Të shumëpërmendurit kodikë të Beratit nr. 1 dhe nr. 2, ose të referuar edhe si Beratinus 1 dhe Codex Aureus Anthimi, të cilët u shkruan në shekujt VI dhe IX, u zbuluan pas një periudhe të gjatë fshehjeje, më 12 gusht 1968 në kishën katedrale të Fjetjes së Shën Marisë në Berat (sot Muzeu “Onufri”) dhe u morën në dorëzim nga oficerët e Degës së Punëve të Brendshme të Beratit.
Më 21 gusht të po atij viti kodikët iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave nga Ministria e Arsimit. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përmes një postimi në “Facebook” sqaron se për shkak të dëmtimeve të mëdha që kishin pësuar, kodikët kishin nevojë të menjëhershme për restaurim, gjë e cila nuk ndodhi shpejt në kohë. Pas komunikimeve përmes kanaleve të Ministrisë së Punëve të Jashtme, më 18 mars 1971, dy arkivistë të AQSh, Reshat Alia dhe Sanije Mara, u nisën për në R.P. të Kinës, vend i cili kishte shprehur gatishmërinë për të kryer restaurimin e kodikëve në laboratorin e Institutit Arkeologjik. Restauratorët kinezë pohuan se nuk kishin asnjë përvojë pune me materiale të tilla, por premtuan se do të bënin të gjitha përpjekjet për restaurimin.
Restaurimi kaloi në disa procese. Procesi i parë ishte shkëputja e fletëve të ngjitura me njëra-tjetrën. Për këtë arsye u ndërtua një arkë prej xhami, u montua një aparat i thjeshtë për prodhimin e avullit dhe futjen e avullit brenda arkës. Në arkë u vendos një barometër, për të vëzhguar temperaturën dhe lagështinë, duke i lënë fletët në atë mjedis për 3 orë. Gjatë këtij procesi u bë dhe numërimi i fletëve. Procesi i dytë ishte restaurimi dhe ngjitja e fletëve, të cilat ishin dëmtuar gjatë shkëputjes nga njëra-tjetra. Gjatë këtij procesi është bërë edhe pastrimi nga precipi-timet e ujit, pluhurit dhe mykut. Më pas është bërë rrafshimi i fletëve, duke i futur ato mes dy xhamave organikë dhe duke i vendosur nën pesha. Procesi i tretë ishte mbyllja e fletëve në xhama organikë në mënyrë hermetike. Mbyllja është bërë brenda një balloni që nuk përmbante ajër, por vetëm azot dhe thynol të pastër. Në fund, xhamat që mbanin fletët e të dy kodikëve u vendosën në zarfe plastike dhe u lidhën në vëllime. 190 fletët e Beratinus 1 u vendosën në 9 vëllime, kurse 420 fletët e Beratinus 2 u vendosën në 21 vëllime. Krahas restaurimit u bë edhe një punë e madhe, e kushtueshme financiarisht dhe mjaft e gjatë në kohë, për përgatitjen e kopjeve të dy kodikëve dhe të maketeve të tyre. Për të prodhuar kopjen e kodikut Beratinus 2, Instituti i Arkeologjisë së Kinës tërhoqi nga Banka Kombëtare e Pekinit 50 gramë ar për shkrimin, si dhe u therën 119 kokë dhi për të prodhuar 420 fletët e pergamenës.
Më 6 nëntor 1971, 3 arkat në të cilët ishin vendosur kodikët edhe materialet e tjera u ngarkuan në vaporin “Vlora” dhe u nisën për në Shqipëri. Vapori mbërriti në Portin e Durrësit më 31 dhjetor të atij viti. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave i mori në dorëzim arkat e kodikëve më 6 janar 1972, kur vapori “Vlora” u fut në Portin e Durrësit. Më 15 janar, në DPA, u zhvillua ceremonia e marrjes në dorëzim të kodikëve, në praninë e drejtorit të DPA, Skënder Hajro, Këshilltarit të ambasadës së R.P. të Kinës, Sia Sin Fën dhe personaliteteve të shkencës: Androkli Kostallari, Stefanaq Pollo, Aleks Buda, Marika Vogli, Ballkeze Haxhihyseni, Mevla Kaba, Gani Strazimiri, e të ftuarve të tjerë. “Kodiku i Purpurt i Beratit” dhe “Kodiku i Artë i Anthimit” (“Beratinus- 2”, shekulli i 9-të pas Krishtit) ishin dy prej veprave që gjendeshin në listat e objekteve të shpallur “në kërkim” në periudhën e Luftës së Dytë Botërore. “Kodiku i Purpurt i Beratit”, sipas Aleksudhes, duhej të ishte shkruar “me dorën e shën Gjon Gojartit”. Mirëpo Batiffol mendon se “nuk është tamam dora e shën Gjon Gojartit. Kodiku i dytë (sipas kronologjisë), i quajtur “Beratinus- 2” ose “Kodiku i Anthimit”, po edhe “Codex Aureus Anthimi” – për shkak të germës prej ari që është përdorur, i takon shekullit të 9-të. (Gazeta Shqiptare)/a.k