Fundvitin e shkuar mbushi 83-vjeç, por mbetet po aq i zënë me punë sa dikur. I lindur në Margam të Uellsit në vitin 1937, Anthony Hopkins u punësua në Teatrin Kombëtar Mbretëror në Londër nga Laurence Olivier në vitin 1965. Më pas pati një karrierë brilante në kinematografi. I nominuar plot 4 herë, Hopkins fitoi çmimin “Oscar” për rolin e tij në filmin e vitit 1992 “Heshtja e qengjave”. Ai bisedoi me ne mbi kurthet e famës, kolegët arrogantë, muzikën, dhe hobet e tij të tjera.
Sir Anthony, si reagoni kur njerëzit ju quajnë një legjendë e gjallë e kinemasë?
Ndihem realisht në siklet, dhe u them që të më drejtohen thjesht Toni. Unë nuk jam një legjendë. Jam thjesht një djalë që kam pasur shumë fat në jetë.
Në rregull, fakti që mbeteni modest edhe pas më shumë se 60 viteve karrierë, ju bën akoma më shumë një legjendë. Tek e fundit ju jeni Hannibal Lecter, një nga personazhet më ikonikë të kinemasë botërore…
Jam dakord, por nuk jam një legjendë. Mua më duhet ende të laj dhëmbët në mëngjes, dhe të vesh pantallonat ashtu si çdokush tjetër në këtë botë. Fama është një kafshë e rrezikshme. Që në minutën e parën kur ti fillon të mendosh se je më i veçantë nga të tjerët, ke marrë fund.
Ju jeni ende shumë të zënë me punë, dhe nuk qëndroni larg filmave që operojnë me teknologji të reja, si për shembull “Transformers 5”. Si arrini t’i përshtateni kësaj bote të re të teknologjisë, kur duhet të aktroni përpara makinave dhe ekraneve të gjelbërta?
Oh, ne aktorët aktrojmë kudo. Nuk ka asgjë problem. Ti e mëson pjesën tënde të tekstit, dhe pastaj fillojnë xhirimet. Nuk është aq shumë ndryshe se sa gjithçka tjetër që kam bërë. Gjithçka ka të bëjë me instiktin.
Çfarë ju motivon të vazhdoni të aktroni në këto kohë? Nuk më duket se keni ende nevojë të punoni…
Mua realisht më pëlqen. Aktrimi më mban jashtë telasheve, dhe e mban aktiv trurin tim. Nuk mund të rri ulur në shtëpi, duke mos bërë asgjë në jetën time. Do të vdisja. Këtë e di me siguri.
Dhe tashmë jeni 83-vjeç…
Po dhe mund të gjej ende punë. Për sa kohë që kjo ndodh, unë do të vazhdoj që të punoj. S’ka asgjë më të mirë që mund të bëj, sesa të qëndroj para një kamere dhe të aktroj. Është një nga dhuntitë më të mëdha që më është dhënë ndonjëherë. Dhe ndjehem shumë mirë.
Në të kaluarën jeni shprehur se kur mbaronit së xhiruari një film, kishit frikë se nuk do të thirreshit më për ndonjë rol tjetër. A ka ndryshuar qasja juaj?
Po, tani ndihem pak më i relaksuar. Por m’u desh shumë kohë. Le të jemi të sinqertë, nuk më kanë mbetur edhe shumë vite për të jetuar.
A duhet që aktorët të qëndrojnë të “uritur”, pra shumë kërkues ndaj vetes?
Po, dhe mendoj se kjo gjë është thelbësore për karrierën e tyre. Në të kundërt, ata bëhen të vetëkënaqur, dhe sinqerisht besoj se kjo ndikon negativisht në punën e tyre. Aktorët “e uritur”, dëshirojnë të arrijnë gjëra të mëdha. Unë dua ende të arrij gjëra të mëdha.
Nga ana tjetër, sot çdo minutë e ditës sonë është e planifikuar, kështu që është edhe më e rëndësishme ta shijosh jetën, të ndalesh dhe të shohësh përreth, dhe të mos kesh shumë pritshmëri të mëdha. Dhe unë mundem ta bëj këtë gjë.
A është ky sekreti juaj i suksesit?
Mundet. Unë s’kam pasur asnjëherë shumë pritshmëri për jetën time. Dhe doli të ishte krejt e kundërta. Nuk mund të ankohem. Unë nuk besoj tek arroganca. Nuk është në natyrën time.
A ka shumë aktorë të rinj arrogantë sot?
Shumë herë ndjej që ka. Por atëherë unë u dukem të tjerëve si një plak zevzek, dhe unë s’dua që të perceptohem si i tillë. Kam njohur shumë aktorë dhe aktore të reja shumë profesionistë, por kam takuar edhe disa që nuk po silleshin ashtu siç do të duhej.
Dhe çfarë bëni ju kur ndodh dicka e tillë?
Unë shoh dhe vëzhgoj për njëfarë kohe, dhe pastaj flas. I pyes nëse ata janë të kënaqur kur vijnë në punë, dhe kur aktrojnë në atë mënyrë. I pyes nëse do të donin të trajtoheshin ashtu si i trajtojnë të tjerët, dhe nuk po flas vetëm për aktorët, por për gjithë stafin. Të gjithë meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe drejtësi, ashtu si profesionistët e tjerë.
Ju nuk jeni vetëm aktor, pasi pikturoni dhe kompozoni. Çfarë do të thotë për ju muzika?
Oh, është shumë e rendësishme për mua. Më pëlqejnë kompozitorët George Gershëin, Chopin, Franz Liszt. Sot nuk ka më si muzika e tyre. Dhe kjo gjë më trishton. Unë mendoj se ajo lloj muzike i përket një bote tjetër. Dhe kur kompozoj, ndjej mrekullinë e të qenit gjallë, i lumtur, dhe përpiqem gjithmonë të shijoj çdo moment të saj. Më pëlqen që gjithçka ngadalësohet, gjë që është një ndjenjë e mirë për një burrë të moshuar si unë. Është si një zë i brendshëm që më thotë se gjithçka është në rregull, se jeta në këtë moment është e paqtë.
Ju më impresiononi si një person që nuk ndalet së mësuari, është e vërtetë?
Po, dhe do t’ju them arsyen përse. Ne mund të kemi akses në pjesë të trurit tone, të cilat nuk shqetësohemi t’i përdorim dhe aq shumë. Ju i dëgjoni njerëzit që ankohen shumë se gjithçka është e vështirë, se asgjë nuk është më e lehtë. Ky është një gabim i madh. Unë mendoj se është pozitive që gjërat janë të vështira, dhe që nuk ka një zgjidhje të thjeshtë për çdo problem.
Pse?
Unë u them aktorëve:Mësoni tekstin tuaj, mësojeni atë pa pushim. Ata më thonë që është e mërzitshme. Dhe unë u them atyre, që vetëm nëse vazhdojnë të mësojnë vazhdimisht tekstin, do ta kuptojnë vërtet thelbin e vërtetë të dijes. Gjërat nuk vijnë asnjëherë lehtë në këtë jetë, nuk ka në çdo rast rregullim të shpejtë të gjërave. Nëse e vështirëson veten, shpërblimi do të jetë edhe më i madh pasi të kuptosh diçka. Duhet disiplinë…
Si e mësuat ju disiplinën?
Nuk jam ndjerë kurrë shumë i zgjuar në shkollë. Pastaj zbulova aktrimin, dhe e kuptova që nëse mësoja, qëndroja i disiplinuar dhe kujdesesha për shëndetin tim, mund të kisha sukses. Kam punuar shumë gjatë gjithë jetës sime, dhe akoma e bëj diçka të tillë.
Cila ka qenë periudha më e vështirë e jetës tuaj?
Ajo kur pija shumë alkool. Për pak sa më vrau. Por ndalova së piri. Jeta është e vështirë. Problemet e personalitetit mund të jenë të vështira. Kam mësuar një proces, për t’i kapërcyer problemet pa konsumuar alkool.
Dhe cili është ai?
Mundohem të mos e marr më gjithçka aq seriozisht. Kjo e bën më të lehtë jetën time. Gjithashtu, unë jam në një moshë kur t’i humbet kohë pas kohe miqtë e tu më të ngushtë, dhe kjo të bën tëa kuptosh se vdekshmëria është diçka e vërtetë. / Sette – Bota.al