Duhet një paketë e tretë për biznesin dhe është e domosdoshme shtyrja e afatit të pagesës së kredive për të paktën 1 vit.
Në një intervistë për gazetën Panorama, ekonomisti i njohur, ish-anëtari i Këshillit të Bankës së Shqipërisë, Adrian Civici, sqaron situatën që po kalon sot biznesi dhe mënyrat e mundshme për të dalë nga kriza. “Mendoj se duhen studiuar mundësitë e shtyrjes së shlyerjes së kredive për një periudhe 1- vjeçare”.
Po mbushen dy muaj që nga nisja e pandemisë dhe masave ekstreme nga qeveria. Duket qartë që ekonomia shqiptare, ashtu siç parashikohej edhe nga raportet e FMN e BB, është prekur fort nga pasojat e karantinës. A mund ta përballojë biznesi dhe sipërmarrja shqiptare një zgjatje të kësaj krize?
Goditjet e rënda për biznesin apo sipërmarrjen shqiptare filluan 6 muaj më parë, nga efektet e rënda të tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar. Ndërsa goditja e koronavirusit i thelloi akoma më shumë ato. Mendoj se, me përjashtim të vitit 1997, biznesi shqiptar ndodhet aktualisht në krizën më të vështirë të tij të kësaj periudhe 30- vjeçare tranzicioni apo transformimi total.
Periudha 2-mujore e karantinës, ku rreth 80-90% e bizneseve shqiptare u mbyllën pothuajse plotësisht, por dhe hapja graduale e kontrolluar që mund të vazhdojë 1 apo dhe 2 muaj të tjerë, do ta dobësojë akoma më shumë ekonominë shqiptare.
Fatkeqësisht, ulja e kurbës së përhapjes së pandemisë Covid-19, që shpresohet se do ndodhë në muajin qershor, korrespondon me kulmin e kurbës së goditjes së biznesit dhe sipërmarrjes. Aq më keq nëse pandemia dhe masat kufizuese do të zgjaten në kohë përtej muajit qershor.
Distancimi social dhe veçanërisht pasiguria e paqartësitë e shumta i dhanë një goditje të rëndë prodhimit, shërbimeve, konsumit, investimeve, eksportit, punësimit, zgjerimit të kredisë, të ardhurave të bizneseve dhe atyre familjare, buxhetit dhe borxhit publik etj.
Kjo krizë, që fillimisht u etiketua si një “krizë e ofertës”, meqenëse preku direkt sektorët prodhues e shërbimet, shumë shpejt u shfaq dhe si “krizë e kërkesës”, duke dhënë një goditje të dyfishtë, shumë të vështirë për t’u rikuperuar në një kohë të shpejtë, edhe kur situata të jetë disi më e qetësuar. Ne u futëm në këtë krizë me “rezerva” dhe një “prapavijë shumë të dobët”, në sensin që rritja ekonomike e vitit 2019 ishte e dobët, në nivelin 2.9%, ndërkohë që tremujori i katërt rezultoi akoma më i dobët, i shoqëruar dhe me një nivel inflacioni prej 1.3%, që dëshmon për një ekonomi shumë anemike.
Por, përtej këtyre shifrave të përgjithshme makroekonomike, situata e vështirë kuptohet duke hyrë më në brendësi të strukturave e aktiviteteve bazë të ekonomisë shqiptare. Sektori i turizmit dhe shërbimeve janë nga më të prekurit, aq më tepër që rreziqet potenciale dhe perspektiva disamujore e tyre nuk lë shteg për të menduar përmirësim të ndjeshëm të situatës; sektori i transportit gjithashtu; sektorët prodhues dhe SME po kalojnë një periudhë ekstremisht të vështirë, qoftë si pasojë e bllokimit të aktivitetit prodhues, ashtu dhe reduktimit të konsumit. Vështirësi të mëdha ka dhe gjithë aktiviteti i importeksporteve.
Në këto kushte, zgjatja e periudhës së krizës do ishte shumë e rëndë për bizneset dhe ekonominë shqiptare në përgjithësi. Natyrisht, duke ruajtur dhe zbatuar maksimalisht protokollet sanitare e shëndetësore të sigurisë, procesi i hapjes dhe kthimit në normalitet duhet të jetë më i shpejtë dhe më i gjerë.
Si e shikoni sjelljen e qeverisë karshi biznesit gjatë kësaj periudhe? Qeveria vendosi të ofrojë një garanci sovrane për biznesin dhe sipas guvernatorit, deri dje nga kjo shumë është tërhequr ose aprovuar vetëm 1 miliard lekë, ose vetëm 9 për qind. Çfarë po çalon në masat e qeverisë dhe sa këto vonesa mund të krijojnë dëme të pariparueshme për biznesin e prekur nga kriza?
Paketa A dhe Paketa B e qeverisë u fokusuan pothuajse tërësisht në zbutjen e problematikës sociale dhe garantimin e konsumit bazë për familjet shqiptare, me një fokusim të zbehtë kundrejt biznesit. Nëse sjelljen dhe masat kundrejt biznesit, referuar dhe politikave e masave të ndërmarra në shumë vende të tjera, do ta ndanim në dy elemente thelbësore: “lehtësime për biznesin” dhe “ndihmë direkte” për biznesin, ajo çka është bërë deri në këto momente në Shqipëri anon pothuajse tërësisht nga “lehtësime për biznesin”. Ofrimi i një garancie sovrane prej 150 milion USD, shtyrje e kësteve të kredisë për tre muaj, pagesa prej 40 000 lekësh për të papunët, mundësi kreditimi për overdraft për pagat me norma interesi relativisht të ulëta, shtyrjen në kohë të disa detyrimeve të tjera fiskale e tatimore në kohë etj.
Ajo që është e domosdoshme dhe çka kërkon aktualisht biznesi në situatën në të cilën ndodhet, është shumë më tepër se kaq. Shoqata të ndryshme biznesesh apo Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkojnë një Paketë C, “ekskluzive për biznesin”, në të cilën të shihet mundësia e ndihmave direkte të tipit: mundësinë e shtyrjes së pagesave, gjobave dhe detyrimeve fiskale të biznesit ndaj shtetit; rimbursimin e plotë të pagës së punonjësve për këto 2 apo 3 muaj karantine; rimbursimin e detyrimeve për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore; të përjashtohen bizneset nga taksa e pronës deri në përfundimin e krizës; të kompensohet pagesa e qirasë si dhe tatimit në burim i qiradhënësit për të gjitha bizneset, të cilat janë qiramarrëse; zbutjen e normave të interesit, duke u krijuar bizneseve mundësi më të mëdha kreditimi; lehtësimin e barrës fiskale, shtyrjen e pagesave të kredive dhe ristrukturime të tyre; uljen e çmimit për furnizimin me energji elektrike dhe ujë; shlyerjen e të gjitha detyrimeve që shteti ka ndaj sipërmarrjes private; ndihma direkte për sipërmarrjet eksportuese etj.
Problem mbetet niveli shumë i ulët i shfrytëzimit nga bizneset i garancisë sovrane, që deri tani është më i vogël se 10%. Sipas asaj çfarë konstatojnë dhe thonë bizneset, shkak i kësaj gjendjeje janë kriteret rigoroze vlerësuese të bankave në akordimin e kredive në përputhje me nivelin e vlerësimi të riskut të bizneseve, fakti që një pjesë e madhe e bizneseve janë aktualisht të përfshira në kredi të mëparshme dhe hezitojnë të angazhohen në kredi të reja duke mos kaluar dot “provën e nivelit të riskut”, nevojat e pakta për kredi të reja me natyrë financuese për zgjerimin e prodhimit në kushtet e vështira aktuale, sidomos bizneset me aktivitet të bllokuar.
Ndoshta modifikimi i propozimit të parë, duke shtuar faktin që shteti dhe bankat të ndajnë riskun duke marrë përsipër normat e interesit për kreditë për bizneset e prekura nga kriza aktuale, mund ta stimulojë dhe zgjerojë më shumë tërheqjen e kredisë në kuadrin e garancisë sovrane.
Ndërsa garancia sovrane nuk po shkon siç parashikohej, një tjetër masë ka qenë ajo e shtyrjes së kredisë me tre muaj. Sipas Guvernatorit, deri dje ishin shtyrë rreth 2 miliardë euro kredi ose 21 mijë raste. Ndërkohë që Sejko theksoi se po shikohet mundësia për një shtyrje tjetër prej 3 ose 6 muajsh. Në kushtet kur biznesi prodhues është i gjunjëzuar, turizmi është pothuajse i ngrirë, me restorantet dhe baret e mbyllura më shumë se dy muaj dhe me një të ardhme të paqartë, mos është koha për një rishikim më afatgjatë të periudhave të shtyrjes së kredive?
E mbështes idenë e bankës për rishikimin e afatit të shlyerjes. Mendoj se rishikimi i periudhës së shlyerjes së kredive është i domosdoshëm. Kjo është një ide në linjë edhe me kërkesat e biznesit. Duke iu referuar situatës aktuale të shumicës dërrmuese të bizneseve shqiptare, qofshin këto të kategorive të të vetëpunësuarve, SME-ve apo korporatave, si dhe shembujve të shumtë nga vendet e tjera, jo detyrimisht atyre më të pasura dhe më të zhvilluara, mendoj se duhen studiuar mundësitë që shtyrja e shlyerjes së kredive për një periudhe 1-vjeçare, e shoqëruar me një proces të kujdesshëm, por të gjerë ristrukturimi të tyre, duke ruajtur ekuilibrin ndërmjet interesave të bankave dhe biznesit. Nëse kreditë shtyhen vetëm për 3 apo dhe për 6 muaj, ngarkesa kryesore e pagimit të tyre nga bizneset do spostohet në muajt qershor apo shtator 2020.
Por duke pasur parasysh që sektorë si turizmi, shërbimet, transporti, ndërmarrje që punojnë me lëndë të para kryesisht të importuara, ndërmarrje që kanë vështirësi në realizimin e kontratave të eksportit dhe do të duhet t’i ridimensionojnë ato etj., si dhe faktin që 3 apo 6 muajt e ardhshëm do jenë pjesë e procesit të rimëkëmbjes që akoma nuk ka garanci se do jetë normal për shkak të paqartësive me pandeminë, është e kuptueshme që për shumë biznese nuk pritet ndonjë përmirësim i situatës financiare të tyre në këtë periudhë.
Për çdo biznes në Shqipëri, periudha qershor-dhjetor 2020 pritet të jetë shumë delikate në rrugën e kthimit në normalitet dhe ato pritet të kenë vështirësi në shlyerjen e kredive, aq më tepër nëse shlyerja e principalit dhe interesave akumulohet me detyrimet e prapambetura, të shtyra vetëm 3 apo dhe 6 muaj. Në këto kushte, duke dëgjuar me kujdes dhe zërin e kërkesave të bizneseve në këtë drejtim, është e arsyeshme që të shihet mundësia e një shtyrjeje 1-vjeçare të kredive (jo falje e tyre) dhe inicimi i një procesi paralel ristrukturimi i disave prej tyre për t’u krijuar më shumë frymëmarrje bizneseve, veçanërisht atyre të prekura më rëndë nga kriza e koronavirusit, si dhe atyre me perspektiva më të vështira rimëkëmbjeje të shpejtë.
Rreziku i shtuar i mundësisë së falimentimeve të mjaft bizneseve do shumëfishonte vështirësitë e sistemit bankar për ekzekutimin e kolateraleve, do shtonte përqindjen e kredive të këqija apo të humbura, si dhe do të hapte një plagë të rëndë papunësie e nxitje të emigracionit ekonomik. Natyrisht, ky duhet të jetë një proces i kujdesshëm e gjithëpërfshirës, që ruan interesat e bankave dhe kreditorëve, me një angazhim kompleks të instrumenteve garantuese të natyrës kundërparti.
Ju jeni një ndër personalitetet e ekonomisë në vend. Qeveritë perëndimore, pas fazës së parë të mbylljes, kanë angazhuar grupe të mëdha ekspertësh për të përgatitur fazën e dytë e të tretë të hapjes. Bëhet fjalë për ekspertë të ekonomisë dhe sipërmarrjes, që këshillojnë qeveritë për ndihmat dhe masat që duhet të marrë për ekonominë. Në Shqipëri, të paktën zyrtarisht, nuk ka akoma një grup të tillë ekspertësh dhe sipërmarrësish që të propozojnë, debatojnë dhe të qartësojnë qeverinë për masat që duhet të marrë. A mendoni se është edhe kjo arsyeja që masat e qeverisë janë larg pritshmërive të biznesit dhe se kjo situatë po sjell rëndim të situatës së ekonomisë?
Në fakt, përballë emergjencës sanitare, shëndetësore e spitalore, e cila normalisht që mori e duhet të merrte vëmendjen kryesore këta dy muajt e fundit, emergjenca ekonomike u shfaq publikisht të paktën një muaj më vonë. Vetëm këto 2-3 javët e fundit mund të thuhet se “çështja ekonomike” ka dalë në vend të parë në vëmendjen e qeverisë dhe shoqërisë. Në Shqipëri është ngritur dhe ka funksionuar një grup shumë cilësor ekspertësh mjekësh e epidemiologësh dhe besoj që ka ndikuar ndjeshëm në vendimmarrjen e qeverisë në këtë periudhë. Për ekonominë, të paktën zyrtarisht e publikisht, nuk ekziston një grup i tillë ekspertësh që duhet ta ndihmonte qeverinë dhe vendimmarrjen me analiza, këshilla e sugjerime për ndërhyrjen në ekonomi, politikat specifike për mbështetjen e biznesit dhe mbi të gjitha, reflektimeve e ndërtimin e strategjisë për periudhën e rimëkëmbjes për muajt në vazhdim. Dialogu qeveri-biznes zhvillohet kryesisht në distancë, nëpërmjet deklaratave publike të organizatave e shoqatave të biznesit për kërkesat e tyre, medias etj., dhe më pak nëpërmjet kontakteve direkte të biznesit me qeverinë. Shpesh, kjo situatë ka krijuar një kakofoni zërash e kërkesash pa iu përgjigjur thelbit të problemeve. Media është e mbushur me tituj të tipit “pesë kërkesat e biznesit të vogël”, “tetë kërkesat e shoqatave të biznesit”, “dhjetë kërkesat e operatorëve turistikë” etj., në një kohë që mund të ishte më eficiente përpunimi i gjithë këtyre kërkesave e politikave që duhet të burojnë për realizimin e tyre, nga një grup i specializuar ekspertësh të nivelit të lartë, për t’ia sugjeruar e artikuluar në mënyrë të sintetizuar e përpunuar shkencërisht qeverisë. Ndërkohë, në shumë vende të tjera, menjëherë mbas përhapjes së pandemisë dhe izolimit social e ekonomik, u ngritën dhe u organizuan grupe ekspertësh ekonomie, financash, menaxhimit e zhvillimit pranë qeverive dhe disa raste edhe pranë parlamenteve, për të propozuar e debatuar masat më të domosdoshme ekonomike e financiare në këto situata të jashtëzakonshme. Në Itali, Francë, Britaninë e Madhe, Spanjë, SHBA, Zelandën e Re, Japoni, Austri, Gjermani etj., në këto grupe bëjnë pjesë personalitete të shquara të ekonomisë dhe CEO të kompanive më të shquara kombëtare e ndërkombëtare, të cilët natyrisht që ndikojnë pozitivisht në hartimin e politikave dhe strategjive të daljes graduale nga izolimi dhe hapjes, deri te strategjitë më afatgjata të rimëkëmbjes.
/e.rr