Bashkimi Europian i jep një ‘shuplakë’ të fortë politike Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Një zëdhënëse konfirmoi në Bruksel se presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, gjatë turneut të saj në Ballkan do t’i anashkalojë ato destinacione, duke vizituar vetëm Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
“Mund të konfirmojmë gjithashtu vizitën e ardhshme të presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në rajonin e Ballkanit Perëndimor, nga 30 shtatori deri më 2 tetor. Ky do të jetë viti i gjashtë rresht që presidentja viziton rajonin. Siç tha edhe presidentja në samitin BE-Ballkani Perëndimor, në qershor, Unioni ynë nuk do të jetë i plotë pa Ballkanin Perëndimor.
Kjo është arsyeja pse, gjatë takimeve të saj, ajo do të përqendrohet te hapat e ardhshëm në rrugën e partnerëve tanë drejt BE-së, si dhe te përparimi i vazhdueshëm i integrimit gradual, të mbështetur nga plani ynë i rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Gjatë kësaj vizite, presidentja von der Leyen do të vizitojë Tiranën, Prishtinën, Podgoricën dhe Shkupin. Atje, ajo do të takohet me kryetarët e shteteve dhe kryeministrat, si dhe do të vizitojë projekte të financuara nga BE.
Në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe të përgjithshme në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Serbi, presidentja synon t’i vizitojë këto vende në një datë të mëvonshme”, u shpreh Arianna Podesta, zëdhënëse e Komisionit Europian.












Shuplakë..?! Po talleni ju?! Europa as nuk dënjoi të mblidhej për të diskutuar ndërprerjen e negociatave pas varrimit me nderime shtetërore për Mladiç. Po e quakeni “shuplakë” pse nuk po shkon në Serbi. Mos gënjeni veten dhe shqiptarët. Ne e duam shumë Europën dhe duam të jemi në Europë, por kurrë nuk duhet të jemi me besim të verbër sepse siç na ka mësuar historia, neve na kanë braktisur ose na kanë përdorur si plaçkë lufte sa herë kanë dashur. Prandaj duhet t’i thërrasim mendjes e të jemi të bashkuar sidomos në politika të jashtme. Dmth Tirana zyrtare ka për detyrë të krijojë një si tip drejtorie në ministrinë e jashtme vetëm për t’u marrë me organizimin dhe koordinimin e qëndrimeve të përbashkëta të të gjithë shqiptarëve ne rajon, duke nisur nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Preshevë e Bujanoc pse jo të ketë dhe një prezencë përfaqësuese të popullsisë çame. Dhe të kenë mbledhje periodike çdo muaj për të informuar njëri-tjetrin dhe për të ndërtuar strategji të përbashkët për përballjet diplomatike. Kështu tregojmë që jemi të rëndësishëm, të bashkuar dhe që dimë të bëjmë politika për veten tonë.