Nga Ben Andoni
Përfaqësueses së Kosovës në futboll i kanë mbetur dhe dy ndeshjet e fundit, që të shpallet fituese në grupin D të Ligës së Kombeve. Nëse më 17 Nëntor në Valeta do të merren pikët e mjaftueshme ndaj Maltës, ajo do mbetet pothuaj në krye të grupit. Fryma e fitores përcillet masivisht në çdo qytet të Kosovës, që janë të bindur plotësisht se përfaqësuesja e tyre është më e mira në grup dhe jo vetëm. Tashmë, kosovarët në masë e mendojnë se Shqiptarinë në sport ose ata vetë i përfaqëson më mirë ekipi i tyre i zemrës sesa ekipi përfaqësues i Shqipërisë. Dhe, kanë një farë të drejte: Lojtarët e tyre në ekipe cilësore të huaja janë më të shumtë dhe luajnë në ekipe më prestigjioze se patriotët e tyre.
Vite më parë, kur Kosova nuk e kishte këtë mundësi dhe po bënte rrugën e vet të identitetit, e pastaj me shpalljen e pavarësisë dhe më vonë ringritjen e institucioneve, ishte e natyrshme që sportistët e saj të kërkonin shpalosjen e aftësive të tyre me bluzën e Shqipërisë. Prej kësaj, Shqipëria kishte luksin që krahas përzgjedhjes së elementit cilësor në kampionatin e saj gjithnjë e më të dobët në vite, të vinte gishtin mbi këdo kosovar, i cili luante dhe dallohej në skuadrat evropiane. Procedura ishte pastaj e thjeshtë: miratohej nga strukturat e FSHF-së dhe pastaj emri i përcillej presidentit të rrallës, që nuk e pengonte asnjëherë dhënien e nënshtetësisë. Përfaqësuesja e Shqipërisë, në shumë ndeshje, më shumë përfaqësonte gjeografikisht hapësirën kosovare sesa atë shqiptare. Kulmi ishte përfaqësimi i Shqipërisë në Kampionatin e fundit Evropian të Futbollit, ku ndeshjet e luajtura dhe sidomos mungesa e fatit, bëri që ekipi ynë të mos e kalonte turin, por të ngjallte një ndjenjë të madhe shqiptarie me frymë kosovare. Ekipi kryesor ishte me shumicë futbollistë me origjinë të Kosovës. Një rast i ngjashëm me shumë të tjerë në botë, ku paraprin sporti, u shfrytëzua më së miri nga politika dhe zyrtarët e sportit tonë për të treguar sukseset e tyre.
Por, ndërkohë kishin filluar hatërmbetjet. Pak kohë më parë Shqipëria largoi Rashicën dhe të tjerë emra të njohur, ndërkohë që specialistë të sporteve vazhdimisht e këshilluan FSHF-në që të kishte mendjen nga prodhimet e veta. Siç ndodh rëndom përgjigja e FSHF-së ishte se po e bënte këtë dhe një shifër shumë e madhe shqiptarësh, që luanin jashtë vendit po monitoroheshin me shumë kujdes.
Gjithsesi, Shqipëria nuk hoqi dorë nga kosovarët, por ishin këta të fundit, që filluan të ndjenin erën e një fanelle të re, ku identiteti i tyre ishte më i përfaqësuar. Ndodhi shpesh e më shpesh që kosovarët i thanë jo përzgjedhjes shqiptare.
Zyrtarët e Shqipërisë, që kishin një lloj patronazhi për ndihmën sa i përket anëtarësimit të Kosovës, kujtonin se vëllezërit e vegjël do ta shikonin gjithnjë me veneracion. Në fakt, nuk ndodhi kështu. Kosova me një përvojë shumë të madhe dhe për hir të së vërtetës më elitare se Shqipëria në skakierën ndërkombëtare të sportit, filloi të ngrejë pak nga pak ekipin e vet. Ashtu, si pati përfaqësime të mrekullueshme dhe në disiplina të tjera që kulmuan me medaljen olimpike të Majlinda Kelmendit. Por, të kthehemi te futbolli, Kosova dhe hapësira sllave ka nxjerrë shumë personalitete me njohje ndërkombëtare: Të mos harrojmë se Gani Ajeti ka arritur deri në postin e zëvendës/presidentit të Federatës Jugosllave, kurse Daut Jashanica arriti të kryesonte delegacionin e Federatës Jugosllave në Los Anxhelos, si Kryetari i Lidhjes së Kulturës Fizike të Jugosllavisë stade, që askush si kish arritur në vendin tonë me përfaqësuesen tonë ose ekipe tonat. Edhe historia fliste kundër nesh sa i përkët kësaj marrëdhënie. Historiani i sportit Besnik Dizdari në një shkrim interesant të pak viteve më parë për këtë lidhje krahas shumë fakteve do të shtonte edhe se: “Naim Kryeziu i Romës– kampion i Italisë dhe Riza Lushta i Juventusit- fitues i Kupës së Italisë, arritën madje të vishnin fanellën e Kombëtares së Italisë, kampione bote. Dhe se ditën e themelimit të Kombëtares së Shqipërisë më 12 mars 1936, në 11-shin e saj themelues qenë tre shqiptarë të Kosovës: Lushta, Kryeziu dhe Xërxa”.
Shqipëria zyrtare nuk e kuptoi trendin e rinisë dhe vetë popullit kosovar, që dëshiron një fytyrë sportive jashtë asaj të cilës e kanë drejtuar deri tani. Dhe, këtë e shikon në mobilizimin e përgjithshëm për të ndjekur Kosovën, frymën që ka përcjellë ajo dhe mbi të gjitha krijimin e një identiteti sportiv të spikatur, e cila ndjehet në çdo qelizë të jetës. Mbi të gjitha me kremtimet e xhudistëve, karateistëve dhe boksierëve të saj.
Me trajnerin zvicerian Bernard Challandes, Kosova ka bërë një hap pindarik dhe kërkon që shpejt të jetë mes 100 përfaqësueseve më të mira të listës së FIFA-s në futboll. Mu këtë listë, në të cilën Shqipëria nga muaj në muaj po njeh zbritje e zbritje dhe po i afrohet kufijve skajorë të saj, sepse tashti kosovarët e kanë zgjedhur ekipin e tyre, që i bën krenar dhe përveç kësaj i frymëzon për më shumë.
Shqipëria për fatin e keq të saj nuk arrin dhe frymëzon më sportistët e vetë dhe jo sportistët kosovarë sepse ata janë më të angazhuar me shtetin e tyre të ri dhe krijimin e fizionomisë së tyre. Forcimi i këtij shteti për ata që justifikohen me të drejtë është edhe forcimi i vetë shqiptarëve, por nga ana tjetër përbën edhe ndarjen përfundimtare të Shqipërisë dhe Kosovës prej asaj që i bashkoi aq shumë dikur futbollit. Kjo e fundit, kaloi në ekstazë dhe gati përqeshje për përfaqësuesen e Shqipërisë, kur Kosova e mundi bindshëm pak kohë më parë. Me sa duket, erdhi koha të jemi sërish të ndarë…në futboll. (Javanews)