Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokratike kanë bllokuar dje në Komisionin e Sigurisë miratimin e projektligjit “Për masat shtesë të sigurisë publike”, shkruan Panorama.
Deputetët e LSI-së dhe PD-së kanë dalë kundër draftit të Ministrisë së Brendshme, duke thënë se nisma nuk e ka të qartë se sa është kostoja financiare që do të duhet të paguajnë institucionet dhe bizneset vendëse për vendosjen e kamerave të sigurisë në ambientet e tyre.
Kreu i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, e ka miratuar nen për nen projektligjin, por në fund nuk e ka hedhur në votim në tërësi. Ai tha se nisma nuk do të kalohet në Kuvend, dhe se deputetët do të presin nga Ministria e Brendshme një analizë të detajuar të kostove financiare që ka projektligji.
DISKUTIMI Deputeti i LSI-së, Luan Rama, i mbështetur edhe nga nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka, propozuan që të bllokohet miratimi i projektligjit, që detyron bizneset, drejtuesit e transportit publik dhe institucionet të vendosin kamera me cilësi të lartë në ambiente e tyre.
“Jo çdo subjekt që është transport publik është biznes i madh, një person ka një mikrobus ose një furgon. Vlera e kamerës dhe sistemi i lidhur mund të shkojë më shtrenjtë seç bën mikrobusi. Shërbime të tilla përgjithësisht i merr shteti, por këtu është kthyer moda partneritet publik-privat dhe mund të jetë një zgjidhje… Unë kërkoj, zoti kryetar, që të bllokohet shqyrtimi i ligjit deri sa të vijë e sqaruar në Kuvend e gjithë kostoja financiare dhe çfarë do të përballojë privati dhe shteti në këtë operacion”, tha dje Luan Rama.
Ndërkohë që deputeti i PD-së, Flamur Noka, theksoi se analiza financiare e kostove të këtij projektligji duhet të kalojë sërish në Komisionin e Ekonomisë dhe se ai nuk mund të miratohet në Parlament. Socialisti Piro Lutaj propozoi që informacioni mbi kostot të prezantohet në Parlament, por kreu i Komisionit Spartak Braho, nuk e hodhi në votim projektligjin e propozuar nga ministri Tahiri.
DEBATI NË KOMISION
Luan Rama: Në këtë ligj keni shkruar që vendosja e kamerave nuk ka kosto për buxhetin e shtetit. Shkollat nga do ta gjejnë të ardhurën për këtë instalim? Autobusëve që shërbejnë për transportin publik kush do t’ua përballojë koston? Sa është vlera e kostos?
Paulin Sterkaj: Këtë kosto do të ishte mirë ta përballonte shteti, sepse taksapaguesit i çojnë paratë te shteti. Duhet specifikuar cilësia e kamerave që do të vendosen për të penguar lobimin e ndonjë kompanie të caktuar. Sa herë ndërron qeveria, do të ndërrojmë kamerat? Ky është një investim publik. Ne e detyrojmë subjektin që po ndërroi teknologjia, të vendosë sistem të ri. Ai mund të mos ketë mundësi. Do t’u japim mundësi qeverive të bëjnë biznese për kompani të caktuara. Ne duhet ta mbrojmë konsumatorin. Kjo s’mund të ndryshohet me VKM.
Gjovalin Loka(Policia e Shtetit): Mjafton që kamerat të jenë me cilësi dhe me pamje të qarta. Nuk është e nevojshme të ndryshohen çdo rast. Luan Rama: Unë kërkoj, zoti kryetar, që të bllokohet shqyrtimi i ligjit, deri sa të vijë e sqaruar në Kuvend e gjithë kostoja financiare dhe çfarë do të përballojë privati dhe shteti në këtë operacion.
Flamur Noka: Ligji dhe kostot duhet të kalojnë në Komision të Ekonomisë, dhe nuk mund të mbyllet sot kjo punë. Spartak Braho: Për pikën “e” të qëndrojë, kamerat të vendosen për subjektet që kryejnë veprimtari të transportit masiv publik për udhëtarët, si dhe transport të vlerave monetare dhe të mallrave të rrezikshëm…
Luan Rama: S’ka nevojë për transport masiv, por edhe transport publik je në rregull. Spartak Braho: Ne kemi hall se ua fusin taksive…
Gjovalin Loka (Policia Shtetit): Të hiqet termi masiv, sepse bëhet fjalë për transportimin e vlerave monetare dhe ato nuk transportohen masivisht.
Flamur Noka: Po e latë vetëm transport, ua rrasët edhe taksive…
Gjovalin Loka(Policia Shtetit): Taksitë patjetër, se janë shërbim publik.
Panorama