Nga Sokol Balla
Fatmir Xhafa nuk është një politikan populist. Përkundrazi. Sa herë bëhen prezantime elektorale të PS, emri i tij duatrokitet më pak. Por kjo nuk do të thotë se ai nuk respektohet. Së bashku me Gramoz Ruçin, ai është ADNja e mbetur ende e PS, por edhe një nga juristët më të mirë në vend. Për herë të fundit ministër një dekadë më parë, ky burrë vlonjat, ishte njeriu që jo një herë shpëtoi PS nga mbytja dhe jo një herë ka qenë përcaktues në fatet e Edi Ramës në politikë. Sot, nuk mund të thuash se ai është një nga njerëzit e dashur të kryeministrit, por është një nga më të duhurit. Prej gati një viti Xhafa po merret me reformën në drejtësi dhe duket se kësaj radhe, Rama do jetë ai që nuk do ketë mundësi të bëjë asgjë, megjithëse paradoksalisht është kryeministri i vendit.
Reforma në drejtësi do të prekë mbi 40 ligje. Duke filluar nga arsimi parashkollor e deri tek Presidenti i Republikës, do të ndjejnë efektin apo pasojat e saj. Përfshirja intensive e ndërkombëtarëve këtë radhë nuk është simbolike. PD ka kërkuar që reforma të çertifikohet prej tyre, por pa e ditur se në fakt çertifikimi është bërë prej kohësh. Ndërkombëtarët nuk duan më as kriminelë në politikë, as kriminalë në gjykata e prokurori. Ata duan rrugën e hapur për drejtësinë e shëndoshë që të fusë në burg peshqit e mëdhenj. Dhe për këtë duket se janë gati të bëjnë gjithçka. Në njerëz dhe para. Me asistencë dhe deri me pagesa ekstra nga fondet e tyre, për trupën e re të gjykatësve dhe prokurorëve, që do dalin nga testimet dhe reforma. Por a do jetë kjo mjaft?
PD e cila ka marrë një qëndrim mbrojtës ndaj trupës aktuale të gjykatësve sulmuar ashpër si “një bandë kriminale” nga kryeministri i vendit, mund të jetë pengesa e parë. Herë shtyrë nga njohje personale dhe afiliacione politike sepse shumica e gjykatësve i përkasin shkollës juridike të viteve 1991 – 1996, ku kanë qënë shokë banke dhe klase me një pjesë të mirë të deputetëve dhe ish ministrave të PD. Këtu përjashtim bën vetëm Totozani, po dhe ai, vetëm si përjashtim që vërteton rregullin. Halimi, nënkryetari i komisionit është një prej tyre, dhe ai mund të paragjykojë komisionin vlerësues të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe PS në këtë rast do të duhet t’ja lërë atij drejtimin e këtij komisioni, nëse nuk dëshiron që reforma të paragjykohet. PD gjithashtu mund të reagojë me logjikën e prishjes së balancës së institucioneve, por ky reagim zbehet nga fakti që shtatë nënkomisionet e reformës bashkëdrejtohen nga të huajt, certifikimin e të cilëve e ka kërkuar po PD. Por PD ka edhe asin nën mëngë, për të prishur reformën: Sali Berishën. Një dalje e tij publike kundër dhe argumentetiI di ai, do të shkatërronte gjithçka dhe PD do të trembej nga nje reformë që si pasojë mund t’I hapte rrugën precedentit Sanader edhe në Shqipëri. Këtu, as ndërkombëtarët dhe as tolerance e PS nuk vlejnë. Ky do jetë testi i madh i vetvetes i Selisë Blu, e cila deri më tani, siç pohoi edhe Xhafa, nuk ka dhënë asnjë sinjal negativ ndaj reformës. Deri tani ama. Nesër gjërat mund të ndryshojnë.
Sepse një gjyqësor i fortë, nuk tremb vetëm ish-qeveritarët, por edhe këta aktualët. Thuajse përditë arrestohen tatimorë, drejtues hipotekash, drejtues arsimi dhe policie, që i bëjnë rrush e kumbulla para e taksapaguesve. Kjo sindromë, s’ka si të jetë e imponuar nga poshtë, lart. Sindroma e vjedhjes është e nxitur nga lart poshtë. Vetë Llalla në Top Story muaj më parë, pat thënë se një ministër ishte në hetim. Muajt kanë kaluar, Llalla hesht, por unë besoj se ai ministër vazhdon aktivitetin e tij të jashtëligjshëm. Dhe këtu qëndron problem i kësaj reforme. Komisioni dhe ndërkombëtarët kanë bërë një punë të shkëlqyer. Dhe mu për këtë rrezikojnë vdekjen e punës së tyre pa lindur akoma. Sepse nuk është vetëm PD që kur vjen puna te drejtësia dhe antikorrupsioni, nxjerr Saliun e saj. Të tillë Sali ka edhe LSI, ndërsa PS ka treguar se në qeverisje korrupsionin e sofistikon por nuk e lufton.
Dhe sa kohë kjo reformë votohet në Kuvend, ekziston gjithnjë mundësia jo remote, por konkrete që ajo të dështojë.
Personalisht më duket e vështirë që politika të ngrihet mbi veten dhe të mos kërkojë të shkërdhejë drejtësinë edhe kësaj radhe. Pa dashur të tregohem, I apasionuar barcaletash po më kujtohet anekdota e një prostitute që pas rënies së regjimit komunist, shkonte për të denoncuar përdhunimin e saj në polici, por kur agjentët I kërkuan si provë, nëse kishte pasur dëmtime fizike, ajo ju përgjigj: “Aman o zoti Polic, po ku na la gjak diktatura?”
Dhe mua më duket e tepërt të pres prej politikës një provë për reformën në drejtësi. 25 vjet, na kanë shteruar jo gjakun, por durimin. Dhe politikës, besimin. Kjo përpjekje e mbrame është fisheku I fundit politik për një reformë, që nëse nuk do godasë sistemin e korrupsionit në drejtësi dhe politik, mund të ngelet pikërisht si në kanun: fisheku I fundit për “nusen” që në vend të sjell gëzim, sjell turpin final në shtëpinë e burrit të vet.