 26 maj”, tha Zaev
Ai la hapësirë për propozime të reja për takimin e tij të nesërm në Strasburg me propozime edhe të përfaqësuesve të Komisionit Evropian.
Sot takimi i dytë i liderëve politikë në Maqedoni
Liderët e katër partive kryesore në Maqedoni sot për herë të dytë do të ulen në tryezën e negociatave.
Ky takim vjen pas atij të javës së kaluar kur Nikola Gruevski i VMRO-DPMNE, Zoran Zaev i LSDM, Ali Ahmeti i BDI-së dhe Menduh Thaçi i PDSH-së arritën të miratojnë vetëm një deklaratë të shkurtër për vazhdimin e dialogut politik dhe mbajtjen e protestave të qeta dhe demokratike.
Edhe takimi i sotëm do të jetë me praninë e ambasadorit amerikan në Shkup, Jess Baily dhe ambasadorit të BE-së, Aivo Orav.
Javën e kaluar u paralajmërua se katër liderët po tentojnë që të miratojnë një kornizë me disa pika të rëndësishme përmes së cilës do të zhvillohet dialogu. Ambasadori amerikan Baily në profilin e tij në “Twitter” ka shkruar se “i gëzohem takimit të ri të liderëve”.
Nga ana tjetër, mësohet se Gruevski dhe Zaev nesër do të udhëtojnë në Strasburg për takime me eurodeputetë.
“Nuk kam asnjë informacion, përveç gatishmërisë sonë që të jemi aty kur na ftojnë miqtë tanë të bashkësisë ndërkombëtare”, deklaroi Zaev.
Dy kampet politike maqedonase vazhdojnë në qëndrimet e tyre, ku opozita kërkon dorëheqjen e Gruevskit dhe formimin e qeverisë kalimtare, ndërsa ky i fundit ka theksuar se nuk jep dorëheqje dhe se as që do të pranojë qeveri kalimtare.









