Shtet, që mos o Zot
Nga Ben Andoni
Të vjen të qëndrosh e të mbledhësh pak veten para se të lexosh lajmet që vinë nga të gjithë anët, por që kanë në qendër presidentin e vendit Bujar Nishani. Numri një i shtetit shqiptar dhe garanti i kushtetutës, po kujtohet vetëm, kur “Ligji i Arsimit” ka kaluar në parlament, që të mbledhë përfaqësues dhe të flasë për risitë, të metat dhe sfidën e tij.
Është për të qeshur se e gjitha ajo që lidhet me Arsimin e Lartë, të ketë një kundërshti absurde kaq të madhe, madje edhe nga profesorë të së njëjtës familje. Është një grup i tërë akademikësh shqiptarë që e anatemojnë dhe një grup tjetër që me të njëjtat argumente, por në kah tjetër e mbrojnë!
Të mendosh, drafti ka kohë që është për shqyrtim dhe jo vetëm Ministria e Arsimit, por të gjithë këta individë dhe qoftë dhe presidenti i vendit nuk kanë marrë mundimin ta shohin dhe befas, pak orë para pushimeve të gjithë merren me të (Jo se nuk janë marrë, por kanë hedhur tek-tuk ndonjë shkrim apo reagim).
Por, nuk mbaron këtu. Në lajmet e pak ditëve më parë, Bujar Nishani siguroi akademikët se do ta shikonte me shumë kujdes e konform kushtetutës. Pak orë më vonë, Ministrja e Arsimit pati një diskutim ‘frytdhënës’ dhe presidenti që i përgjigjet: “Reformat duhen bërë sipas kritereve dhe parimeve ligjore të sanksionuara në Kushtetutë si dhe duke ndjekur modelet më të mira ekzistuese.” Dhe, sintaksa është e njëjtë nga Ministrja: “Siguruam Presidentin se ligji sjell përmirësime për studentët dhe pedagogët. Po ashtu, në përputhje me Kushtetutën ai i garanton çdo studenti që të ndjekë institucionet e arsimit të lartë sipas meritës”. Ajo pohoi se takimi me Kreun e shtetit u karakterizua “nga debati i qetë, konstruktiv dhe i shëndetshëm, si pjesë e besimit të një institucioni të rëndësishëm, siç është ai Presidentit të Republikës”.
Po mirë, ç’është bërë deri tani? Po sa e respekton realisht kushtetutën ligji, që vetë akademikët thonë se është i pasaktë dhe i vë në tutelë?! Fjalë. Fjalë.
Ajo që të kthjellon befas është fjalia: Çfarë shteti është ky o Zot, kujt mund t’i besojmë vallë?! A ia vlen apo jo Ligji i Arsimit dhe dreqi e mori: pse nuk gjetët kohë që më parë të merreshit me të!