Një deklaratë e gazetares dhe opinionistes televizive Claudia Conte ka shkaktuar trazira në qeverinë italiane. Në një intervistë për Money.it, Conte pranoi se ka pasur një lidhje me ministrin e Brendshëm Matteo Piantedosi, duke hapur debat në politikën italiane.
“Nuk mund të mohoj se kam patur një marrëdhënie me Matteo Piantedosi”, janë fjalët e gazetares.
Edhe pse ministri 60-vjeçar është i martuar me prefekten Paola Berardino, rrëfimi i 30-vjeçares ka ngritur pyetje mbi ndikimin politik dhe imazhin e qeverisë.
Conte ka pasur gjithashtu detyra si këshilltare në komisione parlamentare dhe ka moderuar programe dhe evente publike.
Gjithashtu, Conte mes viteve 2023 dhe 2024 ka pasur disa angazhime pranë shkollës së specializimit për forcat e policisë. Bëhet fjalë për angazhime të paguara për moderimin e katër tryezave të rrumbullakëta.
Për çdo takim ajo mendohet se do të ketë marrë rreth 200 euro bruto. Burime të Ministrisë së Brendshme shpjegojnë për Il Manifesto se Piantedosi nuk dinte asgjë për këtë angazhim, i cili në dokumente klasifikohet si “mësimdhënie”.
Pas publikimit të intervistës, Piantedosi ka zhvilluar takime me kryeministren Giorgia Meloni dhe Mateo Salvini për të qetësuar situatën dhe për të siguruar se çështja nuk do të ndikojë në funksionimin e qeverisë.
Deputetja Luana Zanella ka kërkuar sqarime nga ministri i Brendshëm mbi motivet e Conte dhe mbi detyrat që i janë dhënë asaj nga institucionet shtetërore, duke theksuar se Ministria e Brendshme nuk mund të jetë subjekt i thashethemeve.
Sjellim ndërmend se një rast i ngjashëm ka ndodhur vitin e kaluar, me ish-ministrin e Kulturës Gennaro Sangiuliano, i cili u detyrua të japë dorëheqjen nga posti pasi iu zbulua lidhja jashtëmartesore që kishte patur me një influencere.











