Kosova hyn sot në një ditë vendimtare, me protestuesit që rikthehen në orën 09:00 para Kuvendit për të kërkuar votimin përfundimtar të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, ndërsa pikërisht këtë të martë skadon edhe afati për zgjedhjen e presidentit të ri.
Është një skenar që Kosova e ka përjetuar vetëm pak muaj më parë. Zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit u shkaktuan pikërisht nga dështimi i Kuvendit të mëparshëm për të zgjedhur presidentin. Por as vota e qershorit nuk e zgjidhi ngërçin.
Protesta rinis sot pas një të hëne të trazuar, kur ndryshimet për Specialen kaluan në parim me 91 vota, por nuk u votuan në lexim të dytë. Përplasjet mes protestuesve dhe Policisë lanë 17 persona që kërkuan ndihmë mjekësore, 11 qytetarë dhe 6 efektivë, ndërsa Policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji. Gjatë protestës pati edhe 3 të arrestuar, ku në prangat e policisë përfundoi djali i vëllait të ish-presidentit Hashim Thaçi.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka bërë thirrje për rikthimin e qytetarëve në shesh. Protesta e sotme është paralajmëruar të nisë në orën 09:00, me të njëjtën kërkesë: Kuvendi të mblidhet dhe të votojë në lexim të dytë ndryshimet për Specialen.
Por sot është njëkohësisht edhe dita e fundit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Radha e këtyre dy votimeve përplasi dje Vetëvendosjen me PDK-në. LVV kërkon zgjedhjen e presidentit dhe më pas votimin për Specialen, ndërsa PDK kërkon fillimisht miratimin përfundimtar të ndryshimeve për Dhomat e Specializuara dhe më pas presidentin.
Takimi i djeshëm mes Albin Kurtit dhe kreut të PDK-së, Bedri Hamza, përfundoi pa marrëveshje. Megjithatë, shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, deklaroi mbrëmë se partia është e gatshme që sot të zhvillohen të dyja votimet, në dy seanca.
Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë presidentin brenda afatit të sotëm, Kosova përballet me zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.











