Partia Demokratike dhe lideri i saj Lulzim Basha kanë paralajmëruar përshkallëzimin e aksionit opozitar duke filluar nga dita e hënë, kur parashikohet bllokimi i të gjitha akseve kombëtare rrugore në vend nga ora 11.00 deri në orën 12.00. Ky do të jetë vetëm hapi i parë sipas paralajmërimeve të opozitës e cila ka folur për të tjerë hapa dhe bllokim total nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.
Drejtuesit lokalë të partive opozitare, do të organizojnë grumbullimin e mbështetësve të tyre në akset kombëtare ndërkohë çadra do të vijojë të jetë epiqendra e protestës. Por, edhe pse opozita është shprehur se protestat e saj do të jenë qëndresë paqësore dhe demokratike, bllokimi i akseve rrugore përbën vepër penale të parashikuar në Kodin Penal.
Në nenin 293, Kodi Penal parashikon dënim deri në 3 vite burg për personat që bllokojnë akset rrugore.
Në nenin 293 shprehimisht thuhet: “Vënia e pengesave dhe ndalimi me çdo mjet e mënyrë i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik, hekurudhor, ujor e ajror, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”.
Por kjo nuk është akuza e vetme me të cilën mbështetësit e opozitës mund të përballen pas bllokimit të akseve kombëtare. Duhet theksuar fakti që edhe nëse merret leje në organet ligjzbatuese për mbajtjen e tubimeve, bllokimi i rrugëve nuk është i lejueshëm. Nëse tubuesit tejkalojnë lejen e marrë nga Policia për zhvillimin e tubimit, pra në rastin konkret bllokojnë rrugët, atëherë do të përballen me akuzën e “organizimit të grumbullimeve të paligjshme.
Ja çfarë parashikon neni 262:
Neni 262 “Organizimi i grumbullimeve dhe i manifestimeve të personave në sheshe dhe vende të kalimit publik, pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta apo kur nga organizatorët shkelen kushtet e parashtruara në kërkesën për dhënie të lejes, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit. Pjesëmarrja në një grumbullim apo manifestim të paligjshëm edhe pas paralajmërimit të bërë për shpërndarje, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj. Po kjo vepër, e kryer më shumë se një herë ose kur ka sjellë pasoja të rënda, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet”.
Precedenti
Një protestë të ngjashme organizoi opozita në vitin 2011, aso kohe Partia Socialiste dhe aleatët e saj. Në disa akse kombëtare e majta bllokoi disa akse rrugore kombëtare. Në atë kohë opozita përdori disa goma të vjetra të cilave u vuri flakën në akset rrugore, duke bllokuar qarkullimin për pak minuta. Pas protestës, policia e shtetit ndoqi penalisht të paktën 51 persona, mes tyre dhe kryebashkiakë, pushtetarë vendorë dhe punonjës të administratës. Ata u akuzuan për “pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit”, “organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “prishje e qetësisë publike” si dhe “ndotje të ajrit”./JavaNews/Andi Malasi