Nga Artan Fuga/
Mirë mo mirë edhe e mundim Armeninë se ekip i dobët është, e pashë dje. Mediokër. Nuk kishe nga e kapje fare…
Por, edhe po hymë, në finalet e europianit, tani do të hyjmë jo nga dera, duke i rënë me shqelm, si luanët, që shkatëruam Portugalinë e Serbinë, por nga oxhaku, si si xhaxhi ujku, si “rrahës” të armenëve.
Hajde mo!
Por, edhe atje në europian po shkuam duhet të kemi një ekip të mirë se mund të bëhemi gazi i botës duke u rrahur në cdo ndeshje…e mbajtur topin në zonat e lira.
Ore unë nuk marr vesh fare nga futbolli. Nuk dalloj dot as se kur quhet gol, kur e ka kaluar vijën fatale, apo kur është në mes të vijës fatale…!
Jam injorant fare në këtë fushë. E pranoj.
Por kur të gjithë bëhen specialistë për shkenca sociale, pse të mos bëhem unë specialist futbolli smile emoticon
Por, unë di një gjë shumë më mirë se kushdo në Federatë, jam i sigurt, pra di si ndërtohet një ekip, një skuadër, një grup, qoftë ky grup :
shkencëtarësh,
sportistësh,
punonjësish fasonë,
apo hajdutësh,
ushtarësh…,
lypsarësh
apo çfarë të doni ju.
Ka qindra libra për këto punë, nuk janë si t’ja fusësh me shqelm një topi.
Kjo quhet komunikim i brendshëm dhe për këtë njoh pothuajse gjithçka që quhet maja e mendimit të sotëm.
Nuk ka të bëjë as me futbollin, as me basketbollin, as me yçin kjo punë, ka të bëjë me unitetin, identitetin, koherencën, organizimin e brendshëm, motivimin e grupit në cdo fushë.
Nuk ndërtohet një ekip i qendrueshëm me lojtarë që luajnë njeri në Laos e tjetri në Guine, sado të mirë të jenë e djelm të mbarë që sigurisht janë.
E kam shprehur prej muajsh, a e mbani mend mo?
Një ekip ka nevojë për intimitet, për njohje të përditshme, për ngjizje të brendshme të imët, ka nevoje për logo të përjetuar në çdo çast, njohje të kolegëve me nuhatje që vjen vetëm nga përditshmëria, ka nevojë që punën në grup ta quajnë rrugën e vetme për t’u afirmuar dhe jo dytësore, ta quajmë realizimin e objektivit si emancipim dhe lulëzim personal.
Nuk bëhet vetëm me patriotizëm kjo punë.
Prandaj me Armeninë, duhet bërë tjetër gjë fare, duhet hequr kozmopolitizmi i sëmurë.
Aty është virusi i kombëtares sonë.
Merret ekipi më në formë sot në Shqipëri, Skënderbeu a Sopoti, pak rëndësi ka se kush është, plotësohet në pikat e veta të dobëta me dy a tre lojtarë që luajnë në kampionatin shqiptar me skuadra të tjera, plotësohet edhe me një ose dy lojtarë shqiptarë që luajnë realisht dhe aktivisht jashtë dhe nuk rinë në stol a gati për pension, dhe do të shihni se çfarë rezultati do të japi.
Shumë më jetësor, të gëzueshëm, profesional, sponntan, energjik, entuziast dhe profesional sesa gjendja e sotme.
Ke qejf të mundesh me këtë ekip, jo më të fitosh.
Po bëhuni mo trima në Federatë, mos i besoni vetëm markave të huaja sikur jemi thjesht indigjenë.
Edhe trajneret, le të jenë të huaj, por jo me dorë të lirë. Ky rregull u duhet imponuar. Dhe me një këshill arbitrash shqiptarë përreth që duhet të konsultohen, jo të zhgarraviten si gjinkalla të braktisur në emisione llogjesh televizive.
Bëjni këtë dhe fitorja me Armeninë që duam është në xhep… Pa frikë fare.
Edhe po u mundëm, mundemi si njerëz…