Një sondazh i institutit italian Youtrend, i publikuar nga L’Espresso e rendit kryeministrin Edi Rama mes 7 liderëve europianë më të besuar të italianëve. Rama rezulton me 29% besim, duke u renditur pas Sanchez, Merz dhe Macron. Të dhënat e sondazhit e nxjerrin Ramën ‘kokë më kokë’ me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, sa i takon nivelit të besimit nga votuesit italianë. Kryeministri Rama ia kalon edhe presidentit amerikan Donald Trump, i cili merr besimin e vetëm 14% të italianëve.

Vendin e parë në sondazh e mban kryeministri i Spanjës Pedro Sánchez me 51%, i ndjekur nga kancelari gjerman Friedrich Merz me 35%, ndërsa me 34% renditen presidenti francez Emmanuel Macron dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. Pas tyre vijnë Zelensky dhe Rama me 29%.
Qëndrimi i qeverisë spanjolle ndaj Shteteve të Bashkuara, politikat progresiste në fushën e punës dhe emigracionit, si dhe refuzimi për të rritur shpenzimet ushtarake pavarësisht kërcënimeve të Donald Trump, janë disa nga arsyet pse kryeministri spanjoll Pedro Sánchez gëzon nivelin më të lartë të besimit mes votuesve italianë. Pas kërcënimeve të tjera nga Uashingtoni për çështjen e bazave ushtarake në Andaluzia, qeveria spanjolle ka kundërshtuar gjithashtu në mënyrë të fortë operacionin ushtarak të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.
“Ai është flamurtari i progresistëve evropianë”, shprehet Giovanni Diamanti nga Youtrend. Instituti i analizës ka përgatitur për L’Espresso një sondazh mbi njohjen dhe popullaritetin e liderëve ndërkombëtarë në Itali.
Këto ditë slogani “no a la guerra” (“jo luftës”) i kryeministrit spanjoll është kthyer edhe në Itali në parullën e atyre që kundërshtojnë nismat ushtarake në Lindjen e Mesme. Hezitimet e qarta ndaj Shtëpisë së Bardhë, e konsideruar një aleat gjithnjë e më pak i besueshëm, e kanë shndërruar Sánchez në një nga zërat kryesorë evropianë të anti-trumpizmit. Në këtë mënyrë, Madridi është kthyer në pikë referimi për ata që, ndonëse kundërshtojnë regjimin e ajatollahut Ali Khamenei, e konsiderojnë ofensivën e Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu si një shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare.












