Zjarri që përfshiu vendgrumbullimin e mbeturinave në Fushë-Krujë gjatë ditës së djeshme vijon të jetë ende aktiv, duke krijuar ndotje të lartë mjedisore në të gjithë zonën rrethuese.
Pavarësisht ndërhyrjeve me fadroma për mbulimin e plehrave me dhe, djegia e brendshme vazhdon të çlirojë sasi të mëdha tymi. Reja e tymit toksik është përhapur gjerësisht, duke mbuluar territore nga Kamza deri në Mamurras.
Paraprakisht dyshohet se ngjarja lidhet me një zjarrvënie të qëllimshme, meqenëse kjo është hera e disatë brenda dy muajve të fundit që ky vendgrumbullim përfshihet nga flakët. Grupi hetimor po punon për identifikimin e autorëve të mundshëm dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.











