Akademia e Shkencave e Shqipërisë njofton me hidhërim të thellë se sot, më 29 tetor 2026, u nda nga jeta në moshën 101 vjeçare akademik Luan Omari, anëtar themelues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ish sekretar shkencor dhe zëvendëskryetar i saj.
Me largimin e tij, shkenca dhe kultura shqiptare humbasin një dijetar të përkushtuar, i cili për shumë dekada ia kushtoi jetën kërkimit shkencor, studimit dhe zhvillimit të së drejtës dhe shkencave juridike në Shqipëri. Jeta dhe vepra e tij janë të lidhura ngushtë me zhvillimin e mendimit juridik shqiptar dhe me përpjekjet për forcimin e institucioneve demokratike e të Shtetit të së Drejtës.
Akademik Luan Omari lindi më 10 qershor 1925 në Tiranë, në një familje me tradita të forta kulturore dhe arsimore. Arsimin e hershëm e kreu në Bari të Italisë, ndërsa diplomën e maturës e mori në gjimnazin e Tiranës. Studimet e larta për drejtësi i vijoi në Beograd dhe Sofje, ku u diplomua për shkencat juridike, duke shërbyer si një nga juristët më të përgatitur të vendit.
Karriera e tij është e lidhur ngushtë me zhvillimin e arsimit të lartë dhe institucioneve akademike në vend. Ka qenë docent i së drejtës Publike në Institutin e Lartë Juridik, dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës për gati dy dekada, profesor i Teorisë së shtetit e të së drejtës dhe e i së Drejtës Publike në këtë Universitet.
Përtej kufijve të Shqipërisë, Profesor Omari ka përfaqësuar vendin në Komisionin e Venecias pranë Këshillit të Evropës, duke përcjellë perspektivën shqiptare në debatet europiane mbi demokracinë dhe të drejtën Kushtetuese, si një figurë e spikatur e mendimit akademik shqiptar dhe europian.
Ai është autor i dhjetëra studimeve dhe monografive mbi historinë e të drejtës në Shqipëri, të drejtën Publike e atë Kushtetuese, si dhe mbi sistemin juridik shqiptar. Akad. Omari ka marrë pjesë në të gjitha proceset e debatet kushtetuese për hartimin e Kushtetutës së Shqipërisë dhe ligjeve kushtetuese pas viteve ’90. Ai ka formuar breza të tërë juristësh e akademikësh që sot mbajnë përgjegjësi të larta në jetën juridike dhe akademike të vendit.
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, në vitin 2020 Presidenti i Republikës e nderoi me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, si shenjë mirënjohjeje për meritat e tij të veçanta në fushën e së drejtës dhe për rolin e tij si themelues i institucioneve të dijes në Shqipëri.
Ndërsa, Akademia e Shkencave e Shqipërisë e nderoi me Çmimin e Karrierës Akademike, në vitin 2016.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë u shpreh ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve, miqve, kolegëve dhe gjithë bashkësisë shkencore për këtë humbje.
I paharruar kujtimi i akademik Luan Omarit!
- Nderimet për akademik Luan Omarin, datë 30 tetor 2026, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë
Ora 10.00: Akademi Solemne në sallën “Aleks Buda”
Ora 11.00-13.00: HOMAZHET
Ora 13.00: Fjala e Lamtumirës për akademik Luan Omarin nga kryetari i ASHSH akademik Skënder Gjinushi











