Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka bërë thirrje për bashkimin e forcave politike dhe krijimin e koalicioneve parazgjedhore, duke e cilësuar këtë si një domosdoshmëri për të sjellë ndryshimin politik në Shqipëri.
I ftuar në emisionin “Opinion” në TV Klan, Lapaj theksoi se krahas bashkimit politik, nevojitet edhe një reformë e Kodit Zgjedhor që do të krijonte mundësi për ndryshime në vend.
Ai nënvizoi rëndësinë e dakordësimit të një formule ligjore mes forcave politike, e cila do të garantonte një kuadër zgjedhor të përshtatshëm për realizimin e ndryshimit politik.
Sipas tij, dakordësimi për një Kod Zgjedhor që mundëson ndryshimin politik duhet të jetë një nga çështjet kryesore në diskutimet mes forcave politike.
“Bashkimi përballë kësaj të keqeje është domosdoshmëri, por domosdoshmëria para kësaj është që të bëhemi bashkë. Të krijohen koalicionet parazgjedhore. Duhet një Kod Zgjedhor për zgjidhje politike. Duhet të gjejmë formulën e drejtë ligjore. Duhet dakordësuar një formulë ligjore që garanton një Kod Zgjedhor, i cili krijon mundësinë e një ndryshimi politik në Shqipëri”, tha ai.











