Shqipëria do të zhvillojë sot në Hartberg të Austrisë ndeshjen e parë miqësore në prag të finaleve të Euro 2016, kundër Katarit. Duket një test rutinë, por në të vërtetë është mjaft i rëndësishëm, pasi në përfundim të tij trajneri Gianni De Biasi do të vendosë 23 emrat që do të marrë në Francë, ndërsa katër lojtarë do të duhet të nisin pushimet.
Porta është reparti pa enigma, pasi Gianni De Biasi ka thirrur vetëm tre portierë, aq sa do të shkojnë në Francë. Për repartet e tjerë janë 24 lojtarë për 21 vende.
Panorama Sport shkruan se De Biasi do aktivizojë në sulm Cikalleshin, të mbështetur nga Gashi, ndërsa krahët do të mbulohen nga Roshi e Lenjani.
Kapiteni Lorik Cana nuk do të luajë, për shkak të disa problemeve të vogla, ndërsa Mavraj, Hysaj, Aliji e Agolli do të formojnë katërshen e mbrojtjes, para Berishës.
D.I.