Nga Marc Champion – Bloomberg/
Donald Trump do të ulet shumë shpejt në negociatat më të rëndësishme të karrierës si president. Ai do të bëhet presidenti i parë amerikan që takon një lider të Koresë së Veriut që pas luftës shkatërruese të gadishullit në vitin 1950. Trump ka shkruar një libër mbi marrëveshjet, por kësaj here nevojitet balanca mes luftës bërthamore dhe paqes, pra marrëveshja është shumë më tepër se një kontratë për pasuritë e patundshme. Dhe siç duken gjërat deri tani, edhe partneri i tij në këto bisedime, Kim Jong-un, e ka përsosur artin e marrëveshjes. Denis Rodman, një vizitor i rregullt i Koresë së Veriut, i ka thënë TMZ-së se në vitin 2017 i ka dhuruar Kim Jong-unit për ditëlindje një kopje të librit të Trumpit, “Arti i marrëveshjes”.
Në librin e tij të botuar në vitin 1987, Trump u jep 11 këshilla negociatorëve të tij. Kim duket se ka vënë në përdorim efektivisht të paktën gjysmën e tyre, duke nisur nga e para: mendo për diçka të madhe. Ishte vetë Kim ai që disa muaj më parë hodhi idenë e një takimi me Trump-in, në përpjekje për uljen e tensioneve pas kërcënimeve të shkëmbyera me të në lidhje me testet bërthamore dhe ato raketore.
Ajo që deri tani askush nuk e di të sigurt është nëse – siç pranoi këshilltari për sigurinë, John Bolton, më 29 prill në televizionin CBS – Kim ka ndërmend ta vendosë në tavolinën e bisedimeve planin për çarmatimin e plotë, të verifikueshëm dhe të pakthyeshëm të Koresë së Veriut.
Gjuha që Kim ka përdorur për denuklearizimin nuk është e re dhe shumë janë skeptikë për këtë “tango” të tij me Amerikën. Qëllimet e tij të vërteta mund të jenë p.sh ndarja e SHBA-ve nga aleatët në Korenë e Jugut dhe Japoni, çlirimi nga sanksionet ekonomike që po e mbysin ekonominë e vendit etj. Kim tashmë e ka ndryshuar retorikën ndërsa ka lëshuar pak pe, përtej një moratoriumi mbi testet bërthamore, që mund të mos jetë më i nevojshëm.
“Ai e ka bërë këtë me mjeshtëri, padyshim duke hyrë si pykë mes këtyre aleancave”, thotë Jonathan Berkshire Miller, i Institutit Japonez për Marrëdhëniet Ndërkombëtare.
Një samit është çështje PR për Kim Jong-unin. Një takim kokë më kokë me presidentin amerikan ka qenë prej kohësh aspiratë e Koresë së Veriut. Televizionet e vendit komunist do të bombardojnë opinionin atje me pamje që kanë për qëllim të servirin liderin e një shteti të vogël totalitar që barazohet me liderin e botës së lirë. Kjo do të ishte një fitore politike dhe diplomatike për Kimin. Më 27 prill, ai u bë lideri i parë i vendit të tij që kaloi paralelin e 38-të, që ndan gadishullin, kur i dha dorën duke buzëqeshur presidentit Moon Jae-in të Koresë së Jugut. Ai e ftoi atë të vizitojë pjesën veriore të vijës së demarkacionit mes dy Koreve, duke bërë të qartë se nuk kishte bërë asnjë lëshim.
Një tjetër pikë e librit të Trumpit që Kim duket se e ka studiuar mirë është “Të njohësh tregun tënd”, në këtë rast vetë autorin e librit. Kim duket se e ka kuptuar se banori i ri i Shtëpisë së Bardhë është më i gatshëm se të gjithë të tjerët më parë (me gjasa edhe ata pas tij) për të injoruar rekordet alarmante të shkeljes së të drejtave të njeriut në vendin e tij dhe paralajmërimet nga politika e jashtme amerikane për rreziqet e një takimi të tillë. I organizuar shpejt dhe pa rezultate të shkruara, samiti është një përpjekje e nivelit të lartë, sidomos nëse kemi parasysh të shkuarën e marrëveshjeve të dyfishta të Penianit mbi çështjen bërthamore.
“Kam qenë në tre takime të Koresë së Veriut”, thotë Daniel Sneider, profesor i studimeve mbi Azinë Lindore në Stanford. Ai kujton Kim Dae-jung, ish-president i Koresë së Jugut që fitoi Nobelin e Paqes pas një takimi me Korenë e Veriut, që bëri njësoj bujë në vitin 2000. “A çoi në denuklearizim? Nuk besoj”, thotë ai.
Me modelin e tij të çuditshëm të flokëve dhe kërcënimet teatrale për butonin bërthamor mbi tavolinën e tij, Kim mund të mos ketë pasur fare nevojë për këshillën e Trump-it për t’u portretizuar në media si “pak më ndryshe, pak më i egër”. Sigurisht, ai ia doli.
“Përdor levat e tua” është një tjetër këshillë në librin e Trumpit, që duket se Kim ka ditur ta përdorë. Në libër, “levat” përshkruhen si “diçka që ti e ke dhe të tjerët e duan”. Kim e ka përdorur dëshirën e SHBA-ve për çarmatimin “e plotë, të verifikueshëm dhe të pakthyeshëm”. Vitin e shkuar, ai i shtoi “levat” kur kreu një seri testesh bërthamore që treguan kapacitetin e Koresë së Veriut për të shkaktuar një katastrofë bërthamore në Los Angeles apo Nju Jork.
Kim ka edhe kohën në anën e tij. Si një diktator 30-vjeçar që nuk është zgjedhur me votë, ai e ka luksin të luajë një lojë më të gjatë se 71-vjeçari Trump, i cili mund të mos marrë mandat tjetër në 2020-n, ndërsa partisë së tij i duhet të ruajë shumicën në Kongres pas zgjedhjeve të mesit të mandatit. Por edhe Trump nga e tij i ka shtuar levat, duke ushtruar presion mbi aleatin e vetëm të Kimit, Kinën, përmes rritjes së tarifave tregtare.
Duke ia ofruar të dyja: edhe karrotën përmes një hapjeje të mundshme, edhe shkopin në formën e sanksioneve, shto këtu edhe paparashikueshmërinë për ndonjë aksion ushtarak, Trump ua kaloi edhe paraardhësve Obama dhe Bush, thotë Ian Bremmer, president i “Euroasia Group”, një institut me bazë në Nju Jork. Trump-it i duhet njohur merita e të kthyerit të një status quo-je të vështirë në një mundësi për paqe.
Sidoqoftë, shanset që Kim të heqë dorë nga potenciali i tij bërthamor nuk duken të mëdha. Kjo duke pasur parasysh shembullin e diktatorit të Libisë, Muamar Ghadafi, i cili u rrëzua me ndihmën e Perëndimit dhe u vra brutalisht nga rebelët në vitin 2011, pasi i dha fund programit të tij bërthamor.
Po ashtu, për Trump-in mund të jetë e vështirë të mbajë Kimin nën presion gjatë negociatave. Në prill, vetëm pak muaj pas testit raketor të Koresë së Veriut, “Global Times” një e përditshme në anglisht që mbështetet nga qeveria e Kinës, argumentoi në një editorial se ishte koha të shpërblehej ndryshimi i tonit të Penianit duke u dhënë fund ushtrimeve ushtarake të SHBA dhe sanksioneve ndërkombëtare.
Kjo është pika ku Kim fiton më shumë. Sanksionet kanë pasur një bilanc të rëndë në Korenë e Veriut. Edhe pse nuk ka të dhëna të besueshme zyrtare për ekonominë e Koresë së Veriut, ai mbetet një vend i varfër. Sipas bankës qendrore të Koresë së Jugut, nw vendin komunist në vitin 2016 PBB (GDP) ishte 30 miliardë dollarë (1300 dollarë për kokë), ndërsa në të njëjtin vit, PBB e Koresë së Jugut ishte 1.4 trilionë dollarë (mbi 27 mijë dollarë për kokë).
Sanksionet e OKB-së e kanë bërë punën e tyre, duke i ulur eksportet në 1.9 miliardë dollarë vitin e kaluar, nga 3.5 miliardë që ishin në vitin 2012, sipas FMN-së. Kjo e ka bërë Korenë e Veriut të varur nga Kina për 86% të eksporteve të saj, më shumë se dyfishi i dhjetë viteve më parë. Shtrëngesa në rezervat në valutë mund ta ketë detyruar Kimin të shkojë në tryezën e bisedimeve, sipas një analize të Bloomberg Economics.
Një këshillë në librin e Trump-it, që asnjëri prej liderëve nuk duket se do ta ndjekë, është ajo për maksimizimin e alternativave në rast se gjërat nuk shkojnë mirë gjatë negociatave. Një prishje e mundshme e bisedimeve mes dy njerëzve që pak muaj më parë i referoheshin njëri-tjetrit si “burri i vogël i raketave” dhe “njeriu me çrregullime mendore” mund ta çojë gadishullin aq pranë luftës sa do të ishte po të mos kishte dalë mundësia e negociatave.
Përgatiti: Gazmira Sokoli